Home Aktualitet Vaçe Zela: Ëndrra ime më e madhe është të shoh edhe njëherë...

Vaçe Zela: Ëndrra ime më e madhe është të shoh edhe njëherë Shqipërinë!

1517
0

Më 7 prill, Vaçja jonë kombëtare mbushi 72 vjeç. Ai mëngjes si çdo vit është i bukur dhe me diell në Bazel të Zvicrës, qytet në kufi me Gjermaninë dhe Francën. Tek kutia e postës në “Burgfelderstrasse 11, 4055, Basel, Suisse” vijnë letra dhe kartolina të shumta të tjera nga miq e dashamirës bashkëkombas dhe të huaj që përgëzojnë Vaçen tonë kombëtare, me rastin e ditëlindjes së saj. Bashkëshorti i saj fisnik, Pjetër Rodiqi dhe e bija Irma ja tregojnë Vaçes dhe ajo e përmalluar lëshon disa lot nga sytë e saj të ëmbël. Telefonat dhe mesazhet këto ditë nuk kanë reshtur, jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga Shqipëria, Kosova dhe nga Diaspora. Zilja e telefonit me numër: 0041613216186 sapo mbaron një urim, bie përsëri.Është e qeshur si gjithmonë, e urtë, tepër e urtë dhe nuk është më “zjarr” siç ka qenë vite më parë, kur ne të gjithë e mbanim mend kur shpërthente tek këndonte këngët e bukura për Atdheun, dashurinë, vendlindjen…Shpesh dal në Parkun Gesendorf, pranë apartamentit tim tek “Rruga Lamartinë” në Gjenevë dhe dëgjoj në kasetofonin e vogël këngët e Vaçes. Mallëngjehem shumë, por edhe ndjej kënaqësi të veçantë. Sidomos për ne në Diasporë që na duket sikur këngët e saj na afrojnë me Atdheun, Shqipërinë. Shpesh bisedoj me të në telefon, apo edhe me bashkëshortin e saj Pjetrin, vajzën Irmën. Vaçja ka një shëndet të brishtë, por është e rrethuar nga njerëzit e saj të afërt dhe nga personeli mjekësor që tregojnë një kujdes të veçantë për të. Kam një kujtim të bukur kur ishim në Bazel dhe me një grup miqsh i uruam 70 vjetorin e ditëlindjes. Kaluam çaste shumë të bukura. Papritur në tarracën tonë zbriti nëpërmjet një kordoni një shishe shampanje. Një komshi që kishte dëgjuar tek këndonim e kishte kuptuar se ishte një ngjarje e shënuar për zonjën e shtëpisë dhe ai bëri një gjest të tillë për të uruar atë. Shpesh troket dera dhe të tjerë sjellin kuti me çokollata. Ata ndoshta nuk e dinë se Vaçja ka qenë dhe mbetet për ne, Shqipërinë, Kosovën pse jo edhe më tej, këngëtarja më e suksesshme, më e çiltëra, më e dashur. Ata kënaqen kur shohin aty lule shumëngjyrëshe për të cilat kujdeset në mënyrë të veçantë Irma. Ashtu siç kujdeset e motra e Vaçes dhe të afërmit e tjerë për lulet në Tiranë, në apartamentin e saj…
Me thjeshtësinë që e karakterizon dhe me emocion Vaçja më shprehet se shpreson që një ditë kur të jetë me mirë me shëndet ka dëshirë të veçantë të ndodhet në Shqipëri, në Lushnjën ku ka lindur, në Myzeqe, në Kosovë, por edhe në Diasporë, për të takuar bashkëkombësit e saj. Pjetri dhe unë i themi se së shpejti do vijë ajo ditë…
Përsëri emocion shihet tek Vaçja. Kujtojmë këngët e saj të paharruara, si ndër të tjera “Valsi i lumturisë”, “Natën vonë”, “Mesnatë”, “Nënave shqiptare”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Nuk e fshehim dashurinë”, “Flakë e borë” etj. Vaçja nisi të këndojë kur kishte ishte vetëm 9 vjeçe. Kishte vetëm 23 vjeç kur fitoi çmimin e parë me këngën “Fëmija e parë” me muzikë të Abdulla Grimcit dhe tekst të Dionis Bubanit. Pastaj prej vitit 1962 deri më 1980 fitoi 11 herë çmimin e Festivalit të Këngës në Radio dhe Televizionin shqiptar. Vazhduan më tej titujt që mori ndër të tjera “Nderi i Kombit”, “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, “Mjeshtre e Madhe e Punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjës”, “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit”, “Disku i Artë” nga SHBA, “Gruaja e vitit 97-98 nga Kembrixhi i Britanisë së Madhe, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës së Kosovës, “Cmimi i Karrierës”, Vaçja është ndër 500 njerëzit më me influencë në botimin e Institutit Biografik Amerikan etj, etj. Këto trofe ruhen me kujdes në sallonin e pritjes të Vaçe Zelës, aty në apartamentin e saj të zbukuruar me shije nga e bija, Irma.
