Zoti President, Bamir Topi si President i Shqipërisë, e ka para vetes një President, i cili ka ambicie të integrohet në Evropë dhe e ka këtë ambiguitet brenda vetes, e do edhe Evropën, edhe Kosovën. Por, këtë e kërkon përmes një marrëveshjeje historike shqiptaro-serbe. Për Presidentin e Shqipërisë, çfarë do të thotë, si zbërthehet termi ose ky togfjalësh ‘marrëveshja historike shqiptaro-serbe’, apo ju nuk e keni fare në axhendë këtë?
Unë sigurisht e di që shqiptarët sot për shkak të një fati të caktuar historik, sot jetojnë në Shqipëri, jetojnë në Kosovë, jetojnë në Maqedoni, jetojnë në Mal të Zi. Pra, në kontekstin e një marrëveshjeje të shprehur nga zoti Tadiç, ‘marrëveshje shqiptaro-serbe’, patjetër që duhet të ketë mbrapa institucionet e vendeve ku janë shqiptarët. Pra, ne kur themi që dëshirojmë të ndërtojmë marrëdhënie të mira, këto padyshim që janë marrëdhënie politike të institucionalizuara. Shtetet tona nuk shkojnë në ambiciet e personazheve, sado të rëndësishëm që të jenë në politikë. Çdo ambicie personale, çdo ambicie që është përfaqësuese e një shoqërie të caktuar, vjen dhe legjitimohet në institucionet e secilit vend. Sot, Shqipëria ka institucionet e saj. Sot, Kosova ka institucionet e saj. Edhe shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e rëndësishme e veprimeve dhe funksionime institucionale që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Dhe shqiptarët në Mal të Zi, ndonëse kanë problemet e tyre, tentojnë që të fitojnë legjitimitetin, në ushtrimin qoftë në pushtet qendror, qoftë në Parlamentin e Malit të Zi, por qoftë edhe në pushtet vendor. Nga kjo pikëpamje, gjërat kanë nevojë të sqarohen dhe unë mendoj që marrëdhëniet më të mira janë vlerësimi i marrëdhënieve politike, institucionale, shtetërore, në secilin vend, pra, aty ku vërtet ekziston dëshira, vullneti politik që këto marrëdhënie të çlirohen nga paragjykime, të vendosen në ekuivalencë të plotë, pavarësisht nëse është Shqipëria apo është Kosova.
Po ta përfundonit postin e Presidentit pas dy vitesh, do të formonit një parti politike, cili do të ishte orientimi juaj, zoti President?
Së pari, dua t’ju korrigjoj sepse më dhatë shumë dy vjet.Ka më pak se dy vjet…Në 2013 janë zgjedhjet politike.Në vitin 2012.Mandati i Presidentit mbaron në fundin e korrikut të vitit 2012. Kam një parim që mundohem të realizoj detyrat e ditës.
Deri në vitin 2012 ju obligojnë detyrat e Presidentit?
Sigurisht dhe do të ishte gabim nëse do të projektohesh pikërisht në funksion të kohës dhe të vendit, një projekt të cilin unë natyrisht nuk e kam. Projekti i vetëm që unë kërkoj ta realizoj me shumë përkushtim është ai, të cilin po mundohem ta përmbush me përputhje të plotë me të gjithë detyrimet që ka Kushtetuta. Ju keni pasur rastin të shikoni sesi herë pas here gazetarët, kolegët tuaj e bëjnë këtë pyetje. Nuk ka qenë e lehtë në punën time që, nga një pozicion i lartë partiak, të vij dhe të akomodohem për të qenë në një pozicion të ekuilibruar. Këtë pozicion nuk e kam mbajtur thjesht për ekzibicion për t’u treguar të tjerëve që, “shiko sa i ekuilibruar jam unë”, por ky vend patjetër që ka nevojë që me partitë politike, të cilat në shumicën e rasteve kanë pozicione ekstremisht të kundërta edhe për gjëra shumë të rëndësishme, por ky vend ka nevojë që të forcojë dhe të konsolidojë institucione të pavaruara. Sigurisht termi institucione të pavarura ka vlerësimin relativ, por çdo ditë, më shumë sesa ky institucion, i cili në një farë mënyrë qëndron midis partive, qëndron mbi partitë dhe është garant, besoj, i fortë i jetës së këtyre institucioneve të pavarura, duke kërkuar edhe nga partitë politike të bëjnë të njëjtën gjë, do të më hiqte çdo lloj shansi që unë të bëja një parashikim të karakterit politik.
