Home Aktualitet Rreshkitjet e dheut bllokojne aksin Tirane – Elbasan, evakuohen 30 familje

Rreshkitjet e dheut bllokojne aksin Tirane – Elbasan, evakuohen 30 familje

681
0

ibeNjë situatë e rëndë është krijuar sot në rrugën Tiranë-Elbasan, në fshatin Ibë të Tiranës, pasi një masiv dheu është shkëputur rreth mesnatës, ka bllokuar rrugën duke marrë me vete edhe një shtyllë të tensionit të lartë e ka detyruar edhe 30 familje të zhvendosen nga shtëpitë për shkak të rrezikut që paraqitet. Policia ka bllokuar të dy krahët e rrugës Tiranë-Elbasan dhe ka orientuar makinat të lëvizin nga Durrësi për në Elbasan.

MINISTRIA E TRANSPORTEVE: JANË EVAKUUAR BANORËT, TRAFIKU I BLLOKUAR

Ministria e Transporteve ka reaguar për situatën e krijuar në fshatin Ibë, ku si pasojë e rrëshqitjeve masive të dheut rrezikonin dhjetëra shtëpi. Ministria e Transporteve njofton se banorët e rrezikuar janë evakuuar ndërsa trafiku vijon te jetë i bllokuar.

“Janë marrë masa për situatën në Ibë. Janë evakuuar banorët për arsye sigurie. Trafiku do të jetë i bllokuar deri në një njoftim të dytë. Ndërkohë po bëhet vlerësimi i situatës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës. Ndërkohë për situatën është plotësisht i angazhuar edhe Autoriteti Rrugor.

Në orën 11:00, gazetari Erjon Skëndaj raportoi se situata është disi më e qetë se në orët e para pas mesnatës. Ai tha se masivi që ka rënë mbi shtratin e rrugës, ka rrëzuar edhe një shtyllë të tensionit të lartë. Policia ka marrë masa duke bllokuar rrugën, për shkakun se nga rrëshqitja e dheut rrezikohen edhe disa shtëpi. Edhe policia ka konfirmuar se shkëputja e masivit është bërë nga traseja e autostradës Tiranë-Elbasan, duke rënë edhe në rrugën e vjetër Tiranë-Elbasan.

Prefekti i Qarkut të Tiranës, Sadi Vorpsi ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për tu njohur nga afër me problematikën. “Gjendja në Ibë është e rëndë, po mundohemi për zgjidhje. Nëse vijojnë reshjet, do të shtohen rreziqet”, ka thënë prefekti Vorpsi.

Qarkullimi drejt Elbasanit është i bllokuar. Udhëtarët sillen me fugon në njërën anë, pastaj mjete të tjera i presin në anën tjetër. Në këtë rrugë lëvizin vetëm banorët e fshatrave afër.

Ndërkohë nga rrëshqitjet e dheut është dëmtuar një biznes në fshatin Ibë. Pronari i këtij biznesi minimarket ka deklaruar se dëmi i shkaktuar i kalon 50 mln lekë.

Nga bilancet e para janë të rrezikuara edhe 30 banesa të tjera, nëse rrëshqitjet vazhdojnë. Banorët kanë deklaruar se shkak për situatën janë bërë ndërtimet në autostradën Tiranë-Elbasan. Ata kanë fajësuar firmën që po kryen punimet, që sipas tyre ka kryer shpërthime, çka ka sjellë edhe rrëshqitjet. Policia nga ana tjetër ka bllokuar firmën për të vijuar punimet.

Bllokimi i rrugës ka rënduar trafikun në drejtim të Elbasanit e si rrjedhim, Policia Rrugore po i orienton makinat të kalojnë nga Durrësi. Aktualisht qarkullimi rrugor Tiranë-Elbasan është i bllokuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here