Vaçja ka kënduar me qindra e qindra këngë shqiptare, por edhe në gjuhën italiane, spanjolle, ruse, rumune, greke etj. Disa nga këngët e saj më të njohura janë: “Çelu si mimoza”, “Zunë fushat të lulëzojnë”, “Qeshu Myzeqe”, “Djaloshi dhe shiu“,“E dua vendin tim,“Ëndrra ime”, “Fëmija i parë”,“Gjyshes“, “Këngët e vendit tim”, “Lemza“, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “ Nuk e fshehim dashurinë”, “ O diell i ri”, “Për Arbërinë”, “Shoqet tona ilegale”, “Shqiponja e lirisë”, “Të lumtur të dua”. etj. Këngët e saj kompozohen nga kompozitorët më të mirë të vendit, ndër të tjerë si Avni Mula, Feim Ibrahimi, Tish Daija, Pjetër Gaci, Ferdinand Deda, Baki Kongoli, Agim Prodani, Agim Krajka, Llazar Morcka, Aleksandër Peci, Abdulla Grimci, Luan Zhegu, Aleksandër Lalo, Tonin Harapi, Naim Krasniqi etj. Autorët e teksteve të këtyre këngëve janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Robert Shvarc, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mark Gurakuqi, Zhuljana Jorganxhi, Gjoke Beci, Adelina Mamaqi, Kudret Isai, Gjergj Zheji, Kol Jakova, Sulejman Mato. I pasur është repertori i Vaçes edhe në interpretimin e këngëve të huaja, ndër të tjera: “Sei stato il primo amore”, “Esperanto”, “Gjinkalla” (ruse), “Na u prish karroca” (rumune), “Gjithë bota je ti” (Greke), “Granada” (spanjolle) e sa e sa të tjera.Kujton këngën e kënduar prej saj “Firence stanotte” në Pallatin e Sportit në Milano, kur mori duartrokitje të stuhishme nga publiku italian, apo në turneun në Norvegji kur i kërkuan të këndojë në gjuhën norvegjeze një këngë të tyre dhe ajo shpalosi talentin e saj që ngjalli emocione të shumta. Vaçja kujton me nostalgji kur ishte në Prishtinë vite më parë dhe megjithëse ka kënduar në shumë salla të botës i ka bërë përshtypje publiku i mrekullueshëm i Kosovës. Përmallohet me këngën “Jetë na dhuruat”, të kënduar nga Naim Krasniqi, me tekst të poetit Ekrem Kryeziu, dedikuar Vaçes në Fest’98, kur ajo ishte ftuar nga organizatorët, si kryetare e Jurisë.
Irma Rodiqi, e bija e Vaçes kujdeset me gjithë dëshirë të fotografojë të ëmën në këtë ditë të shënuar, për t’u përgjigjur kërkesave të shumta të Medias në Zvicër, por edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë. Vaçja buzëqesh dhe është tepër e lumtur. Ashtu siç buzëqesh në këtë fotografi të freskët, që po ju paraqesim, të Vaçes sonë të mirë. Pranë ka edhe mesazhet e shumta të miqve dhe dashamirësve të saj. Kujton me respekt shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili ndër të tjera është shprehur për të:” Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarën e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë. Ajo këngën e zgjoi dhe e bëri një organizëm të gjallë, ku lëvizën e vibruan të gjitha molekulat dhe celulat. Në këtë organizëm ajo nuk la asnjë pjesëz të fjetur dhe të dremitur. Edhe lashtësinë e këngëve popullore e afroi dhe e bëri të sotme dhe moderne. Edhe krijimet e kompozitorëve i pasuroi dhe ua rriti vlerat. Me mjeshtërinë e një këngëtareje të shquar ua rriti dëshirën kompozitorëve për të krijuar këngë dhe ua nxiti zellin në një garë të madhe artistike, ashtu siç hyjnë në garë vrapuesit në një stadium madhështor”.
