Home Aktualitet 21 Janari: Komisioni hetimor merr sot ne pyetje Ina Ramen dhe kreun...

21 Janari: Komisioni hetimor merr sot ne pyetje Ina Ramen dhe kreun e Shish

531
0

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit Bahri Shaqiri do të dëshmojnë sot para komisionit hetimor parlamentar për veprimtarinë e institucioneve të tyre para, gjatë dhe pas trazirave të 21 janarit.

Komisioni hetimor i ngritur vetëm me votat e mazhorancës zhvilloi dje një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Gjatë fjalës së tij ministri konfirmoi se policia e shtetit nuk do të garantojë mbarëvajtjen e tubimeve të së premtes të paralajmëruar nga opozita në Tiranë, Korcë, Vlorë dhe Lezhë. Ministri Basha pretendoi se këto tubime rrezikojnë sigurinë kombëtare pasi sipas tij në rrugë operative ka të dhëna se ai do të shndërrohet në një zinxhir dhune. Basha tha se tentativa për të marrë pushtetin me dhunë më 21 janar u organizua nga PS e lideri i saj Rama, duke përdorur njerëz të paguar. Duke reaguar për urdhërndalimet e gardistëve tha se “ishin shkatërruese” dhe “do demoralizoheshin ata që mbrojtën shtetin ligjor.”

Në dëshminë e tij dhënë komisionit hetimor më 31 janar kryeministri Berisha deklaroi se organizatorët e grushtit të shtetit, Rama, Ruci e Gjinushi drejtonin “banditët që sulmuan për 5 orë kryeministrinë me anë të telefonit”, prandaj sic tha ai, “Kërkimi i tabulateve ka tronditur pucistët”. Gjithashtu ai sulmoi prokuroren e Përgjithshme dhe Presidentin e Republikës.

DESHMIA E BASHES: PS PAGOI KRIMINELE PER GRUSHT SHTETIN
ORA 18:14- Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka nisur dëshminë e tij në komisionin hetimor parlamentar të mazhorancës sot rreth orës 17:40. Ngjarjet e 21 Janarit Basha i cilësoi si grusht shteti dhe si tentativë për të marrë pushtetin me dhunë nga persona të paguar.

“Qëllimi parësor ishte marrja me forcë e selisë së këshillit të ministrave pas nxjerrjes jashtë loje të forcave të rendit dhe atyre të gardës. Si ministër i Brendshëm kam bërë thirrje për distancimin e PS nga kontigjenti kriminal, të gjithë kujtojmë situatën e krijaur me protestat e vazhdueshme në maj. Në kundërshtim me këtë thirrje ngjarjet duket se kanë ecur në krah të kundërt. Kontigjenti i përdorur nga PS ishte jo vetëm kriminal por edhe pa lidhje organike me PS. Pas ndalimit të personave nga policia i janë gjetur lekë në xhep, prerje ne euro. Grupi që sulmoi ishte i paguar”,- u shpreh Basha gjatë fjalës së tij.

Sipas ministrit të Brendshëm urdhër ndalimi i 6 gardistëve ishte i dëmshëm dhe demoralizonte të gjithë strukturat që në 21 Janar mbrojtën shtetin ligjor. Basha tha më tej se, ra dakort më kryeprokuroren që gardistët të pyetishin por jo të ndaloheshin.

“Urdhër-ndalimet ishin për komandantët e gardës për të gjithë zinxhirin komandues. Duke u ndodhur para një situate të tillë, ku policia kishte përballuar një sulm, nuk mund të mos shprehja habinë. Eleminimi i komandës së gardës do të thotë demoralizim i plotë i të gjitha efektivave. Ky ishte mesazh shkatërrimitar, jo vetëm për ata që na mbrojtën. Armët e përdorur nga garda ishin në dispozicion të prokurorisë. Rashë dakort me kryeprokuroren që gardistët të pyetishin po jo të ndaloheshin.

Basha deklaron më tej se për këtë cështje ka informuar edhe diplomatët, si dhe ka kërkuar një takim me presidentin Topi.

NESER SEANCA DEGJIMORE ME TOPIN
Në datën 3 shkurt ora 17:30 komisioni hetimor ka thirrur për të dëshmuar Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Nuk dihet ende nëse presidenti do të marrë pjesë në komision. “Gazeta Shqiptare”, shkruante dje, duke iu referuar zyrtarisht burimeve nga presidenca, se presidenti “ka vendosur të refuzojë kërkesën për t’u paraqitur në një seancë dëgjimore para komisionit.

Në datën 4 shkurt, 17:00 ora 17:00 me Drejtorin e Policisë, Hysni Burgaj. Më 4 shkurt, ora 18:00 me Komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.
Seancat dëgjimore përfundojnë në datën 5 shkurt me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Komisioni Hetimor ka kërkuar që të administrohen tabulatet e telefonave për gazetarët Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakulli, Mero Baze si dhe për prokurorët Olsi Çela dhe Shkëlqim Hajdari”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here