“Në kushtet kur ka një çështje në hetim nuk mund t’i përgjigjem pyetjeve”. Kështu u shpreh kryeprokurorja Ina Rama ndërsa ishte thirur të dëshmonte në komisionin hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit.
Në pak minuta kryeprokurorja Ina Rama kaloi gjithë dispozitat ligjore që rregullojnë pozicionin e saj në raport më Kuvendin, si dhe dëshmoi se Prokururoia është duke kryer hetimet e saj, në mënyrë objektive dhe profesionale.
“Për shkak të pasjes se një çështje në hetim, në bazë të ligjit nuk mund t’i përgjigjem pyetjeve tuaja për hetim” – u shpreh kryeprokurorja pas insistimit të kreut të komisionit hetimor Eduard Halimi për dhënie informacioni për ngjarjet e 21 janarit
Ndërsa Prokurorja e përgjithshme Ina Rama refuzoi pyetjet e anëtarëve të komisionit dhe u largua nga salla, kryetari Eduard Halimi tha se “Do ta marr këtë veprim si mungesë e bashkëpunimit tuaj me komisionin parlamentar. Do ta shohim si mungesë respekti ndaj organit më të lartë kushtetues, që është Parlamenti”
Ndërkohë largimin e saj deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj tha se do ta konceptonte si një refuzim flagrant ndaj një institucioni kushtetues
Komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit me heret shtyy seancën dëgjimore parashikuar për sot në orën 17:00 me kreun e SHISH Bahri Shaqiri.
“Seanca dëgjimore e datës 2 Shkurt 2011, ora 17:00, me Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, për arsye teknike do të shtyhet për një ditë tjetër, e cila do të bëhet e ditur në ditët në vijim” – thuhet në njoftimin publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.
***
Në orët e vona të natës së mbrëmshme, burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të pyetur në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshme z.Lulëzim Basha, se prokuroria predhat e nxjerra nga trupi i viktimave i ka futur në xhep pa kryer veprimet procedurale, hedhin poshtë duke i cilësuar trillime.
“Absolutisht nuk është e vërtetë. Grupi hetimor, gjatë veprimeve të këqyrjes dhe marrjes së provës materiale, ka kryer të gjitha procedurat ligjore që përcaktohen nga ligji. Këqyrja dhe ekspertimin e trupave të tre të vrarëve është kryer nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore ku të pranishëm kanë qenë hetues dhe prokuror të çështjes. Kanë qenë ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që kanë bërë këqyrjen e trupave të viktimave, të shoqëruar me procesverbalin përkatës me shkrim, zë dhe figurë e foto.
Çka do të thotë që kanë qenë ekspertët e Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë bërë filmimin e ekspertimit të trupave të viktimave. Predhat e nxjerra nga trupat, janë përshkruar në procesverbale me shkrim dhe shoqëruar me zë e pamje filmike që më pas janë administruar në qese plastike për të vazhduar këqyrjen e tyre me mikroskop. Pas kryerjes së të gjitha këtyre procedurave, gjithmonë duke bërë përshkrimin e punës në procesverbal, janë fiksuar të dhënat dhe më pas janë administruar në zarf përkatëse, ku edhe janë administruar si prova materiale të procesit hetimor të ngjarjes së 21 janarit”-thuhet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, duke i cilësuar pretendimet e ministrit si “fantazi filmash”.
******************
TIRANE- I dyti i cili është thirrur për të dëshmuar në komisionin hetimor parlamentar është ministri i Brendshëm Lulzim Basha i cili ashtu si dhe kryeministri Sali Berisha i quajti ngjarjet e 21 janarit grusht shteti. Ministri Basha në dëshminë e tij tha se nga informacionet e mbledhura nga policia rezulton se nga persona me pozita të veçanta është thënë se me 21 janar do të djegim Këshillin e Ministrave dhe do të marrim Kryeministrinë.
Nga persona politik të niveleve të larta, tha Basha, ka patur thirrje për tu ngritur mbi rendin kushtetues.
“Të gjithë skenarët konvergonin në një pikë të vetme, provokimin e forcave të rendit. Qëllimi parësor ishte marrja me forcë e selisë së Këshillit të Ministrave, nxjerrjen jashtë lojë të efektivave të rendit dhe gardës. Objektivi i dytë, ishte shkaktimi i paramendueshëm i viktimave, me qëllim shkaktimin në vend të një gjendje anarkia, shkarkimin e qeverisë, zëvendësimin me një tjetër deri tek zgjedhjet e parakohshme” – tha Basha.
