Fitore domethënëse për kinematografinë shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, me filmin “Shqiptari”.
Filmi në fjalë mori dy cmime, për aktorin më të mirë protagonist, Nik Xhelilaj dhe cmimin special të jurisë.
Filmi është një prodhim shqiptaro-gjerman, me regji të Johannes Naber, skenar të Naber dhe shqiptares Andeta Spahivogli.
“Është shumë e rëndësishme pjesëmarrja në këtë festival, ku nga 6 cmimet e tij ne morëm 2. Regjisori me famë botërore Luc Besson deklaroi se, mjaftuan dy minuta për të parë filmin për t’i dhënë cmimin aktorit Nik Xhelilaj”, ka deklaruar producenti i filmit, Dritan Huqi.
Përpos Xhelilajt, në kast marrin pjesë mes të tjerësh aktorët Amos Zaharia, Cun Lajci, Luan Jaha, Yllka Mujo, Guljelm Radoja dhe aktorë gjermanë.
Filmi është në shqip dhe gjermanisht. Ngjarjet zhvillohen mes Tropojës dhe Berlinit dhe trajton historinë e një emigranti shqiptar, që interpretohet nga Nik Xhelilaj, i cili transferohet në Gjermani.
Personazhi është i dashuruar me një vajzë të vendlindjes së tij dhe detyrimet për të mbajtur familjen që do të krijojë e cojnë drejt emigrimit, ku has në rrjetin e trafiqeve të jashtligjshme. Ai përpiqet t’u mbijetojë atyre duke ruajtur vlerat humane.
Festivali i Moskës ku mori pjese filmi “Shqiptari” është në edicionin e tij të 32-të dhe konsiderohet si ndër më prestigjozët në nivel ndërkombëtar.
Presidenti i jurisë së tij, Luc Besson, që vlerësoi vecanërisht Nik Xhelilajn, mban firmën e filmave “Elementi i Pestë”, “Nikita” dhe “Leon”.