Qëndrimi juaj pardje në konferencën për shtyp ishte ndoshta për herë të parë i shprehur publikisht se nuk ndiheni komod që të zgjidheni edhe një herë President me formulat 71 plus ose 70+1?
Jo nuk jam shprehur në këtë mënyrë. Ju e perifrazoni, por unë do jua them se në ç’kontekst është thënë.Unë e kuptova që do të ishte mirë që dhe Presidenti të zgjidhej me votën direkt. Kjo nënkuptohet…Është një element i përmirësuar i standardit të demokracisë. Pra ti themi gjërat hapur. Këtu ka pasur disa ndryshime kushtetuese, që janë realizuar në prillin e vitit 2008 në bashkëpunim midis partive politike dhe asgjë këtu nuk konsiderohet jo legjitime. Është një ndryshim legjitim, sepse ka ardhur mbi bazën e një numri të domosdoshëm kushtetues për të ndryshuar Kushtetutën. Çështja e zgjedhjes së Presidentit nëse do të jetë në opsionin në një mazhorancë të thjeshtë, e cila kuptohet që është politike, apo do të jetë në popull. Unë personalisht, preferoj standardin më të lartë të demokracisë, të zgjedhjes direkt nga populli.
Arsyen? Për arsye se nuk ndiheni komod me këtë 70+1?
Absolutisht, kjo nuk ka të bëjë me mua.
A mendoni që kjo zgjedhje me formulën mazhoritare të thjeshtë ose
A do të konkuronit edhe një herë si President me një formulë, e cila ju ka zgjedhur President herën e kaluar?
Nuk mund të shprehem sot për asgjë, për gjëra që i takojnë një perspektive. Një perspektive, e cila vlerësohet jo thjesht në distancë kohore, sepse ka njerëz vizionarë, të cilët bëjnë parashikime shumë të rëndësishme. Unë dëshiroj të jem shumë i qartë në momentet e vendimmarrjes time. Vërtet vendimmarrja duhet të projektohet në një kohë të arsyeshme, por sa kohë jam në këtë pozicion, të jeni të bindur se nuk do të ketë asnjë lloj shpalosje të një projekti që ka të bëjë me periudhën mbas mbarimit të mandatit tim si President i Republikës.
Çështja e “21 janarit” është ndërkombëtarizuar. Nuk do të hymë në çështje personale këtu brenda partive politike dhe të partive politike brenda jush, por kjo është tashmë edhe çështje ndërkombëtare “21 janari”, tashmë ka prodhuar një krizë, e cila në Shqipëri gati ishte harruar. Ju si President e keni pasur atë qëndrim të ekuilibruar ku njëra palë ju ka thënë që ky qëndrim i ekuilibuar nuk ju takon se je i yni, kurse pala tjetër ju ka thënë ose ka qenë e heshtur për shkak se keni ndërtuar një marrëdhënie të tillë. Lëkura juaj prej Presidenti si është ndierë në këtë situatë kur dikush ju trajton si të tyren dhe tjetra është hezituese t’ju përkrah?
Po them një shprehje të vjetër që ndoshta nuk i shkon elegancës së këtij komunikimi. Është një shprehje e vjetër që thotë “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”! Çështja është se çdo institucion duhet të ketë koshiencën për të qëndruar në pozicionin e tij, mbi bazën e asaj që i ka dhënë Kushtetuta. Kjo është shumë e rëndësishme. Ju e keni vënë re që sa të ndjeshëm ose sa të ndjeshme janë partitë politike në rast se ka dyshime për devijim nga Kushtetuta. Për të tjerët edhe për këtë intitucion që do të thotë që partitë politike, në momentet që zgjidhet Presidenti nuk duhet të shkojnë më me paragjykime për këtë intitucion. Duhet të dinë të respektojnë institucionin. Këtu është çështje e një konsolidimi në funksion të kohës të institucioneve tona. Respekti për institucionin nuk është thjesht respekti për individin. Është respekti për atë që ne kërkojmë të ndërtojmë dhe arti i komunikimit institucional është një art, të cilin e kemi parë të realizohet në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, pra kërkohet civilizim, kërkohet mjaft qytetari, kërkohet elegancë në komunikimin institucional.
