Home Bota LA Times: ISIS nje ndermjetes i naftes se Sirise

LA Times: ISIS nje ndermjetes i naftes se Sirise

698
0

oil-isisSi i bën Shteti Islamik paratë duke shfrytëzuar naftën në Siri dhe Irak, çfarë rrugë bëjnë paratë, kontrabanda drejt Turqisë me çmime të lira dhe a janë të përfshira autoritetet turke? 

Nabih Bulos, korrespondent special i Los Angeles Times, që mbulon Sirinë, Irakun, Jordaninë, Libanin dhe së fundi edhe Jemenin, në një raportin nga Bejruti analizon situatën në fjalë.

 

Rusia ka akuzuar Turqinë dhe presidentin e saj, Recep Tayyip Erdogan se po bashkëpunojnë me grupin militant të Shtetit Islamik, në tregtinë e paligjshme të naftës.

Akuzat, të ngritura gjatë kësaj jave, krahas përshkallëzimit të tensioneve mes Turqisë dhe Rusisë, nxorrën në pah rëndësinë e ISIS si një ndërmjetës i rëndësishëm i naftës në Sirinë e shkatërruar nga lufta dhe zonat lindore të Irakut.

Sipas vlerësimit të ekspertëve, Shteti Islamik tani kontrollon pothuajse dy të tretat e kapacitetit të prodhimit të naftës në Siri, duke siguruar një burim thelbësor të të ardhurave për të ushqyer makinën e saj të luftës.

Por, deri në çfarë mase udhëheqësit e Shtetit Islamik mund të veprojnë në fushat e naftës për të marrë produkt e për ta nxjerrë në treg? Kjo është një pyetje që është vlerësuar nga Shtetet e Bashkuara, që  filluan sulmet ajrore kundër objekteve të naftës në javët e fundit për të ndaluar grupin ekstremist të përdorë të ardhurat e naftës për të financuar kalifatin e vetë-shpallur në Siri dhe Irak.

Bulos jep një vështrim në përfshirjen e Shtetit Islamik në industrinë e naftës.

Çfarë objektesh kontrollon Shteti Islamik?

Shteti Islamik kapi pjesën më të madhe të objekteve të naftës në Siri, kur mori kontrollin e provincës lindore të Dair Alzour në verën e vitit 2014.

Deri në korrik të atij viti, grupi kishte shpartalluar fraksionet e tjera islamike dhe kapi fushën naftëmbajtëse Omar, e cilësuar si xhevahir në kurorën e naftës siriane. ISIS mori gjithashtu në kontroll  fushat e naftës në Tanak, Jafra dhe Ward.

Militantët e Shtetit Islamik vazhdojnë të angazhohen në një luftë me forcat pro-qeveritare për të marrë në fushën e gazit në Shaer dhe fushën e naftës Jazal, në zonat shkretëtirë të provincës lindore Homs.

Grupi ka kërcënuar edhe për fushat e gazit pranë Palmira, zemra e sektorit të gazit të Sirisë, sipas një raporti të publikuar në qershor.

Megjithatë prodhimi i naftës dhe gazit nuk është askund krahasuar me nivelet e paraluftës. Analistët e  energjisë thonë se prodhimi i naftës  në Siri është 30,000 deri 40,000 fuçi në ditë, krahasuar me 385,000 fuçi në ditë para luftës.

Prodhimi i gazit ka rënë të paktën 40% nga nivelet e paraluftës, sipas një raporti të publikuar në nëntor nga revista ‘Rigzone’.

Si e rafinojnë, transportojnë dhe shesin naftën?

Shumica e naftës shitet në rafineritë e vogla, pronë private. Kjo bëhet kryesisht nga civilë që nuk kanë lidhje me Shtetin Islamik. Ata marrin naftën e papërpunuar direkt nga puset e përpunojnë dhe e shesin në tregun e zi. Ata janë zakonisht banorë të zonave, mirëqenia e të cilëve u shkatërrua nga luftimet.

Këto civilë, thonë analistët, janë të rëndësishëm për lehtësinë e tregtisë së naftës të Shtetit Islamik: Jo vetëm që ata e përpunojnë dhe e transportojnë naftën, por ata gjithashtu mbajnë barrën e fushatës ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër infrastrukturës së naftës, pa kompensim nga Shteti Islamik.

