Në orët e para të mëngjesit të sotëm është vetëparaqitur në Prokurorinë e Tiranës ish-botuesi i gazetës ‘Koha Jonë’. Burime të News 24 bëjnë me dije se është rihapur dosja për djegien e redaksisë së kësaj gazete.
Mësohet se Lesi ka dorëzuar në Prokurori një CD me pamje filmime të transmetuara në një Tv, ku paraqitet redaksia e shkrumbuar e gazetës ‘Koha Jonë’.
Ai ka kërkuar që për ngjarjen të dëshmojnë 4 figura të njohura për opinionin publik, në cilësinë e personave që kanë dijeni. Ata janë ish-kryeministri Sali Berisha, kreu aktual i SHISH, Visho Ajazi, asokohe punonjës në SHIK-un e Gazidedes, Agron Musaraj ish- ministër i Brendshëm dhe ish drejtori i Përgjithshëm në Policinë e Shtetit Agim Shehu.
“Kërkova të pyeten Sali Berisha,Visho Ajazi dhe Agim Shehu. Kërkova të pyetet si person që ka dijeni Agron Musaraj”, ka thënë Lesi.
Redaksia e Gazetës “Koha Jonë” u dogj më 2 mars të vitit 1997, ndërsa u keqtrajtuan edhe gazetarët.