Home Aktualitet Vrasja e Marijes, gjakësit e ngaterruan me xhaxhanë?

Vrasja e Marijes, gjakësit e ngaterruan me xhaxhanë?

742
0

Në arën ku mbeti e vrarë Marija ndodhet ende një facoletë e bardhë. Askush se ka hequr që prej 14 qeshorit kur plumbat i morën jetën vazjës imcake, dhe gjyshit të saj. E veshur me të zeza, halla, Mria Qukaj, një grua thatine, tregon se pikërisht aty ku i ka rënë facoleta është vrarë Marija.

Nga fshati i largët Kasnec i Malësisë së Dukagjinit grupi i xhirimit i TV A1Report Gazetari Habjon Hasani dhe operatori Ervin Daja sjellin pamjet ekskluzive të vendit ku u vra Maria, por dhe dëshmitë rrënqethëse të momentit si u vra Marija dhe gyshi i saj.

Në arë me Marijen dhe gjyshin e saj punonin dhe 7 anëtarë të tjerë të fisit Qukaj, kur një breshëri plumbash doli nga shkurret vetëm pak metra larg arës, dhe i morën jetën fillimisht Marijes.

“Vrasësit kanë shtënë fillimisht mbi Marijen. Pasi ka parë mbesën e shtrirë në arë, 72 vjeçari Kolë Qukaj ka bërtitur “Marije! Vratë mbesën time mor”. Në këtë moment vrasësit kanë shtënë me breshëri ndaj 72 vjeçarit– i tregojnë familjarët gazetarit Habjon Hasani.

GJAKESIT E NGATEERUAN
Dëshmitarët thonë se ekzekutimi i vajzës ishte më shumë një gabim, pasi gjakësit e ngatërruan atë më djalin e shtëpisë së Qukajve. Disa prej tyre shprehen se ditën e ngjarjes Marije Qukaj kishte veshur një palë pantallona të shkurtra dhe kishte vënë një kapele në kokë.
Pantallonat mendohet se ishin të ngjashme me ato të xhaxhait të saj, Lazrit, i cili ndodhej i ngujuar në shtëpi. Atë ditë Marija flokët e gjatë i kishte mbledhur poshtë kapeles së saj. Këto rrethana  bëjnë disa prej banorëve të besojnë se të shtënat mbi Marijen mund të jenë drejtuar gabimisht nga vrasësit pasi ata mund ta kenë ngatërruar atë me Lazër Qukajn, djalin e Kolë Qukajt, pasi dhe pozicioni i vrasësve ishte prapa viktimave.
xhaxhai vajza
(ne foto majtas  Lazer Qukaj, xhaxhai qe dyshohet se gjaksit e ngaterruan me Marijen)

TRE ANETARET E FISIT PRROJ NE KERKIM
Policia ka shpallur në kërkim tre antarë të fisit Prroj si autorë të dyshuar të masakrës në fshatin Kasnec ku mbeti i vrarë Kolë Qukaj dhe mbesa e tij Marije Qukaj. Por ndonëse në malësitë e egra të Dukagjinit, ligji që bën ligjin është veç Kanuni, duket se mbete ende pezull relata mes dy familjeve në gjak. Banorë të zonës përreth thonë se familja Prroj nuk ka çuar asnjë lajm për të lajmëruar autorësinë e ngjarjes. Kjo sipas tyre mund të vërë në dyshim autorësinë. “Familja Prroj ka pas qenë familje bajraktare në Kasnec dhe ata e njohin mirë dhe si rregull pritet ta respektojnë Kanunin. Deri tani nuk dijmë se kanë çuar ndonjë lajmërim për të njoftuar “borxhin” për vrasjet.
Nëse nuk çojnë lajmërim atëherë mundet që dhe autorësia të mos jetë e tyre”, – na thotë një banor i zonës. Por vrasja e një femre e për më tepër të mitur, përveçse një krim makabër i patolerueshëm për ligjet e shtetit dhe moralin shoqëror, është ndërkohë dhe një akt tërësisht i ndaluar edhe nga kanuni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here