..Kur e pyetën kritiken Zana Shuteriqi për mendimin e shprehur prej saj që, e konsideron Vaçe Zelën një Edith Piaf të këngës shqiptare, ajo u përgjigj: “Natyrisht, unë kam patur parasysh këngëtaren franceze si vlerë kombëtare që arriti me muzikën e lehtë të vendit të saj. Edhe sot emri i saj përmendet si pikë referimi edhe pse kanë dalë këngëtarë të rinj. Prandaj, duke parë te Vaçe Zela të njëjtën vlerë historike, si fenomen artistik, dhe po atë glorifikim të personalitetit të saj, e kam konsideruar këngëtaren tonë si një Edith Piaf të muzikës shqiptare“. Ndërsa As. Prof. Nexhat A. Agolli që ka bërë një punë të shkëlqyer me monografinë e tij me titull “Vaçe Zela- magjia e këngës shqiptare” ndër të tjera shprehet: “Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret më në zë të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi,e cila pushtoi skenën shqiptare. Fillimisht me këngën popullore dhe, krahas saj, në vazhdimësi, edhe me këngën e muzikës së lehtë. Në të dy këto zhanre muzikore, ajo arriti një kulm që nuk do të shlyhet nga kujtesa artistike. Një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj aq të ngrohtë e të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën, adoleshente dhe në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenithin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e pangjashme me atë të tokës rreth vetes dhe diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufijtë e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të magjishëm”. “Interpretim brilant”, “talent i lindur”, “vokal i shkëlqyer”, “Këngëtare e rrallë”, “mahnitëse” janë disa nga vlerësimet për interpretimin artistik të Vaçe Zelës…Një pasdite ajo hapi letrat e shumta që merr çdo ditë. Janë letra edhe nga njerëz të panjohur që shprehin çiltër ato që ndjejnë kur dëgjojnë akoma këngët e saj të regjistruara. Takimet me njerëzit janë emocionuese, direkte dhe të sinqerta për Vaçen. Një personalitet i tillë shumë i respektuar, flet me modesti për veten, e më tepër flet për të tjerët. Ato shpesh përmbajnë një rrëfim, duke patur parasysh klimën e intimitetit që krijohet nga vetë ajo, besimit, duke i lënë shpesh përgjegjësinë intervistuesit, pa dashur të rishikojë përsëri tekstin që ai ka shkruar. Shpesh, fjalët e Pjetrit dhe Irmës japin mundësi të thellohesh më tepër në personalitetin e pasur dhe kompleks të këngëtares sonë të shquar.
Megjithëse është e rrethuar nga bashkëshorti, e bija dhe të afërm që i vijnë herë pas here, ajo shprehet me mall për vendlindjen. Ka tre vëllezër dhe dy motra që jetojnë në Tiranë. Ajo ka qenë e lidhur shumë me familjen. Ishte më e madhja dhe gjithmonë ka patur dëshirë t’i kishte pranë ata. Dhe ashtu i mbajti deri sa jetoi në Shqipëri…
Jam takuar edhe herë të tjera me Vaçen, Pjetrin dhe Irmën, edhe në veprimtari midis bashkatdhetarësh ku ajo na ka nderuar me pjesëmarrjen e saj. Më kujtohet dita e 9 majit 2009 që do të mbetet në kujtesë të mbi 200 shqiptarëve në Zvicër. Legjenda e muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela erdhi në Nëshatel, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, përkthyesi i talentuar i disa librave të autorëve zviceranë dhe të huaj, për Shqipërinë dhe Kosovën, Pjeter Rodiqi dhe e bija, Irma Rodiqi, ekonomiste e shquar e Institutit të Statistikave në Bazel të Zvicrës dhe poete. Po ashtu edhe në Gjenevë, ku për nder të saj u shfaq edhe një dokumentar i bukur. Aty ishte edhe këngëtarja e shquar nga Kosova, Nexhmije Pagarusha. Vaçja dukej se e kishte mposhtur sëmundjen që e shoqëron prej vitesh. Ishte hera e parë qe Vaçe Zela, “Artiste e Popullit” dhe “Nder i Kombit”, me gjithë gjendjen e saj shëndetësore jo të mirë, mori pjesë në dy aktivitete kulturore. Hyrja e saj në sallën e madhe u prit me ovacione, që vazhduan më tepër se 20 minuta, shoqëruar me tingujt e këngëve të paharruara të perlës së muzikës shqiptare. E emocionuar, artistja jonë e shquar, por tepër modeste dhe fisnike, pranoi të dalë në fotografi, si kujtim i bukur i kësaj mbrëmje të veçantë, me të gjithë pjesëmarrësit. Tepër e emocionuar, ajo shprehu kënaqësinë e saj me fjalët “sot ju më shtuat jetën time, me një dekadë dhe nuk do ta harroj kurrë këtë pritje madhështore”. “Ju dhe të gjithë bashkëkombësit e mi, më keni frymëzuar që të këndoj dhe të jap një ndihmesë modeste për këngën në gjuhën shqipe, së bashku me të gjithë atë armatë këngëtarësh të suksesshëm, që po japin një kontribut të madh për te gëzuar shqiptarët, si dhe për të çuar se bashku me tej, demokracinë e vendosur ne Shqipëri”, pohoi këngëtarja e madhe. Me një modesti te shquar, diva që mbushi 70 vjet ato ditë të prillit 2009, shtoi se ndoshta nuk e meritonte nderin e madh, duke e cilësuar si “Personalitet te vitit 2009” nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe duke marrë njëkohësisht kënaqësinë e gjithë atyre telefonatave nga Shqipëria, apo Kosova.
