Rreth 50 ish-të përndjekur politikë do të zhvillojnë ditën e sotme një grevë urie 24-orëshe për të protestuar për shpërndarjen e padrejtë të kësteve të dëmshpërblimit për vitet e burgut. Fillimisht është parashikuar një protestë para parlamentit, ku si çdo të enjte zhvillohet seanca plenare, ndërkohë që po para këtij institucioni është vendosur të zhvillohet edhe greva e urisë.
Ajo u paralajmërua dhe 2 javë më parë nga ish-të përndjekurit, të cilët deklaruan se po bëhet një shpërndarje e padrejtë e kësteve nga ana e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ndërkaq, Agim Kollçaku, një prej 50 të përndjekurve që do të marrin pjesë në grevën 24- orëshe tha për “Gazeta Shqiptare” se ky është vetëm hapi i parë, nëse nuk merren në konsideratë kërkesat e tyre për një shpërndarje të drejtë të dëmshpërblimit.
Gjithashtu, ai bëri me dije se pas saj është planifikuar një grevë tjetër urie, e cila do të jetë pa afat. “Ne duam të na japin lekët neve që jemi gjallë, sidomos ne që s’ia kemi parë hairin asnjë leku, që kemi punuar e jemi sfilitur në burg e na kanë lënë pas dore”, u shpreh Kollçaku, ndërsa theksoi se në listat që janë publikuar nga MMSR, një pjesë e përfituesve kanë vdekur tashmë.