Home Aktualitet Demonstratat e opozitës, marshime në Tiranë, Vlorë, Korçë dhe Lezhë

Demonstratat e opozitës, marshime në Tiranë, Vlorë, Korçë dhe Lezhë

686
0

Demonstrata e opozitës u zhvillua sot në katër qytete: Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Lezhë

15:30 – Tiranë
Ka përfunduar edhe në kryeqytet në mënyrë paqësore marshimi i organizuar nga opozita. Pas marshimit të pjesmarrësve nga disa rrugë të kryeqytetit ku me ta u bashkua edhe lideri socialist Edi Rama dhe deputetë të PS, shpërndarja është bërë në mënyrë krejt paqësore.

15:20 – Vlorë
Përmbyllet demonstrata edhe në qytetin e Vlorës. Gazetarja Anila Peçi raporton se qytetarët kanë lëvizur deri në hyrje të qytetit dhe tek zona e ish-fabrikës së tullave janë ndalur. Deputeti socialist Eltar Deda i ka bërë thirrje demonstruesve që të shpërndahen në mënyrë paqësore. Ai ka falënderuar personat e mbledhur, ndërkohë që turma në këtë moment ka nisur me thirrjet: “O Sali, o kusar, ti që vrare tre shqiptarë”. Pas shpëndarjes së njerëzve janë prononcuar Bashkim Fino, Pirro Lutaj, Eltar Deda dhe Erjon Braçe. Ata janë shprehur se janë të vendosur për të vazhduar demonstratat në të gjitha sheshet e vendit për t’i thënë Saliut “Ik!”. Nuk ka pasur asnjë incident.

15:07 – Lezhë
Përfundon demonstrata paqësore edhe në Lezhë. Gazetarja Linditaj Kokaj raporton se “Sapo ka përfunduar demonstrata. Demonstruesit nuk hynë në sheshin administrativ. Deputeti Gjok Jaku falënderoi gjithë protestuesit për qytetarinë e treguar në demonstratën paqësore, por edhe policinë e qarkut Lezhë për gatishmërinë dhe theksoi se protestat do të vazhdojnë deri me largimin e kësaj qeverisje. Ndërsa Ilir Beqja, deputet i Shkodrës, tha se e vetmja zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshme. Ai u shpreh se nuk është opozita, por vetë qeveria që po krijon puç shteti”. Sipas Beqjas, protesta të tilla do të vijojnë në qytete të tjera, për t’u përmbyllur sipas një programi në Tiranë. Protestuesit janë shpërndarë në mënyrë paqësore. Nuk ka pasur asnjë incident. Ndërkohë drejtoria e policisë së Lezhës ka falënderuar demonstruesit, si dhe gazetarët për korrektësinë në raportim.

15:01 – Korçë
Përfundon demonstrata paqësore në qytetin e Korçës. Pas kryerjes së itinerarit të parashikuar, demonstruesit janë shpërndarë. Të ardhurit nga rrethet u janë drejtuar autobusëve, fugonëve e mjeteve privat për t’u larguar për në banesat e tyre. Asnjë incident nuk u shënua përgjatë kësaj kohe.

14:54 – Tiranë
Turma që ndodhej në Piacë është bashkuar me pjesën që erdhi nga stadiumi Dinamo, te Muzeu Kombëtar. Në krye të turmës që po vazhdon drejt Zogut të Zi ndodhet kreu socialist Edi Rama.