Me atë rast, unë realizova një intervistë me Vaçen tonë mbarëkombëtare, ku ndër të tjera më tha: “7 prilli ka qenë një ditë e veçantë. E kam të vështirë t’jua përshkruaj emocionet e asaj dite. Kam marrë telefonata të pafundme, të cilat kanë filluar në orën 07:00 të mëngjesit dhe kanë përfunduar rreth mesit të natës. Më kanë marrë të njohur dhe të panjohur në telefon. Më ka prekur shumë edhe telefonata e një shkolle fillore. Ata zëra fëmijësh që më uronin të gjithë në kor ditëlindjen. Po jo vetëm telefonatat; nuk pushonte së rëni edhe zilja e derës. Korrierë njeri pas tjetrit, që sillnin buqeta me lule. Nuk di t’u them sa buqeta më kanë ardhur nga Shqipëria, një buqetë me 70 trëndafila nga Franca, të tjera nga Italia, Austria dhe mjaft vende të tjera. Ka qenë një ditë e paharruar. Natyrisht edhe shpallja “Personalitet i Vitit” ishte një nder i rrallë për mua. Të gjitha këto unë kam fatin e madh t’i përjetoj për së gjalli, prandaj dhe i jam aq mirënjohëse atij vendi, që më rriti, më bëri atë që jam dhe që mbi të gjitha më nderon edhe sot, megjithëse mungoj prej gati një çerek shekulli nga skena shqiptare. Këtë gjë di ta bëj vetëm populli ynë i mrekullueshëm. Isha vetëm nëntë vjeçe kur fillova të këndoj për herë të parë dhe më hipën në një karrige, më veshën një fustan nuseje. E vetmja gjë që nuk gjetën dot ishin një palë këpucë, kështu që herën e parë kam kënduar zbathur. Por nuk u kuptua, sepse i leva këmbët me shkumës. Edhe sot qesh, kur më kujtohet ajo ditë”.
Kur e pyes se si e zgjodhi profesionin e saj si këngëtare, ajo më përgjigjet me thjeshtësinë që e karakterizon: “Në mënyrën më të natyrshme. Ajo ishte gjëja që mund të bëja më mirë se gjithçka tjetër. Në fakt unë rrjedh nga një familje që e ka dashur shumë këngën. Nëna ime ka pasur zë të bukur, kështu që edhe unë jam rritur me dashurinë për këngën. Megjithatë, prindërit donin që unë të mësoja diçka tjetër, sepse kënga nuk u dukej zanat.
