I dërguari i BE-së Miroslav Lajçak në takimin e sotëm me presidentin Bamir Topi bëri thirrje për respektim të institucioneve kushtetuese dhe për gjetjen sa më shpejt të dialogut mes partive politike. Lajçak i tha presidentit Topi se “pavarësisht sukseseve të mëdha të arritura si: anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe përparimi, në rrugëtimin integrues për në familjen evropiane” ky moment që po kalon Shqipëria është vendimtarë dhe po pengon procesin e mëtejshëm të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian”
Nga ana e tij presidenti Topi e quajti misionin e Lajçak si “një mision jetik për Shqipërinë”. Presidenti Topi ritheksoi qëndrimin institucional se dialogu konstruktiv, i maturuar dhe me tone të qeta mes palëve është rruga e vetme e domosdoshme drejt zgjidhjes së krizës politike dhe garanti i stabilitetit dhe i funksionimit të drejtë të shtetit ligjor dhe institucioneve, në frymën dhe sipas standardeve demokratike.
“Kryetari i Shtetit vuri në dukje se klasa politike shqiptare në këto momente duhet të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë, demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare në realizim të projekteve dhe të ardhmes sonë evropiane”
Gjatë takimit të dy baashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë “e zhvillimit të një hetimi tërësor, profesional, transparent e të paanshëm të ngjarjeve të 21 janarit” që sipas tyre duhet të shoqërohet njëkohësisht edhe me rivendosjen e menjëhershme të dialogut politik institucional si dhe respektimin e institucioneve të pavarura kushtetuese.
I dërguari i BE-së Miroslav Lajçak ka mbërritur sot në Tiranë në vizitën e tij të dytë brenda pak ditësh, si ndërmjrtësues për rivendosjen e dialogut mes partive politike në vend. Rreth një orë më parë Lajçak është takuar më presidentin Bamir Topi.
Në këto momente Miroslav Lajçak është në takim me kryeministrin Sali Berisha e menjëherë më pas rreth orës 16:30 ndërmjetësuesi i BE-së do të takohet me liderin e opozitës Edi Rama.
***
Ne viziten e tij te pare, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak fillimisht u shprehu ngushëllimet familjeve që humbën njerëzit e tyre në demonstratën e 21 janarit. Më tej, ai theksoi mesazhin e qartë që i drejtohet popullit shqiptar. “Ne jemi me ju, duam që Shqipëria të ketë një perspektivë të qartë evropiane. Duam të shohim ulje të dhunës. Nuk është mënyra evropiane e të zgjidhurit të çështjeve politike ajo që pamë të premten”.
Lajcak përmendi takimet e tij me udhëheqësit kryesorë, gjatë të cilave shprehu shqetësimin e BE-së në lidhje me situatën. “Theksova nevojën për qetësi. U kujtova përfaqësuesve politikë përgjegjësinë e tyre. Ne kërkojmë shmangien e veprimeve që mund të çojnë në konfrontime të tjera”. Lajcak shprehu në emër të BE-së se “ne duam kthimin e Shqipërisë në rrugën evropiane. E bëra të qartë se e ardhmja e Shqipërisë varet nga ajo që ne u kërkojmë udhëheqësve tuaj të bëhet dhe të bëhet tani. Është në dorën e politikanëve tuaj të bëjnë lëvizjen e duhur në drejtimin e duhur. Ata e dinë me saktësi se ç’duhet të bëjnë”, nënvizoi ai në mbyllje të konferencës për shtyp