Home Sport Milan zhgenjen totalisht perballe Atletikos

Milan zhgenjen totalisht perballe Atletikos

643
0

milanShumë i shëmtuar dhe totalisht i fikur, shumë herë më keq sesa në pjesën e dytë të ndeshjes së parë. Atletiko e Madridit imponon edhe njëherë tjetër ligjin në stadiumin “Visente Kalderon”, i cili detyron Milanin që t’i japë lamtumirën Ligës së Kampioneve dhe çdolloj aventure europiane, duke e bërë këtë edhe në një mënyrë që mund të ishte shmangur. Rezultati final tregon shifrat 4-1, numra shumë të ashpër këto për një skuadër me traditë si Milani, e cila gaboi rëndë duke nxehur pragsfidën me deklarata për përmbysje historike. Fundja, nëse administratori Adriano Galiani kishte shpresa, besonte dhe kërcënonte për një kualifikim të mundshëm, Diego Kosta e nxori gënjeshtar atë vetëm pas 2 minutash e 28 sekondash, të cilat i mjaftuan Diego Kostës për të zhbllokuar sfidën dhe për t’i hapur rrugë goleadës.

Festime të kota Goli i parë dhe shumë i shpejtë i firmosur nga lideri i Atletikos së Madridit e detyroi Milanin që të prishte planet e italianëve. Skuadra e Sedorfit nuk e priste një fillim të tillë, kaq të frikshëm, por mbi të gjitha trajneri i tij nuk priste që disa prej liderëve të formacionit të tij të ishin të përgjumur ende pa zbritur në fushë. Gafa nis me Esienin, që humb një top në korsinë anësore, ndërsa Rami bën një gabim edhe më të rëndë, teksa humb në zonë markimin e tij ndaj Diego Kostës që fluturimthi devijon në rrjetë një top që dukej thuajse i pakapshëm. Gjithsesi, goli i bën mirë “Djallit”, i cili, edhe pse për 15-20 minuta vuan trullosjen e disavantazhit, arrin të “pështyjë” flakë, të cilat djegin Atletikon në minutën e 27-të. Poli pikturon një krosim perfekt nga e djathta për Kakanë, që në zonë godet saktë me kokë dhe mund të festojë golin e tij të 25-të në Champions me Milanin. Rezultati 1-1 rikthen brenda planeve italianët, të cilët mund ta kishin përmbushur atë pozitivisht në minutën e 36-të, kur prapë Kaka, sërish me kokë dhe vetëm katër metra larg portës rivale, e dërgon topin mbi traversë, duke bërë gjënë më të vështirë. “Armata” e Sedorfit jep shenja jete, edhe pse “komandanti” Baloteli duket i humbur në fushën e betejës. Por, ata që kanë luftëtarë të etur për fitore janë spanjollët, të cilët pesë minuta përpara fundit të pjesës së parë, prishin baraspeshën e sfidës. Arda Turan avancon me top në këmbë dhe nga 20 metra larg portës guxon të tentojë portën, por topi i tij që nuk dukej se kishte si destinacion portën, arrin të marrë devijimin e duhur nga Rami, i cili e ndihmon mesfushorin e Atletikos të mposhtë Abiatin dhe ta dërgojë ekipin e tij në avantazhin 2-1 në dhomat e zhveshjes.
Baloteli, pa busull Në pjesën e dytë, Sedorf e nis me Robinjon, që zëvendëson Tarabtin, duke kaluar nga një 4-2-3-1 në një 4-3-3, mbase me shpresën se do të rifuste në lojë edhe Balotelin, i cili deri në ato momente kishte lëvizur pa busull, thuajse inekzistent në lojë. Por, edhe me këtë aspekt të ri taktik, asgjë nuk ndryshon, numri 45 harron që roli i tij është në zonën rivale dhe shumë shpesh kërkon topin në gjysmëfushë, ose në anësore, duke i bërë dy herë dëm Milanit, i cili kështu ngadalësonte së tepërmi edhe mundësitë për kundërsulm. Prandaj, Sedorf hedh në fushë edhe Pacinin në vend të ekipit, duke e zhbalancuar totalisht ekipin. Nuk kalojnë as 60 sekonda nga kjo lëvizje taktike për kuqezinjtë dhe Milani detyrohet t’i dorëzojë armët. Në minutën e 70-të, Raul Garsia përfiton nga një goditje dënimi e ekzekutuar nga Turan dhe, pasi kërcen më shumë se kushdo tjetër me kokë në zonën kuqezi, devijon saktë në rrjetë topin që i dërgon shifrat në 3-1. Asgjë nuk mund të përmbyset më, Milani tashmë është i shpartalluar, aq sa as edhe një traversë e goditur nga Robinjo nuk i jep shpresë për të tentuar diçka në 20 minutat e mbetura. Ndërsa, nga ana tjetër, Diego Kosta nuk toleron, është më i etur se kurrë dhe pesë minuta nga fundi arrin të gjejë edhe dopietën personale, me një të majtë në brendësi të zonës. Abiati tërbohet me mbrojtjen e tij që nuk humb rast që ta tradhtojë, dikush tjetër në tribunë (Galiani mbase) kupton se gaboi rëndë me thirrjet e tij, por çfarë është më e keqja, ishte mënyra sesi ata dolën nga skena, duke preferuar më negativen e mundshme…
TITUJT E MEDIAS
“GAZZETTA DELLO SPORT” – Kaka nuk mjafton, natë e thellë për Milanin!
“CORRIERE DELLO SPORT” – Eliminohet edhe Milani. Champions mbetet pa Italinë.
“TUTTOSPORT” – S’ka mrekulli, edhe Milani dorëzon Europën.
“Sportmediaset” – Atletiko i jep një leksion të ashpër Milanit.
“AS” – Ishte si një lojë fëmijësh. Diego Kosta çon Atletikon në çerekfinale mes portës së madhe.
“MARCA” – Ky Atletiko është një makinë golash!
“MUNDO DEPORTIVO” – Në çerekfinale me goleadë.
“BILD” – Katastrofë e Milanit, shkatërrohet në Madrid.
“FRANCEFOOTBALL” – Atletiko keqtrajton Milanin.
“DAILYMAIL” – Diego Kosta çon Atletikon në çerekfinale, pas 17 vitesh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here