Ekzekutohen me armë zjarri dy vëllezër në qendër të qytetit të Laçit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:30 pranë stacionit të furgonëve në qendër të qytetit, ku dy vëllezërit Genc dhe Preng Cara, janë qëlluar me armë zjarri nga një person që dyshohet se vuan nga probleme mendore.
Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e krimit, ndërsa dëshmitarë nga vendi i ngjarjes rrëfejnë të tronditur se autori i armatosur me dy pistoleta ka shkrehur të gjithë plumbat mbi vëllezërit Cara, me të cilët njihej prej kohësh dhe kishte marrëdhënie mjaft të mira.
Ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët, të cilët janë përpjekur t’i shmangen breshërisë së plumbave. Por për fat të keq, plumbat kanë prekur dy kalimtarë, mes të cilëve një fëmijë, duke i plagosur rëndë. Momentalisht nuk bëhet i ditur identiteti i të plagosurve të cilët janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Laç, 2 vëllezër ekzekutohen në qendër të qytetit, plagosen 2 kalimtarë
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e krimit. Sipas hetimeve paraprake, autori i ngjarjes është shtetasi Altin Piroli nga Mamurrasi, i cili është arrestuar pak minuta pas kryerjes së krimit. Burime nga policia bëjnë të ditur se autori i dyshuar i ngjarjes rezulton të jetë person me probleme mendore.
Mësohet se Altin Piroli ka kryer dënimin për plagosjen e kushëririt të tij, vite më parë në Mamurras. Ndërkohë rreth dy vjet më parë, Piroli është plagosur me armë zjarri nga një person në fshatin Zhej, pas një konflikti të çastit.
GJENDJA E TE PLAGOSURVE
Mjekët e spitalit të Traumës në Tiranë bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e dy të plagosurve paraqitet e qëndrueshme. Mësohet se dy personat kanë dëmtime me armë zjarri, njëri në parakrah dhe tjetri në zonën e legenit. Sipas mjekëve, gjendja e tyre mund të konsiderohet jashtë rrezikut për jetën, pasi fatmirësisht plumbat nuk u kanë prekur organet jetësore.