Një biznesmen vlonjat rezulton të jetë i implikuar me bandën e bombave C4, pasi dyshohet që përmes Andon Erjon Mëhillajt, ka porositur të dyshuarin si vrasës me pagesë, Julian Sinanajn, të ekzekutojë J. Metushajn, një eksponent i njohur në qytetin e Vlorës. “GSH” ka mundur të sigurojë nga dosja hetimore, masën e sigurisë ndaj të dyshuarit Marjon Mitro, në përmbajtje të së cilës dalin në dritë prova dhe fakte për përfshirjen në bandën e “bombave C4” edhe të biznesmenit me emrin Ardi, i cili edhe pse i identifikuar nga prokuroria për Krime të Rënda, nuk është vënë në pranga. Në dosjen e prokurorisë hidhet dritë dhe mbi detaje të vënies së eksplozivit në shtëpinë e Ardian Kollozit, kandidatit për deputet të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës dhe njëkohësisht kryetar i PD-së në këtë qark. Ndër të tjera, aty thuhet se para derës së apartamentit ku banonte Kollozi është vendosur një sasi prej 600 gramë tritol dhe se dëmet e shkaktuara nga shpërthimi kapin shifrën e 8.3 milionë lekëve.
Mandej, zbardhen pjesë të dëshmisë së Julian Sinanajt, i cili drejton gishtin drejt Marjon Mitros, si porositës i lëndës eksplozive që u zbulua në makinën e prefektit të Qarkut Vlorë, Besnik Dervishi. Sinanaj u ka rrëfyer hetuesve për këtë rast, se me Mitron ka komunikuar përmes e-mailit dhe pasi e ka prodhuar minën me telekomandë, ia ka dorëzuar 42-vjeçarit. Kjo minë, këmbëngul Sinanaj, është pikërisht ajo që u zbulua në makinën e prefektit Dervishi. Sipas prokurorisë, fakti kriminal për të cilin dyshohet Mitro cilësohet si “vepër me qëllime terroriste” në dëm të prefektit Besnik Dervishi, me qëllim përhapjen e panikut në popullatë, për të sjellë shkatërrimin serioz të pronës private në përmasa të mëdha, duke rrezikuar jetën e personave të tjerë. Gjithashtu, Sinanaj shprehet se me ndërmjetësimin e Andon (Erjon) Mëhillaj ka marrë porosi nga Mitro dhe një biznesmen me emrin Ardi për të ekzekutuar një eksponent të njohur të krimit në Vlorë. Më poshtë dosja e plotë.
DOSJA E PLOTE
Tritoli në pallatin e Kollozit Në datën 1 qershor 2013, rreth orës 02:40 është njoftuar salla operative e drejtorisë së policisë së Qarkut Vlorë, se tek pallati i shtetasit Ardian Kollozi ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Nga verifikimi që bëri policia në vend, rezulton se rreth orës 02:40 në derën e blinduar të katit të 11 të pallatit, e cila bllokon korridorin e këtij kati, ku ndodhet apartamenti i shtetasit Ardian Kollozi, ishte vendosur një sasi lëndë eksplozivi, shpërthimi i së cilës kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale jo vetëm në këtë kat të pallatit, por edhe në katet e poshtme të tij. Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa copa fitil zjarrpërcjellës me gjatësi të ndryshme, ku të bashkuara të gjitha bashkë arrinin në gjatësinë prej 118 cm. Në hyrje të ashensorëve të kateve të dhjetë, të katërt dhe të parë u gjetën shtatë gjurmë papilare që u morën me pjesë filmi gjurmëkopjues për ekzaminime të mëtejshme laboratorike. Nga zhurma e shpërthimit të gjithë banorët e pallatit ishin zgjuar dhe kishin konstatuar dëme të mëdha materiale jo vetëm në katin ku ndodhi shpërthimi me lëndë eksplozive, por edhe në secilin prej kateve të tyre.
Hetimi ka provuar se Ardian Kollozi në kohën e ndodhjes së ngjarjes ushtronte detyrën e drejtorit të përgjithshëm të ALUIZNIT, Tiranë. Njëkohësisht, ky shtetas si funksionar i zgjedhur ishte dhe kryetar i degës së Partisë Demokratike e rrethit Vlorë, si dhe ishte kandidat për deputet i kësaj partie në zgjedhjet parlamentare që priteshin të zhvilloheshin më datë 23 qershor 2013. Nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar e provuar se në pallatin në të cilin është vendosur lënda plasëse e llojit tritol në sasinë 600 gramë e aktivizuar kjo lëndë plasëse me fitil zjarrpërcjellës, është shkaktuar një dëm material me vlerën e 8.350.000 lekë të reja. (