Konfindustria ka shprehur kundërshtimin e saj lidhur me vendimin e fundit të Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës bazë të interesit me 0.25%.
Nëpërmjet një deklarate për mediat Konfindustria e ka konsideruar këtë nismë si të ndërmarrë në një çast jo të përshtatshëm për gjendjen e ekonomisë shqiptare me rritje prej 4.5% në 3 mujorin e parë të vitit 2011 dhe për zhvillimet përgjithësisht pozitive të tregjeve ndërkombëtare dhe kërkesat e mëdha te brendshme për likuiditet.
“Pavarësisht ndikimit relativisht të ulët të politikave monetare të Bankës së Shqipërisë dhe konkretisht ndryshimeve të normës bazë të interesit të monedhës kombëtare Lek, parë mbizotërimin në mbi 75% të portofolit të përgjithshëm të kredive në monedha të huaja kryesisht Euro dhe Dollarë, rritja e normës bazë të interesit është goditje psikologjike e njëkohshme për biznesin dhe për vete bankat e nivelit të dytë. Vendimi i Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës së interesit shkon drejt ftohjes së papranueshme ekonomike”, thuhet në deklaratën e administratorit të përgjithshëm të Konfindustrias, Gjergj Buxhuku.
Më tej theksohet se shqetësimi kryesor i sistemit bankar shqiptar, që duhet të jetë dhe synimi kryesor i Bankës së Shqipërisë, është ndërhyrja e menjëhershme për rritjen e domosdoshme dhe sa më e shpejtë të cilësisë së portofolit të kredive nga bankat e nivelit të dytë.
Sipas Konfindustrias, masa e kredive të “këqija” ka arritur në pragun e rrezikshëm të 15% të portofolit të përgjithshëm me vlerë absolute prej qindra e qindra milion dollarësh, duke përbërë një rrezik të mprehtë për sistemin bankar dhe për gjithë ekonominë shqiptare në tërësi.