Atëherë, dy pyetjet e fundit kanë të bëjnë me zgjedhjet. Shoh që po i afrohemi një orë intervistë. “8 maji” është sfida ndoshta e shqiptarëve ndaj Evropës, ndaj vetvetes pse jo edhe ndaj Ligjit dhe Kushtetuetës. Ju personalisht, duke kontaktuar me ambasadorët ndërkombëtarë, a e keni analizuar ndonjëherë që çfarë e zgjidh problemin shqiptar; zgjedhjet e jashtëzakonshme apo zgjedhje të rregullta dhe “8 maji” a është realisht ballafaqimi i politikave administrative apo i atyre politikave që prej dy vjet e gjysmë jemi mësuar t’i dëgjojmë publikisht?
Unë kam një eksperiencë relativisht të gjatë politike. Kam atë eksperiencën tashmë pas gati katër vitesh në zyrën e Presidentit. Besoj se nuk ka gjuhë më të qartë institucionale apo ligjore apo kushtetuese kur vjen nëpërmjet dekretit të Presidentit. Unë kam dekretuar zgjedhjet e datës 8 maj. Ky ka qenë obligim kushtetues, por edhe moral i Presidentit, i cili jo vetëm ka fiksuar formalisht datën, por ka bërë të gjitha apelet për politikën dhe për qytetarët.
Dy pyetjet e fundit. Të gjitha sondazhet që janë punuar në Shqipëri, Juve ju nxjerrin politikanin më të votuar, më të adhuruar nëse mund të themi. Nuk ka sondazh që ju nuk keni dalë i pari realisht në dëshirat e qytetarëve të Shqipërisë. Tani janë zgjedhjet lokale. Çdo fjali e juaja është ndoshta delikate për arsye se çfarëdo që thoni.
Mos thashë ndonjë gjë gabim në këtë të fundit?! Besoj që ishte ekuivalente.
…për faktin që jeni shumë i votuar në sondazhe, megjithatë një qëndrim i juaji do të ishte i rëndësishëm edhe në këto zgjedhje në Shqipëri sidomos në Tiranë jeni shumë i adhuruar dhe i votuar nga tiranasit. Si do ta përdorë zoti Topi qetësinë e tij në këto zgjedhje dhe kur e do një Tiranë me “Unazë”, një Tiranë me ato afinitete evropiane, si do ta përdorë influencën, ose si s’do ta përdorë influencën në këto zgjedhje?
Do vazhdoj të kërkojë nga qytetarët tashmë që zgjedhjet e 8 majit janë të fiksuara dhe të padiskutuara, në kohën kur partitë politike janë rregjistruar, do ta përdor si një mesazh frekuent që qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje. Do ta përdor për të dhënë mesazhin që këto zgjedhje të jenë korrekte, të administrohen mire, sepse fati i korrektësisë së këtyre zgjedhjeve patjetër do të influencojë edhe për qëndrimin që do të ketë Bashkimi Evropian ndaj Shqipërisë. Do të luftojë natyrisht me të gjithë potencialet e mia që të jap këto mesazhe jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.
Pyetja krejt e fundit, duke u nisuar nga kjo referencë që jeni shumë i votuar në sondazhe. Unë kam qenë i pari gazetar që kam bërë intervistë me ju dy ditë pas zgjedhjeve për President.
Është e vërtetë! Është e vërtetë!
Ndoshta do të kem fatin që do të jem në ditët e fundit të Presidencës ose të mandatit tuaj, që ta kem dhe një intervistë. Cila do të jetë realisht e ardhmja politike e Bamir Topit?
Meqënëse unë nuk s’ju kam vënë asnjë lloj kushti për frekuencën e intervistave, sigurisht jeni i mirëpritur që të realizoni intervistë atëherë kurdo e gjykoni dhe në momentin që unë mund të shprehem, do t’jua jap edhe variantin për perspektivën e karrierës, e cila mund të jetë karrierë politike, mund të jetë jashtë politikës por do jua them në momentin e duhur, sepse tani jam i angazhuar vetëm me detyrimet e mia institucionale si President i Republikës.
Më falni që thashë pyetja e fundit, por keni obligim ndaj atyre votuesve, të cilët realisht ju rendisin shumë lart?
Besoj, se ne në përgjithësi jo vetëm në Shqipëri, ndodh që kur fillon një profesion i ri, dhe unë do ta konsideroja përtej angazhimit tim akademik – një nostalgji tashmë, e cila nuk rikthehet dhe të bëhet reale, – patjetër për të vazhduar një lloj vazhdimësie dhe koherence me interesat, besoj që politika do të jetë profesioni ku unë do të jem i angazhuar.
Marrë me shkurtime nga TV KlanKosova