Home Aktualitet Orialda Kajtazi lihet e lire nga Gjykata e Apelit

Orialda Kajtazi lihet e lire nga Gjykata e Apelit

512
0

orialda-kajtaziOrialda Kajtazi, e cila që prej një muaji qën dronte në burgun e grave në Tiranë, është lënë e lirë. 18-vjeçarja dje është kthyer në shtëpinë e saj, pranë motrës së madhe dhe prindërve. Ka qenë Gjykata e Apelit në Durrës që ka vendosur lirimin e adoleshentes, e cila më 15 korrik të këtij viti së bashku me motrën e saj 14-vjeçare, Klevisa Kajtazi u arratisën nga banesa, pasi helmuan prindërit, dogjën dhe vodhën kursimet e familjes.

Burime zyrtare nga Gjykata e Apelit bënë me dije se seanca e apelimit të masës së sigurisë u zhvillua paraditen e djeshme me kërkesë të prindërve të 18-vjeçares, bashkëshortëve Kajtazi. Gjatë kësaj seance gjyqësore (ka zgjatur vetëm 20 minuta) është prishur vendimi “Arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit, ndërsa është vendosur masa “Detyrim paraqitje” një herë në javë para oficerit të policisë gjyqësore. Prindërit e Orialdës kanë marrë pjesë në seancë, ndërsa avokatja e tyre mbrojtëse, Mirela Biba, në argumentet e paraqitura gjykatës, kërkoi lirimin e menjëhershëm të vajzës.

VENDIMI
Atë që 18-vjecarja nuk e bëri më 18 gusht të këtij viti në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit, e bëri dje në Gjykatën e Apelit. Orialda Kajtazi shprehu pendesë të thellë për veprimet që kreu së bashku me motrën e saj 14-vjecare dhe në prani të prindërve u kërkoi atyre falje për të gjitha shqetësimet që u kishte shkaktuar. Vajza me lot në sy ka thënë se nuk e menduar asnjëherë që largimi i tyre nga shtëpia do të merrte përmasa të mëdha e do të komentohej në të gjithë vendin.

“Nuk e kisha menduar që do të shkaktohej e gjithë kjo vorbull e madhe, gjithë ky shqetësim për prindërit. Ju lutem më falni, sepse kam bërë faj. Nuk kam dashur kurrsesi që familja të përfundojë në këtë mënyrë. Nuk kam dashur kurrë të vras prindërit, as motrën time të madhe. Unë i dua prindërit e mi, motrën time dhe të gjithë familjen, ju kërkoj falje! Familja më ka qëndruar pranë në çdo moment të vështirë dhe u ndjehem borxhlie për të gjithë jetën”, mësohet të ketë thënë Orialda Kajtazi në gjyq.

BASHKËSHORTËT KAJTAZI
Për bashkëshortët Hiqmet dhe Anila Kajtazi, kjo ishte një fitore e madhe. Ata kanë bërë të mundur rikthimin e vajzës së dytë në shtëpi. Kanë fituar një “betejë”, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për rikthimin e 14-vjecares Klevis, e cila aktualisht është duke qëndruar në një qendër të shërbimit social, për një afat kohor prej 6 muajsh, pasi gjykata ka vendosur urdhër-mbrojtje për të. E vetmja që ka mundësi të pajtojë prindërit me motrën e vogël është Orialda. Mbrëmë, rreth orës 20:30, Muhameti, Anila dhe Orialda mbërritën në banesën e tyre në Spitallë të Durrësit, pasi kishin kryer të gjitha procedurat në burgun ku qëndroi për një muaji Orialda. Ata presin që në ditët në vijim Orialda të takohet me Klevisën dhe vajza e vogël të kthehet në banesën e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here