Home Sociale Matura 2012, publikohen programet e reja orientuese

Matura 2012, publikohen programet e reja orientuese

884
1

Çelet zyrtarisht Matura Shtetërore 2012. Ministria e Arsimit shpalli dje programet orientuese në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Për herë  të parë këtë vit, brezi i maturantëve mbyll shkollën e mesme me kurrikulat e reja, ndaj edhe programet janë hartuar në varësi të këtyre kurrikulave. Janë 21 lëndë  që i përkasin kurrikulës bërthamë dhe 18 lëndë që i përkasin kurrikulës me zgjedhje. “Struktura është e njëjtë, pra programet orientuese përmbajnë 50%-70% të  programeve lëndore. Pra janë hequr ujërat e tepërta dhe kemi bërë reduktimin më të mirë të mundshëm në mënyrë  që konceptet që do përvetësohen të jenë sa më të  thjeshta për maturantët. Por, duke qenë se këtë vit për herë të parë del brezi që ka studiuar me kurrikulat e reja, edhe programet orientuese janë bërë nga fillimi”, tha për gazetën drejtori i Arsimit Parauniversitar në  MASH, Fatmir Veisiu. Sipas tij, në ndryshim nga vitet e tjera, programet orientuese kanë përfunduar dhe janë publikuar më herët. Për këtë vit ka ndryshuar formula e llogaritjes së pikëve për aplikimin në shkollat e larta. Matura Shtetërore për herë të parë aplikohet me rregulla tërësisht të reja. Maturantët, si provime me zgjedhje, do të kenë mundësi të zgjedhin domosdoshmërisht dy lëndë. Por atyre u jepet mundësia që në këtë grup provimesh të japin edhe një lëndë të tretë me zgjedhje. Sistemi i krediteve është kushti kryesor. MASH ka përcaktuar numrin minimal të krediteve që duhet të kenë dy ose tri lëndët që do të jepen si provime me zgjedhje nga maturantët. Veç tyre, ata do të japin provimet e detyruara. Pra, ndryshe nga më parë, kur jepnin vetëm katër provime, vitin që vjen, në vartësi të përgatitjeve, ata mund t’i nënshtrohen edhe një provimi të pestë. Për secilën nga lëndët me zgjedhje të listuar nga MASH, është vendosur edhe numri përkatës i krediteve. Gjuhët e huaja janë parë si prioritare dhe kanë numrin më të lartë të krediteve. Maturantët e Maturës 2012 duhet të zgjedhin lëndët për provimet me zgjedhje në mënyrë që shuma e krediteve e këtyre lëndëve të mos jetë më e vogël se 8. Numri i lëndëve me zgjedhje do të jetë dy ose tre. Çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja si provim me zgjedhje, me kusht që njëra të trajtohet si gjuhë e huaj e parë dhe tjetra si gjuhë e huaj e dytë, në përputhje me kreditet përkatëse, që janë 10 dhe 6. Sa i përket llogaritjes së pikëve, për herë të parë do të zbatohen dy formula. Kjo pasi maturantët do të kenë mundësi që në vartësi të dëshirës të japin edhe një lëndë të tretë me zgjedhje. Në tabelë gazeta publikon të plota këto formula dhe mënyrën si do të kryhet llogaritja.

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here