14:48 – Vlorë
Gazetarja Peçi raporton për situatën në Vlorë: “Nuk i duket fundi turmës së njerëzve. Në krye vijojnë të rinjtë të cilët kanë dalë me kërkesën për zgjedhje të parakohshme. “Ne jemi të gjithë puçistë! Poshtë qeveria! Lsi+qeveri = varfëri” janë disa nga pankartat që mbahen prej tyre. Turma ka brohoritur me thirrjet “O Sali, o hajdut, o Sali, o legen!” Kanë qenë të rinjtë që kanë folur gjithë kohës. Është vetëm një makinë policie që i paraprin turmës. Nuk ka asnjë incident. Ka shumë policë civilë nëpër turmë. Fillimi i turmës ka shkuar afërsisht te Sahati i qytetit. Në krye të rinj dhe flamuj. Ndodhen edhe deputetja Ermelinda Meksi, si dhe Erjon Braçe. Njerëzit kanë hedhur parulla gjatë gjithë kohës. Turma po i drejtohet hyrjes së qytetit. Ndoshta do të ndalen te fabrika e tullave. Ka njerëz me shirita të kuq në duar të vënë nga opozita për të mos u bërë asnjë incident. Ka pasur pak dyqane të mbyllura, por jeta ka vazhduar. Një person në radhë të parë që mban foton e njërit prej të vdekurve e pikërisht atij të Fierit, Faik Myrtaj

14:29 – Korçë
Gazetarja Bardha Nergjoni raporton se në Korçë ka vijuar marshimi paqësor i demonstruesve. Me pankarta në duar ata kanë ecur përgjatë rrugës kryesore të qytetit. Demonstruesit janë nisur nga stadiumi “Skënderbej”, te bulevardi “Republika”, qëndruan te Prefektura, duke hedhur edhe parulla kundër qeverisë, si dhe në bulevardin “Gjergj Kastrioti”. Pika e fundit do të jetë te teatri, ku do të bëhet më pas edhe shpërndarja e turmës. Bëhet fjalë për mijëra qytetarë, pasi në të janë bashkuar demonstrues nga Elbasani, Librazhdi, Pogradeci e rrethina të Korçës. Policia po monitoron gjatë gjithë kohës situatën. Policët kanë ardhur edhe nga rrethet pranë Korçës, ndërsa ka edhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë. Nergjoni raporton se rruga ka qenë e zbrazët totalisht…

14:23 – Lezhë
Gazetarja Kokaj raporton se numri i konfirmuar në Lezhë është rreth 6 000 protestues. Që në fillim të takimit deputeti Kadeli u ka bërë apel të gjithë demonstruesve të zbatojnë të gjitha rregullat e vendosura për një demonstratë paqësore. Janë përcaktuar edhe kornizat, demonstruesit do të ecin vetëm në rrugë dhe jo në trotuar në mënyrë që të mos përzihen me kalimtarët dhe të krijojnë incidente. Ndërkohë është lexuar edhe një thirrje ku thuhet se “ky pushtet që në mes të Evropës guxon të vrasë e plagosë protestues të pafajshëm, sot po përpiqet me të gjitha fuqitë që ta kthejë Shqipërinë në një mbretëri ku sundon Saliu dhe Iliri”. Po vijon normalisht. Policia po mban në mbikëqyrje gjithçka.

13:58 – Vlorë
Gazetarja e Vlorës, Anila Peçi, raporton se në këtë qytet ndodhen deputetët socialistë Gramoz Ruçi, Arta Dade, Petro Koçi, si dhe deputetët e Vlorës, Eltar Deda, Fatmir Toçi, Luiza Xhuvani, Ethem Ruka. Të gjithë po organizohen për të marshuar. Nisja ka filluar nga Pallati i Sportit të qytetit. Në radhë të parë janë të rinjtë, ndërsa në radhë të dytë ndodhen deputetët, si dhe krerët e PS-së së rretheve. Mësohet se do të kenë një ndalesë te stadiumi. Rruga kryesore është bllokuar, megjithëse marshuesit po mundohen të ecin pa bllokuar trafikun. Në krye të demonstruesve ndodhet një makinë ku të rinjtë bëjnë thirrje: “Sot më shumë se kurrë të bashkohemi”.

