Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se po konsideron një përgjigje “shumë të rëndë” për Korenë e Veriut, e cila, këtë javë, ka testuar një tjetër raketë me rreze të gjatë veprimi.
Duke folur në Varshavë, Trump u bëri thirrje të gjitha vendeve që t’i kundërvihen “sjelljes shumë, shumë të keqe” të Phenjanit.
“Po i mendojmë disa gjëra shumë të rënda; nuk do të thotë se do t’i bëjmë. Unë nuk tërheq vija të kuqe”, tha Trump.
Këto janë komentet e para publike të Trumpit për këtë çështje, prejse Koreja e Veriut ka lëshuar, më 4 korrik, një raketë balistike ndërkontinentale.
Ekspertët besojnë se arma e Phenjanit ka kapacitet për të arritur Alaskën.
Trump nuk e qartësoi se cila do të ishte përgjigjja e SHBA-së, por tha se Koreja e Veriut është “kërcënim” dhe se SHBA “do t’i kundërvihet fuqishëm”.
“Është e turpshme që ata sillen në këtë mënyrë”, tha Trump, duke iu referuar liderëve verikoreanë.
Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mërkurën në Nju Jork, ambsadorja amerikane, Nikki Haley, tha se SHBA do të përdorë “forcë të konsiderueshme ushtarake” në Korenë e Veriut, nëse “i duhet”.
Haley tha se testimi i raketës paraqet “përshkallëzim ushtarak” dhe po ashtu kërcënoi me kufizime tregtare.
Rusia, në anën tjetër, e dënoi veprimin e Koresë së Veriut, por tha se kundërshton sanksionet e reja ose përdorimin e forcës kundër Phenjanit.