Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit të Mjedisit dhe Pyjeve në PD ka denoncuar sot një rast abuzimi dhe korrupsioni “në format dhe madhësitë më ulëritëse”, – siç u shpreh ai ku fondi për pyllëzimin prej 1.6 milionë USD, “u nda mes dy firmave zyrtarisht sponsorizuese të dyshes Rama-Meta” dhe këtë fond e ka tenderuar i biri i njerit prej përfituesve.
DEKLARATA E PLOTE E Z.MALLTEZI
Sot jemi këtu për të treguar një rekord Gines që ka shënuar dyshja Rama-Meta, duke caktuar në krye të tenderave te pyllëzimit në Ministrinë e Mjedisit, një person, i cili i jep babait të tij plot 1.2 milionë dollarë ose 75% të fondit vjetor.
I gjithë fondi vjetor për pyllëzimin prej 1.6 milionë USD, u nda mes dy firmave zyrtarisht sponsorizuese të dyshes Rama-Meta. Buletini zyrtar tregon se ALB-Garden, me përfaqësues z.Pjetër Trashaj, ka perlarë 1.2 milionë dollarë nga kjo Ministri, pra 75% të të gjithë fondit. Organizuesi i dokumentacionit teknik të tenderave në Ministri është i biri i pronarit që fiton tenderat dhe përjashton të tjerët.
Pas ardhjes në pushtet, Rama-Meta gjetën mënyrën më të drejtpërdrejtë për të shpërblyer donatoren e saj. I caktuan të birin shef në Ministrinë e Mjedisit, dhe ai i tenderon babait të tij herë pas here miliona nga taksat e qytetarëve të vendit. Deri më sot, plot 1.2 milionë dollarë. Ky është shembull i sistemit korruptiv dhe shëmbëlltyra e oligarkisë që ka ngritur Rama-Meta.
Abuzim, përfitim, korrupsion, në format dhe madhësitë më ulëritëse.Teksa qytetaret vuajnë në papunësi, mjerim, errësirë dhe kërcënohen burg, oligarkët ndajnë milionat me klientët e tyre dhe këto miliona ju duken gogla.