Libri “Pardesytë e bardha” i Luljeta Prognit, që ka dalë ditët e fundit në libraritë shqiptare, bazohet pjesërisht në kujtimet dhe dokumentet e Arben Demetit, për të ndërtuar skeletin kronologjik të historisë së dy viteve të para të Partisë Demokratike. Dhe mund të them se leximi i intervistës së plotë të Demetit më freskoi shumë detaje që më ishin zbehur apo fshirë nga kujtesa. Sidoqoftë një detaj i intervistës nuk përputhet me kujtesën time rreth një momenti shumë domethënës të historisë së Partisë Demokratike – momenti i debatit rreth emrit që do t’i vihej partisë së re.
Sipas Demetit, ky debat u bë pasditen e 12 dhjetorit 1990, në një sallë të Qytetit Studenti, ku kishte rreth 200 studentë e puntorë të Tiranës. Ndërsa unë mbaj mend që ky debat dhe përzgjedhja e emrit të partisë së re është bërë nga një grup shumë më i vogël natën e 11 dhjetorit, duke gëdhirë 12 dhjetori, në korridorin e Godinës 15 të Qytetit Studenti, e cila u bë dhe selia e parë e PD-së. Ja si i mbaj mend ngjarjet unë.
Pasi ishte kthyer grupi i studenteve dhe pedagogeve nga takimi me Ramiz Alinë, në orët e vona të datës 11 dhjetor, u dëgjua nga të gjithë të pranishmit në Qytetin Studenti incizimi i plotë i bisedës me Presidentin. Kur mbaroi dëgjimi i bisedës me Alinë, unë kapa flamurin që një student mbante në dorë dhe thirra “Rroftë Partia Demokrate”. Në moment, Azemi ma mori flamurin nga dora dhe më tha se kishin dhënë fjalën që partia e re të quhej e studenteve dhe intelektualeve të rinj.
Pasi ora kishte kapërcyer 12-ën, pra kur kishte filluar dita e re, shumica e atyre që ishin takuar me Alinë (përfshirë Demetin), si dhe Berisha, Pashko, Mustafaj, Ballauri, e unë, u futëm në Godinën 15. Gjëja e parë që diskutuam ishte sesi do ta quanim partinë e re që Alia kishte lejuar të krijohej. Berisha, i cili e hapi këtë diskutim, tha se emri që i ishte premtuar Alisë për partinë e re nuk e përfaqsonte as masën e njerëzve të mbledhur në Qytetin Studenti dhe as shumë të tjerë që do t’i bashkoheshin eventualisht asaj. Unë, duke i qendruar idesë sime fillestare, sugjerova emrin Partia Demokrate. Por Arben Imami më kundërshtoi me arsyetimin se një parti me të njëjtin emër ishte parti kryesore në SHBA. Në vend të emrit që unë sugjerova, Imami propozoi emrin Lidhja Demokratike. Por Berisha e kundërshtoi këtë emër me argumentin se mund të krijohej përshtypja në opinionin ndërkombëtar se partia jonë do të ishte një degë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Atëhere unë iu ktheva përsëri sugjerimit tim, por me një ndryshim të vogël – Partia Demokratike. Ballauri me shaka tha: “Pash Zotin, mos na kujto Frontin Demokratik!”.
Ndërkohë që të tjerët po qeshnin, Berisha rrinte i menduar. Pas disa çastesh, ai tha me seriozitet: “Partia Demokratike më duket emër i goditur. Do të ishte mirë që të mos ekzistonte fare Fronti Demokratik, sepse, në fakt, emri më përshtatshëm për partinë tonë do të ishte pikërisht Fronti Demokratik. Sidoqoftë, emri Partia Demokratike më duket se e përçon idenë se ajo do të jetë një parti e të gjithë atyre që duan një sistem demokratik në Shqipëri”. Fjalët e Berishës i vunë vulën diskutimit mbi emrin e partisë. Pas emrit të partisë, diskutuam për programin e partisë, të cilin kishim premtuar se do ta shpallnim brenda ditës në Qytetin Studenti.
Si u bë Berisha kaq përcaktues, kaq shpejt, në debatet e grupit që po themelonte partinë e parë opozitare pas 45 vjetësh?
Qysh në momentet e para kur u mblodhëm tek godina 15, në mënyrë të vetvetishme, Berisha mori rolin e drejtuesit që përcaktonte se kush duhej të bënte çfarë. P.sh., mua më tha të bashkëpunoja për programin e bujqësisë me pedagogët e Universitetit Bujqësor Rexhep Uka e Besnik Gjonkecaj (Gjonkecaj iu shmang bashkëpunimit); Pashkos i tha të përgatiste programin ekonomik; etj. Në sytë e tij, atë natë, mund të dallohej qartë një ndriçim jo tokësor – ai dukej si një njeri të cilit sapo i kishte caktuar Zoti një mision special.
Ose një detaj tjetër: Rreth orës 2 të natës, vendosëm të uleshim diku e t’i hidhnim në letër ato që kishim diskutuar. Unë sugjerova të shkonim në shtëpinë time, pasi ato ditë nuk kisha njeri në shtëpi. Por ishte Berisha ai që thoshte atë natë fjalën e fundit për gjithçka – ai e kundërshtoi sugjerimin tim me arsyetimin se duhej të ishim sa më pranë studentëve. Berisha tha se, pavarsisht nga përgjuesit që mund të ishin vënë në shtëpinë e Pashkos (që ishte afër Qytetit Studenti), vendi më i përshtatshëm për të punuar për programin ishte pikërisht atje. Por meqë ishim të lodhur, u vendos që mbledhja të bëhej në mëngjes, pas disa orëve pushim. Pas kësaj, morëm rrugën për në shtëpi.
Dhe rrugën për në shtëpi atë natë e kam bërë pikërisht me Arben Demetin, të cilin e kisha atëherë fqinj… Siç duket Demeti i ka harruar sot ato 2-3 orë të rëndësishme për PD-në tek koridori i Godinës 15 të Qytetit Studenti.