13:55 – Tiranë
Fillon marshimi që nga Zogu i Zi ku ndodhen njerëzit e mbërritur nga Durrësi. Me ta ka dhe njerëz të njësisë bashkiake nr. 11. Këta persona do të kalojnë në stacionin e trenit, ku do të bashkohen me të tjerë njerëz. Më pas do të vijohet për në muzeun historik ku do të ketë një grupim tjetër njerëzish

13:37 – Lezhë
Gazetarja Lindita Kokaj raporton nga Lezha se “ka nisur grumbullimi në afërsi të varrezave të dëshmorëve. Kanë mbërritur demonstrues nga Kukësi dhe Mirditë, deputetët dhe kryetarët e partive. Janë duke mbërritur demonstruesit nga Shkodra. Në bazë të burimeve nga PS-ja e Lezhës, priten rreth 10 mijë demonstrues. Demonstrata do të udhëhiqet nga deputetët dhe kryetarët e PS-së së qarqeve. Është vënë në dispozicion të medieve një automjet që të mund të filmojnë nga lart.
Policia që në 9 të mëngjesit ka filluar marrjen e masave për të gjitha institucionet shtetërore të Lezhës. Është boshatisur rreth drekës shëtitorja kryesore dhe sipas burimeve nga policia dhe PS pritet që të jetë demonstratë e qetë dhe paqësore. Hidhen poshtë zërat për probleme. Ka disa dyqane të mbyllura. Njerëzit kanë dalë nëpër pallate. Marshimi nga lagjja “Gurra”, duke përshkruar bulevardin “Gjergj Fishta”, ndërsa ndalesa “Gjergj Kastrioti”, te administrata shtetërore. Po shpërndahen pankarta, flamuj…

13:15 – Vlorë
Gazetarja Peçi raporton se deri tani nuk ka grumbullime. Ka vetëm policë qarkullimi. Do të bllokohet rruga kryesore. Itinerari nga Pallati i Sportit deri në Sheshin e Flamurit dhe pritet që të zgjasë vetëm 50 minuta.

13:00 – Tiranë
Policia Rrugore ka filluar përgatitjet për të mos pasur probleme, sidomos me trafikun, i cili ka nisur të rëndohet pas mesditës.

12:00 – Elbasan
Gazetarja Bardha Nergjoni raporton se rreth dhjetë autobusë me demonstrues janë nisur nga Elbasani rreth orës 10:00 – 10:15. Shumica e njerëzve për shkak të largësisë mësohet që të jenë nisur me furgonë drejt Korçës ku edhe do të mblidhen.

***
Zhvillohen sot demonstratat e Opozitës së Bashkuar në katër prej qyteteve kryesore të vendit. Prej disa ditësh, në të gjithë vendin janë shpërndarë drejtuesit dhe deputetët e PS-së, të cilët janë marrë me përgatitjen dhe organizimin e demonstratave në qytete. Demonstrata nuk do të fokusohet në kryeqytet, por edhe në tre qytete të tjera.
Në të katër qytetet do të jenë të pranishëm dhe banorë të zonave përreth, që do të mblidhen në hyrje të qyteteve ku do të organizohen marshimet, për t’iu drejtuar më pas qendrës së çdo qyteti.
Korrespondentja e “Shekulli”-t Anila Peçi raporton se marshimi i njerëzve do të zgjasë rreth 50 minuta nga Pallati i Sportit deri në Sheshin e Flamurit. Peçi raporton se Policia Rrugore po largon gjithë automjetet nga ky aks rrugor.

Krahas drejtuesve të lartë të Opozitës së Bashkuar, në krye të protestave do të jenë dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, si dhe deputetët e çdo zone. Deputetët kanë punuar prej disa ditësh në zonat e tyre që të marrin përkrahjen e banorëve për aksionin politik të opozitës. Secili qytet i Shqipërisë do të mbledhë qytetarë edhe nga zonat përreth. I gjithë veriu do të mblidhet në qytetin e Lezhës. Në Tiranë do të përqendrohen demonstrues së Shqipërisë së Mesme. Ndërsa në qytetin e Korçës do të jenë pjesë edhe banorë të ardhur nga zona e Juglindjes. Po kështu, në qytetin e Vlorës do të jenë pjesëmarrës qytetarë nga Jugu i Shqipërisë.
Demonstratat do të zhvillohen orën 14:00.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here