Dy efektivë policie në gjendje të dehur kanë qëlluar disa herë në ajër duke terrorizua banorët në Fier dhe Divjakë ndërsa udhëtonin me makinën e tyre.
Sipas të dhënave, 43-vjeçari Edmond Sulaj dhe 26-vjeçari Amarildo Bala, të dy me gradën inspektor, pasi kanë konsumuar një sasi të madhe alkooli në një nga lokalet e zonës turistike Divjakë, kanë qëlluar secili disa herë, me armët e tyre personale, në vend publik në rrugën automobilistike, brenda zonës turistike.
Më pas, ata janë larguar me mjetin tip BMW X5 me targa AA 220 DE, në drejtim të qytetit të Fierit.
Pas njoftimit të marrë, shërbimet e policisë, kanë ngritur postblloqet dhe kanë ndaluar mjetin në vendin e quajtur “Rreth rrotullimi i Plugut”.
Dy punonjësit e policisë fillimisht nuk i janë bindur urdhrit të shërbimeve të rendit për t’u shoqëruar, deri në ndërhyrjen e Shefit të Komisariatit të Policisë Lushnje.
Gjatë shoqërimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Lushnje, dy të arrestuarit kanë përdorur një fjalor fyes dhe jashtë etikës ndaj punonjësve të policisë që kryen shoqërimin, por përveç kësaj bluve u është dashur të përdorin forcën për t’i marrë armën kolegut të tyre të dehur, Edmond Sulajt, i cili refuzonte që ta dorëzonte pistoletën e shërbimit.
Gjithashtu, punonjësit e policisë Edmond Sulaj dhe Amarildo Bala refuzuan t’i nënshtroheshin testit të alkoolit, edhe pse janë paralajmëruar se ky veprim përbën vepër penale, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 236 të K.Penal.
Tashmë dy efektivëve të policisë kur do t’u dalë pija do të përballen me Prokuroruinë e Lushnjës ku ka përfunduar edhe dosja e tyre.