Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur mbrëmjen e sotme në lagjen “Bahçallëk” të Shkodrës, ndërsa policia është përqendruar në pistën e një sherri të momentit por nuk përjashtohet as vrasja për motive hakmarrjeje.
Enver Barbullushi 52 vjeç dhe Samet Barbullushi, 25 vjeç babë e bir si dhe Nezi Shega, 46 vjeç një mik i tyre kanë qenë të ulur në të njëjtën tavolinë të një lokali pranë një karburanti, ku 4 persona të identifikuar nga policia kanë hyrë dhe kanë qëlluar drejt tyre.
Për pasojë ka humbur jetën Enver Barbullushi, ndërsa djali i tij Samet Barbullushi dhe shtetasi tjetër Nezi Shega kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spitalin e Shkodrës në gjendje të rëndë të rëndë shëndetësore.
Sipas informacioneve, djali i viktimës i është lutur autorëve “aman mos na gjuani”.
Policia ka mbërritur në vendngjarje ku ka identifikuar edhe makinën tip Golf të vrasësve të cilët janë larguar menjëherë pas krimit. Gjithashtu është sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov. Makina e autorëve të vrasjes, është gjetur e braktisur dhe e djegur pranë fshatit Mali i Hebajve në komunën e Berdicës vetëm 3 km nga vendi i krimit. Autorët i kishin hequr pjesën e shasisë automjetit, cka hedh dyshime se krimi ka qenë i paramenduar. Edhe pse grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje, gjetja e provave ka qënë e pamundur pasi zjarri ka shkrumbuar gjithcka.
Fillimisht policia ka dyshuar se shkak i ngjarjes mund të ketë qënë pista e gjakmarrjes duke dyshuar se objektiv I kësaj ngjarjeje të rëndë të ketë qënë Barbullushi megjithate dëshmitarë në vendngjarje bëjnë të ditur se viktima ka patur një konflikt perpara krimit me disa përsona të tjerë të cilët janë larguar menjherë nga klubi dhe dyshohet se janë rikthyer për të ekzekutuar përsonat me të cilët janë konfliktuar.
Policia e Shkodrës nuk i bën të ditur emrat e 4 autorëve të dyshuar për vrasjen dhe plagosjen e dy personave për arsye të hetimit.
Sakaq, policia ka konfiskuar kamerat e sigurisë së karburantit ku gjendej lokali.
Njoftimi paraprak i Policisë
Ora 21:50
Më datën 06. 05. 2014, në orën 20.50, në vendin e quajtur Lagjja “Bahcallëk”, e qytetit Shkodër nga persona akoma të paidentifikuar janë qëlluar me armë zjarri, duke marrë plagë të rënda shtetasit :
Enver Barbullushi, vjec 52, banues në Shkodër
Samet Enver Barbullushi, vjec 25, banues në Shkodër
Nezir Shega, vjec 46, banues në Shkodër.
Si pasojë e plagëve të marra shtetasi Enver Barbullushi ka ndërruar jëtë në Spitalin Rajonal Shkodër. Dy shtetasit e tjerë janë plagosur dhe po marrin ndihmën e parë nga mjekët në spital ku ndodhen jashtë rreikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëhërë shërbime të shumata të policisë të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në akset rrugore janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohet kontroll në disa banesa dhe ambiente nga shërbime të DPQ Shkodër, Komisariatit Policisë Shkodër dhe Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë. Po punohet intesivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.