Një 18-vjeçare ka rënë në prangat e policisë bashkë me dy shokët e saj për inskenimin e rrëmbimit, duke i kërkuar 400 mijë euro babait të saj, ndryshe do ta paguante me jetën e të bijës.
Arrestimi i tyre ka ardhur pas denoncimit në polici nga babai Laver Çobo i cili ka kërkuar ndihmën e policisë për rrëmbimin e vajzës së tij . Policia ka kapur fillimisht të dashurin e 18-vjeçares, Orjon Hoxhën.
Pasi ka mësuar për ndalimin e Hoxhës, vajza ka dalë nga hoteli ku po qëndronte e ka shkuar në shtëpi duke pretenduar se i kishte shpëtuar pengmarrjes. Mësohet se bashkëpunëtori i tyre ësjhtë 18-vjeçari Kristi Gjora.
Vajza adoleshente dhe dy djemtë tani do të përballen me akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për të kryer ose mos kryer një veprim të caktuar, për të fituar padrejtësisht pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për vete ose për të tretë.
Nga jeta e luksit, vajza tashmë rrezikon burgun pasi ky krim dënohet me burg nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në tre milionë lekë.
Skenari i “rrëmbimit”
Mësohet se gjithçka ka nisur rreth tre ditë më parë, kur vajza 18-vjeçare Nensi Çobo, banore e Tiranës, ka vendosur që të vërë në jetë planin e plaçkitjes së të atit, një ndër biznesmenët më të njohur në fushën e lëndëve të para për mobilje në Shqipëri.
Ajo, bashkë me të dashurin e saj Orjon Hoxha, moshatar me të, si dhe shokun e këtij të fundit, Kristi Gjora, një vit më i madh se ta, nisën zbatimin e planit.
Adoleshentja u strehua në një hotel tek zona e farit në periferi të Tiranës.
Në këtë mënyrë u stimulua zhdukja e vajzës. Dy djemtë proceduan me telefonatën ndaj të atit duke i kërkuar 400 mijë euro, në të kundërt do ta paguante me jetën e të bijës që mund të mos e shihte më kurrë.
I dashuri i saj dhe shoku i tij, që të dy rrinin në lëvizje duke pritur reagimin e të atit.
Ditën e djeshme, laver Çobo ka marrë një tjetër telefonatë ku është paralajmëruar se nëse nuk dorëzon 400 mijë eurot, do ta pësojë.
Këtu është futur në veprim një skuadër policore e drejtorisë rajonale të Tiranës. Me metoda speciale të hetimit, ka nisur aksioni për zbardhjen e këtij rrëmbimi të dyshuar.
Mësohet se policia pasi ka marrë telefonatën ka filluar hetimet rreth shoqërisë së vajzës, duek zbuluar fillimisht se kishte zënë të dashur 18 vjeçarin Orjon Hoxha.
Këtu ka nisur “peshkimi” i dy rrëmbyesve të shtirur. Policia ka kapur të dashurin e vajzës dhe e ka marrë në pyetje në polici, duke e mbajtur disa orë atje.
Në këtë kohë, vajza e ka mësuar se i dashuri ishte kapur, ka dalë nga hoteli, ka thirrur të ëmën në telefon dhe më tej ka shkuar në shtëpi, duke vazhduar të pretendojë se ishte rrëmbyer, por se çdo gjë mori fund dhe ajo arriti të çlirohej nga pengmarrja.
Në vijim të veprimeve, policia ka kryer edhe arrestimin e adoleshentes që së bashku me të dashurin dhe shokun e tyre donin të përfitonin 400 mijë euro nga babai që e kishte sjellë atë në jetë.