Home Sport Interi mposht Milan

Interi mposht Milan

611
0

Është shënuar vetëm një gol në derbin më të madh lokal në botë, Derby della Madonnina, që u zhvillua të dielën mbrëma ndërmjet Milanit dhe Interit, ndërsa lojtari që shënoi mbante fanellën zikaltër.

Ishte një gjysmë e parë “e çuditshme” në San Siro. Milani pati posedim më të mirë të topit, mirëpo nuk pati ndonjë rast të qartë për të shënuar.

Nga ana tjetër, lojtarët e Interit nuk dukeshin të rrezikshëm kur e kishin topin, megjithatë rasti më i mirë i kësaj gjysmëloje u takoi zikaltërve. Madje ata shënuan nga pozita jashtë lojë përmes Mottas, por, kuptohet, goli u anulua.

Në gjysmën e dytë, ndërsa kuqezinjtë po vazhdonin të dominonin me posedimin e topit, Diego Milito shfrytëzoi një gabim të Abates për të shkuar drejt portës dhe për ta mposhtur Abbiatin (54’). Asistimi ishte i Javier Zanettit.

Edhe pas pranimit të golit e deri në fund të ndeshjes, lojtarët e Milanit vazhduan ta diktonin rrjedhën e lojës dhe të sulmonin vazhdimisht, mirëpo sikur nuk ishte mbrëmja e tyre, nuk po arrinin ta tundnin rrjetin e Julio Cesar.

Dhe në këtë mënyrë, takimi u mbyll me epërsi minimale të zikaltërve dhe goli i Militos u konvertua në tre pikë.

Përveç humbjes së derbit, Milani humb edhe pozitën e parë në tabelë që i takon sërish Juventusit, ndërsa Interi tani ka gjashtë pikë më pak se lideri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here