Rikthehen në detyrë 22 efektivë të Policisë Rrugore të larguar disa ditë më parë me urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Lajmin e konfirmojnë burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, por edhe disa nga efektivët e larguar, të cilët prej disa ditësh janë rikthyer sërish në detyrë. Në radhët e efektivëve që janë rikthyer sërish në punë është edhe efektivi Abdyl Çela. Ai ka pohuar për “Gazeta Shqiptare” se ka rifilluar punë që në datën 24 shtator, ndërsa urdhri për rikthimin e tij në punë, është dhënë tre ditë më pas. Burime nga Policia e Shtetit sqarojnë se në detyrën që kanë qenë janë rikthyer 22 efektivë policie, të cilët pas ankimimit kanë fituar mundësinë për t`u rikthyer si efektivë policie. Sipas këtyre burimeve, Drejtoria e Standarteve pasi ka parë dosjet e efektivëve të larguar nga puna, ka konstatuar se në dosjet e 22 efektivëve nuk janë parë shkeljet për të cilat ata u larguan nga detyra.
Z.Çela, kur jeni rikthyer në punë?
Kam disa ditë që jam rikthyer. Urdhri për të më larguar nga puna u dha në datën 23 shtator. Një ditë më pas, më rikthyen në punë.
Ku punoni tani, jeni sërish në radhët e Policisë Rrugore?
Aktualisht jam në radhët e Patrullës së Përgjithshme në Kamëz.
Po efektivët e tjerë, janë rikthyer në Policinë Rrugore?
Jo, të gjithë që janë rikthyer, kanë filluar punë secili në komisariate të ndryshme.
Ju dhanë një arsye se pse ju larguan?
Më thanë vetëm që duhej të largonin nga puna të gjithë efektivët e vjetër në moshë dhe prandaj më kishin larguar edhe mua.
Po kur ju rimorën, çfarë arsye ju dhanë?
Tek urdhri që kishin nxjerrë thuhej se jam rikthyer për shkak se nevojitesha në punë, pra për shkak të nevojës në punë.
Njoftimi
Në 23 shtator, Ministria e Brendshme përmes një njoftimi për mediat njoftoi largimin e 88 efektivëve nga radhët e Policisë Rrugore. “Largohen nga strukturat e Policisë së Qarkullimit Rrugor të Tiranës rreth 80% të efektivit të këtij komisariati. Me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Drejtoria e Përgjithshme e Inspektimit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kanë kryer një hetim të gjerë lidhur me zbatimin e ligjshmërisë dhe procedurave e standardeve gjatë kryerjes së detyrës. Nga hetimi kanë rezultuar shkelje të rënda në ushtrimin e detyrave funksionale dhe akte abuzive me dokumentacionin nga ana e 11 oficerëve dhe 77 policëve të rolit bazë, të cilat janë larguar nga Komisariati i Qarkullimit Rrugor Tiranë dhe janë vënë në dispozicion të Drejtorisë së Personelit të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë”, thuhej në njoftimin e ministrisë.