Home Politike Rama: “Asnje i afte nuk do hiqet nga puna”

Rama: “Asnje i afte nuk do hiqet nga puna”

503
0

Rama-ne-opinionKryeministri Edi Rama deklaroi dje në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion” se, asnjë njeri i aftë nuk do të hiqet nga puna. Duke iu përgjigjur akuzave të aleatit Spartak Ngjela, Rama tha se ka konsideratë për të “edhe kur ia fut kot”.
Ju i fituat zgjedhjet, duke ruajtur kuotat e mëparshme. Në fakt zoti Meta i fitoi zgjedhjet?
E kam dëgjuar këtë, por e vërteta është ndryshe. Së pari, në një vend demokratik zgjedhjet i fiton forca e parë dhe koalicioni i parë. Së dyti, ne në raport me zgjedhjet e shkuara kemi një rritje të konsiderueshme në mbështetje, që do të thotë në vota. Së treti, diferenca jonë me partinë e madhe kundërshtare është thelluar në mënyrë të shumëfishtë dhe së fundi, ajo që i vë kapak këtij argumenti është që Partia Socialiste e Shqipërisë ka në zgjedhjet e 23 qershorit rezultatin e saj më të mirë në histori.
Nuk keni asnjë mandat deputeti më shumë dhe ka 4 herë më shumë një parti që ka qenë në bashkëqeverisje me PD-në?
Unë nuk i hyj më kësaj bisede. Këtë e kanë ezauruar shqiptarët në 23 qershor dhe çdo përpjekje që për të treguar që PS nuk i ka fituar zgjedhjet është e kotë.
Shqiptarët s’kanë ende një përgjigje pse emra të njohur si Majko, Ben Blushi, Fatmir Xhafa nuk përfshihen në qeveri?
Ne jemi një forcë që kemi marrë një mandat shumë të fortë si aleancë, por edhe si PS, si partia e parë e koalicionit për të çuar përpara një proces historik, për të bërë reforma të thella, për të qeverisur në një formë të re. Kjo do të thotë që Parlamenti nuk është ai që vjen pas dhe vendosja e njerëzve në qeveri nuk është klasifikim kontributesh, por është organizimi i dy fuqive shumë të fuqishme, i një grupi parlamentar që ka nevojë për eksperiencë dhe që ka domosdoshmërinë të jetë në krye të reformave legjislative dhe i një qeverie të ndërtuar me njerëz të rinj, ambiciozë që do përballet me publikun.

A është kjo një shmangie nga ajo që u keni premtuar shqiptarëve, ku i keni nxjerrë Majkon si tabelë të parë në Tiranë, Blushin në Elbasan…?
Unë nuk besoj që ne kemi në parti njerëz që janë tabela dhe që janë shkopinj që mbajnë tabelat. Skuadra e ‘Rilindjes’ në fushatë ishte një skuadër e ndërtuar që të funksionojë në këtë mënyrë. Të gjithë mbajtën peshën specifike, jo të gjithë e kanë peshën të barabartë, por të mos harrojmë që sot duhet t’u përgjigjemi pritshmërive të shqiptarëve dhe qeveria duhet të jetë në këtë lartësi duke i dhënë mundësinë një gjenerate të re që të përmbushë këto aspirata në betejë, ku edhe me ndarjen e mandateve të ministrave do të përballen me publikun dhe Parlamentin.

S’po i lenë ende mandatet?
Është çështje teknike, nuk ka diskutim.
Sa i përket moshës së ministrave, nuk është çështje moshe, nuk është çështje eksperience, ta lemë këtë histori, në moshë të re mund të japin rezultate. Për të krijuar idenë e një çarje mes gjeneratash. PS është në qeverisje, që do të thotë është në Parlament në shumicë. Është në qeverisje dhe ne jemi të vendosur ta çojmë përpara këtë proces, duke bërë edhe gabime, por edhe duke bërë çdo ditë përpjekjet e domosdoshme për të mos përsëritur gabimet e vjetra.

A ka qenë Meta dakord me ministrat?
Ne kemi pasur një dialog jashtëzakonisht të hapur, intensiv e produktiv dhe e kemi parë dhe ndërtuar skuadrën dhe gjithë projektin, jo në funksion të asaj që çfarë fiton njëri e tjetri, në kuptimin e peshës, por në funksion të asaj që çfarë impakti marrim në perceptimin e shqiptarëve menjëherë pas zgjedhjeve dhe në reformat që duam të bëjmë, duke u dhënë mundësi njerëzve të rinj që të provohen.

Ishin këta më të mirët që ju kishit?
Unë nuk kam ndërtuar shumë qeveri. Kjo është e para, por funksionon edhe në këtë rast skuadra. Unë besoj që kjo është qeveria e duhur në këtë moment të duhur.
Një skuadër që flet vetëm me gjuhën e kryeministrit, se ju miratuat edhe kodin e heshtjes?
Kodi i heshtjes është një term i përdorur nga kundërshtarët tanë, të cilët fatkeqësisht nuk arritën dot ta afrojnë procesin qeverisës shqiptar me procesin qeverisës evropian dhe demokratik, por një proces që degradoi në qeverisjen e një familjeje dhe të tarafeve. Ky kod është marrë nga ajo se si funksionon qeveria në Britaninë e Madhe. Unë mendoj që nuk ka ministër në Britaninë e Madhe që të mos ndihet dhe të mos respektojë Kodin Etik.

A kanë të drejtë t’i përgjigjen shtypit ministrat?
Sigurisht që kanë të drejtë t’i përgjigjen, por edhe t’i përgjigjen interesit të skuadrës.

