Pas Gjermanisë edhe Anglia i vë kusht Serbisë, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, për të hyrë në Bashkimin Europian.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd Denis Keefe ka rikujtuar kushtet që Bashkimi Evropian ka për Serbinë për të filluar negociatat për anëtarësim të saj në BE.
Diplomati britanik ka thënë se “nuk ka dëgjuar që ndokush në BE të flasë për hapje negociatash për kapituj në muajin dhjetor e për këtë, madje, thotë s’e ka dëgjuar as kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç”, transmeton gazeta serbe “Novosti”.
“Pozicion i përbashkët i BE-së-, përfshirë edhe Britaninë e Madhe është i qartë. Në rastin e Serbisë, Komisioni Evropian dhe vendet anëtare theksin e kanë sidomos në kapitujt 23, 24 dhe 35, për jurisprudencën, të drejtat e njeriut dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kjo është caktuar edhe në Marrëveshjen e Brukselit dhe detyra aktuale e për pjesëmarrësit në dialog është që kjo Marrëveshje të zbatohet“, ka thënë ai.
Në pyetjen nëse Londra për hapjen e kapitullit 35 po kërkon plotësimin e shumë kushteve, ndër të cilët edhe largimin e barrikadës nga Ura e Ibrit, Keefe është përgjigjur se kapitulli 35 është kompleks dhe se aktualisht fokusi është në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit.
“Aty kemi shumë detaje, çështje shumë të komplikuara dhe në to duhet të punojnë Beogradi e Prishtina me ndihmën e Brukselit”, ka shtuar ai.
Në konstatimin e gazetës se kryetari serb Nikoliç ka të drejtë kur thotë se BE kërkon nga Serbia, njohjen e Kosovës, për t’u bërë anëtare, Keefe është përgjigjur:
“Ajo që kërkon BE është normalizimi i plotë i marrëdhënieve. Kërkesa e vetme zyrtare është që të arrihet normalizimi i plotë. Pozicioni i Britanisë për Kosovën është i njohur, por ka vende në BE që nuk e kanë njohur”.