Ai dëshmoi gjithashtu se ka patur informacione se në këtë demonstratë do të angazhoheshin njerëz me precedentë penal, me ndjekje operative nga policia për trafik droge, vrasje etj. Sipas tij i gjithë kontingjenti i cili u përplas me policinë ditën e protestës rezulton të jetë kriminal.
Pas ndalimit të dhjetra demonstruesve, vazhdoi më tej Basha, u janë gjetur shuma parash, kryesisht në prerje euro. Kjo sipas tij vërteton se grupi që mori pjesë në demonstratë ishin të paguar.
Ministri i Brendshëm theksoi se policia ka kërkuar informacion nga SHISH por nuk është dhënë asnjë i tillë. Ndërkohë lidhur me gjashtë urdhër arrestet e Prokurorisë për drejtuesit e Gardës së Republikës, Basha e cilësoi situatën si të papranueshme
Basha foli për një plan masash të detajuar, hartuar nga policia dhe garda, të cilin ai e quajti “plan që kishte objektiv paqësor”. Plani i është vënë në dispozicion dhe komisionit hetimor parlamentar.
Dëshmia e Bashës vazhdon dhe në këto momente.
***
Kryeministri Sali Berisha dëshmoi dje në komisionin hetimor parlamentar, ndërsa e quajti ngjarjen e 21 janarit grusht shteti, organizuar sipas tij nga trojka Rama – Ruçi – Gjinushi.
“Puçi i 21 janarit ishte një grusht shteti, i organizuar në përputhje me të gjitha rregullat e një akti të tillë të turpshëm i cili u paralajmërua në mënyrën më të përsëritur nga autorët e tij nga Rama, Ruçi dhe Gjinushi. Ishte një grusht shteti i cili u përgatit me frymën e një fondamentalizmi ekstrem duke shfrytëzuar trashëgiminë më të zezë, më negative të Partisë Socialiste” – tha Berisha
Partia Socialiste kurrë nuk ka ardhur në pushtet nëpërmjet votës së lirë, vazhdoi më tej kryeministri.
“PS është e vetmja parti e cila në Kongresin e qershorit ’90, do të sanksionohej si trashigimtare e PPSH. PS në vitin 97 përdori dhunën dhe armët dhe të gjitha mjetet për të ardhur në pushtet. PS nuk bëri kurrë zgjedhje të denja për një vend”- tha kryeministri
Berisha mbrojti forcat e armatosura, ndërsa tha se ata janë një institucion i shkëlqyer, anëtarë i NATO-s.
Puçi, sipas kryeministrit Berisha nuk erdhi si një rrufe në qiell të hapur, sipas tij filloi me montimin, falsifikimin e videos ( Prifti-Meta) nga Rama me ndihmën e një persekutori të regjimit të vjetër.
Kryeministri dhë një serë përkufizimesh nga literatura të ndryshme mbi grushtin e shtetit.
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit, vijoi me etiketimin e radhës si “grusht shteti” të demonstratës së 21 janarit. “Mblidhemi në një kohë kur Edi Rama, dy ministra të diktaturës hoxhiste, Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi, ndërmorën përpjekjen më kriminale, më të turpshme dhe më të paimagjinueshme. Bënë pucin e marrjes së pushtetit me dhunë, sulmuan me një skenar të parapërgatitur qeverinë legjitime të vendit, ku në vend të përfaqësuesve të popullit shqiptar do mund të uleshin banditë, njerëz të hurit e të drurit. Në vend të Bashës – Tom Doshi, në vend të Nishanit – Ngjela”. Sipas Berishës, në këtë mënyrë, “puçistët i kanë bërë vendit një tradhti të rëndë në sytë e mbarë botës. Kjo është një vulë e zezë në imazhin tonë, të cilin me përpjekje do bëjmë çdo gjë që ta kapërcejmë, ta përmirësojmë”. Berisha theksoi se çdo shqiptar po edhe miqtë e Shqipërisë panë tentativën për të përmbysur pushtetin me dhunë, por panë nga ana tjetër forcën e jashtëzakonshme të ligjit e të institucioneve shqiptare, panë se e drejta e qytetarëve shqiptarë për të protestuar u respektua plotësisht.
Ai vijoi mbrojtjen e Gardës dhe forcave të policisë në lidhje me demonstratën e opozitës, duke thënë se “përpjekja për të pushtuar institucionet e shtetit mori kundërpërgjigjen më të fuqishme. Policia dhe garda u dëshmuan shqiptarëve pathyeshmërinë e tyre në mbrojtje të institucioneve të vendit”.