Kur e pyes Vaçen se a ka ndonjë kujtim të bukur nga jeta teatrale, pasi shkollën e lartë e ka mbaruar për teatër, ajo më thekson: “Unë kam luajtur vetëm në një pjesë teatrale. Në fakt unë kisha vetëm një qëllim, të bëhesha këngëtare e zonja. Por meqenëse u zhgënjeva njëherë, sepse nuk më pranuan në Liceun Artistik, duke më quajtur të paaftë dhe doja me çdo kusht të studioja, mendova se Shkolla e Lartë për Teatër, do të më ndihmonte për të interpretuar më mire këngën. Kam kaluar një jetë të tërë në skenë, rreth 40 vjet. Nuk di t’ju them se cila këngë më pëlqen më shumë, sepse unë kam dashur me shpirt çdo këngë që kam kënduar. Natyrisht kam qenë shumë kërkuese. Jo rrallë i kam munduar kolegët e mi kompozitorë dhe poetë, sepse nuk pranoja të këndoja asnjë frazë, jo më këngë, që nuk më “ngjiste”. Sa net pa gjumë kanë kaluar prej meje, por më pas ma falnin mundin qe u krijoja, sepse bindeshin që kisha pasur të drejtë. Kur kam kënduar për herë të parë në Kosovë në vitin 1979, kanë qenë emocione të rralla, të papërsëritshme. Por kam edhe kujtime të tjera të bukura. Nuk di ç’të përmend më parë. Në Norvegji më dhanë dy orë para koncertit, një këngë norvegjeze për ta kënduar. Mendoni sa e vështirë është të mësosh për dy orë, një këngë në një gjuhë që nuk e njeh. Pasi këndova strofën e parë, për një moment harrova tekstin. Por pa kaluar as një minutë, sikur ta kishin bërë të gjithë me fjalë: 2000 spektatorë ngrihen njëherazi në këmbë dhe vazhdojnë së bashku me mua të këndojnë këngën. Që një emocion aq i madh sa kolegët e mi më vonë, më thoshin që ti bëre enkas sikur harrove fjalët. Një tjetër kujtim i bukur është koncerti në Firence, kur kam kënduar këngën italiane “Firenze stanotte”. Janë disa këngë që lënë gjurmë të thella në publikun vendas, i cili me një lloj fanatizmi ruan interpretimin e këngëtarëve vendas dhe e ka shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të pranojë se një i huaj mund t’i këndojë këngët e tyre më mirë. Unë kam pasur fatin ta përjetoj një gjë të tille. Edhe atje është ngritur i gjithë publiku në këmbë, duke kënduar se bashku me mua”.
Duke parë ato lule shumëngjyrëshe në tarracën e madhe të apartamentit të saj e pyes Vaçen: Sëmundja ju ka ndarë nga skena, i them unë, por jo nga hobi juaj për lulet. A kujdeseni për to?
Vaçja duke buzëqeshur më thotë: “Sa do të doja ta bëja një gjë të tillë, por për shkak të gjendjes sime shëndetësore tani e kam të pamundur. Vajza ime Irma, e cila ka trashëguar edhe ajo pasionin për lulet, kujdeset sot për to. Përpara se të sëmuresha kaloja orë të tëra në bahçe, saqë fqinjët e mi zviceranë më quajnë “zonja me gishtat jeshile” dhe me shaka thonë se ata duhet të paguajnë për atë pamje të bukur, që shohin nga dritaret e tyre. Edhe dyqanet që shesin lule më njohin dhe kur shkoj shitësit, si me shaka më thonë, “Oh zonjë, u bë kohë e gjatë, gati një javë që s’ju kemi parë”.
E pyes: “Vajza juaj, Irma ka zgjedhur ekonominë si profesion. A do të kishit dëshirë që ajo të ishte bërë këngëtare?”.
“Jo, më përgjigjet Vaçja, këtë nuk e kam dashur kurrë. Pastaj, ajo për sa i përket profesionit ka trashëguar më shumë nga i ati, prej të cilit ka pasur edhe prirjen për shkencat ekzakte”. Lidhur me mesazhin që mund të japë për brezat e rinj të këngëtarëve shqiptarë ajo përgjigjet: “E kam të vështirë të luaj rolin e mësueses në distancë, por do t’u lutesha që të ruajnë me çdo kusht identitetin kombëtar, që është gjëja më e vyer që kemi”.
A keni dëshirë të ktheheni ndonjëherë në qytetin tuaj të lindjes dhe në përgjithësi në Shqipëri?
– Oh, kjo është një pyetje që më mirë mos të ma kishit bërë, sepse më mbush me trishtim. Kjo është ëndrra ime më e madhe. Do të doja me gjithë shpirt të shkelja edhe njëherë rrugicën ku kam lindur dhe kam kënduar për herë të parë. Të shoh se si ka ndryshuar Tirana, ku kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime. Lus Zotin çdo ditë, që të ma realizojë këtë dëshirë, sepse Shqipëria për mua ka qenë dhe mbetet vendi që më ka falur emocione të jashtëzakonshme, që më ka bërë të ndjehem njeriu më i lumtur në botë. Prandaj, ua them me gjithë shpirt; jam aq krenare që jam shqiptare, se ai vend më mungon më shumë se gjithçka tjetër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here