Pjesa më e madhe e naftës nuk arrin tregjet e jashtme dhe është përdorur për konsum të brendshëm në territoret e kontrolluara nga Shteti Islamik, ose u shitet fraksioneve të tjera rebele dhe qeverisë siriane.

Megjithatë, ka pasur raporte se nafta e territorit të Sirisë dhe Irakut është transportuar edhe në Jordani dhe Turqi.

 Çfarë bën koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të ndaluar tregtinë e naftës?

Forcat e koalicionit kanë nisur kohët e fundit Operacionin “Tidal Wave II”, me qëllim sulmin e depozitave në fushat e naftës.

Pentagoni tha se kishte shkatërruar më shumë se 300 tankera nafte në zonat e Shtetit Islamik në dy javët e fundit të nëntorit.

Të enjten e shkuar, avionët britanikë goditën depozitat në fushën e naftës Omar, godtje që pasoi vendimin e Britanisë për sulme kundër Shtetit Islamik në Siri.

Për sa para flitet?

Vlerësimet ndryshojnë por janë përqëndruar në një shifër prej 2 milionë deri në 3 milionë dollarë në ditë. Ndërkohë që kur Rusia filloi bombardimin, zyrtarët e mbrojtjes ruse thonë se numri është përgjysmuar.

Mouafak Rubaie, një ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të Irakut, tha se Shteti Islamik llogariste 800 milionë dollarë në vitin 2014.

“ISIS e shet naftën e Irakut dhe Sirisë në tregun e zi turk me çmime që janë 50%  më të ulëta se ato të tregut global”, tha Rubaie në një intervistë telefonike.

Megjithatë, disa analistë thonë se vlerësimet e të ardhurave të naftës të Shtetit Islamik janë të ekzagjeruara.

Ata citojnë një raport të brendshëm të vetë shtetit islamik që i takon shkurtit të këtij viti me shifrat për Dair Alzour dhe zonat përreth. Raporti, i cili vjen nga departamenti i kontabilitetit të Shtetit Islamik, bën fjalë për më pak se 2 milionë dollarë në muaj nga të ardhurat e naftës, që llogaritet në 27% të të ardhurave totale.

A janë të përfshirë zyrtarët turq?

Rusia thotë se po, edhe pse nuk ka asnjë provë për këtë. Akuzat ruse erdhën pasi Turqia rrëzoi avionin rus muajin e shkuar, pranë kufirit me Sirinë. Erdogan ka premtuar në mënyrë të përsëritur se do të japë dorëheqjen në qoftë se provohet kjo akuzë.

Megjithatë, shumë akuza të tjera tregojnë se shkalla e lartë e kontrabandimit nuk do të ishte i mundur pa lehtësirat e qeverisë turke.

“Të vetmet kufij të hapur me ISIS janë ato me Turqinë”, tha Selmani Khalaf, kreu i Komisionit të Energjisë në kantonin kurd të Rojava.

Për Rubaie, gjithashtu, rasti është i qartë. “Asnjë grup kryengritës, e shtetit islamik, ose jo, nuk mund të mbijetojë pa një vend fqinj, mbështetje direkte ndaj tij, apo duke bërë një sy qorr” thotë ai.

“Turqit duhet të jenë të qartë e transparentë dhe të rreshtohen në anën e anti terrorizmit në rajon, duke ndaluar cdo lehtësi ndaj tyre”.

Dhe në një intervistë telefonike, zëdhënësi i Ministrisë së Naftës së Irakut, Asim Xhihadi pranoi se shteti  islam nuk mund të veprojnë vetëm.

“Si mundet që dhjetëra kamionë me naftë të Irakut dhe Sirisë të largohen nga zona? Ku është kjo naftë, ku shkon, kush merret me të”- pyeti ai.

“ISIS nuk mundet të merret i vetëm me këtë çështje kaq të madhe. Duhet të ketë edhe bashkëpunim me subjekte të tjera” tha më tej ai.

Aymenn Tamimi, një ekspert rajonal mbi militantët për Lindjen e Mesme, me bazën në Philadelphia, sjell një pikëpamje të kundërt.

“Fakti është se rrugët për naftë nga territori i Shtetit Islamik mund të shkojnë në shumë drejtime,” tha ai në një intervistë në mediat sociale. “Kjo nuk ka treguar një marrëveshjen e fshehtë apo të të veçantë ndërmjet Shtetit Islam dhe ndonjë vendi tjetër” – tha ai.

Përkthyer nga Los Angeles Times

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here