Pra, të përgjigjen me leje?
Ju quajeni si të doni. Kjo është çështje e një kulture qeverisëse. E mënyrës dhe e rrugës se si duhet të funksionojë qeveria.
Jeni shprehur që arka është bosh. Ndërkohë keni ndërtuar një qeveri me 5 ministri më shumë?
Kjo qeveri do t’i kushtojë publikut më pak se qeveritë më parë. Kjo varet nga sa njerëz do të paguhen në të gjithë rrjetin e ministrive. Në mënyrën më absolute ne do të bëjmë një shkurtim drastik në nivelin e parë të këtyre ministrive. Kjo ka qenë bindja ime në Bashkinë e Tiranës se, me më pak njerëz mund të bësh më shumë punë në nivelin e parë.

Sa mendoni se do të shkurtoni. Keni lënë një administratë me 135 mijë punonjës dhe keni gjetur një administratë 85 mijë punonjës?
Mësova se janë blerë 1 milion litra naftë në fushatë elektorale. Dhe në ato 1 milion litra naftë asgjë nuk u ka shkuar strukturave. Se ku kanë shkuar 1 milion litra naftë, këtë do ta thellojë procesi hetimor dhe penal. Të jeni të sigurtë që tavolina është mëse e bollshme për qeverinë. Të jeni të sigurtë që tavolina ishte një nga mobiliet më absurde që janë ndërtuar ndonjëherë në historinë e mobilierisë. Ajo ishte një tavolinë e sharruar në dy copa dhe ne e kemi kthyer në një tavolinë pune.
Premtuat ulje të TVSH-së për energjinë në 6%, ulje taksash. Thoni do heq akcizën e naftës për bujqësinë. Flisni për minierat në program dhe nuk flitet për statusin e minatorit. Flisni për trajtimin e policëve e në program s’ka detajim. Nuk keni detajim për taksën e ndershme…
Së pari, unë e kam thënë që me zotimet tona dhe të miat do ballafaqohemi realisht dhe frontalisht pas 4 vjetësh dhe jo sot, që unë akoma s’kam bërë ditën e tretë në zyrë. Edhe kur isha jashtë, isha në krye të detyrës, por jo në zyrë. Programi është sintezë e dy platformash elektorale. Ne kemi bërë një sintezë e palëve dhe ju siguroj që qoftë edhe realizimi pikë për pikë i atij programi do të bënte që në zgjedhjet e ardhshme ne ta rikonfirmonin rezultatin.
Batuta e Ben Blushit në Parlament (“Mos u besoni të gjitha atyre që lexoni, qoftë edhe programit të qeverisë”)…?
Ishte e Ben Blushit dhe kjo mjafton, ndërkohë që unë nga ana tjetër u besoj atyre që kemi shkruar. Nxjerrja nga konteksti i një batute nga Parlamenti e për ta sjellë këtu është gazetari interesante, por jo e saktë.

Keni publikuar fotot e Kryeministrisë në “Facebook”…?
Besoj se është jo anormale për mua që të shokohem nga ato pamje të Kryeministrisë dhe atë ta ndaj me të tjerët.

Jeni penduar për këto foto?
Unë penduar!? Do ketë foto të tjera prapë. Unë jam krenar për ato që kam bërë në Ministrinë e Kulturës, edhe në Bashkinë e Tiranës.
Në Kodin e Etikës thoni që ministrat nuk duhet të pranojnë dhurata. Ndërkohë a keni pranuar ju një dhuratë me rikonstruksionin e Kryeministrisë? Kush punon vullnetarisht në selinë e Kryeministrisë?

A i lejohet një qeverie të punojë në këtë mënyrë?
Po pse ku është shkruar që nuk lejohet. Domethënë, duhet të rrish në zhul 3 muaj dhe të bësh tender për t’u pastruar. Patjetër që ne do ta shuajmë edhe këtë kuriozitet. Të bëjmë transparencën e akuzave absurde që këtu po harxhohen miliona. Asnjë qindarkë nga taksat e shqiptarëve. Janë kontribute, për faktin që në këtë vend nuk kanë vdekur njerëzit që japin kontribute.
Siç është i keqpërdorur Artan Lamja, i cili nga mëngjesi deri pas mesnate ka qëndruar në këmbë për të ndjekur këtë punë. Aty janë pastruar mobiliet, është lyer muri, janë vënë kopje të një sërë hartash dhe janë rivendosur perdet.

Përse kërkuat shtyrjen 6 muaj të ligjit të “Nëpunësit Civil”?
Nuk është thyer asnjë konsensus. Alarmin e parë ne e kemi marrë nga drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike ekzistuese, e cila me një letër ka shpjeguar që duhen marrë masat, sepse ligji është i pazbatueshëm. Jemi vënë në lëvizje dhe kemi konsultuar grupin, shoqatën apo kompaninë që ka asistuar për ligjin në funksion të asistencës evropiane. Dhe i kemi thënë si qëndron situata. Na kanë konfirmuar të njëjtën gjë, që ligji është i pazbatueshëm, sepse është miratuar me konsensus dhe është dashur që deri më 1 tetor të miratohej një paketë aktesh nënligjore. Aktet nënligjore kanë qenë të domosdoshme, por ajo që ndodhi është që qeveria nuk u mor me këto, por u mor me akte të paligjshme për të grabitur çfarë mund të grabiste. Është ngarkuar zv.kryeministri, ministri i Parlamentit, ministrja e Integrimit për të marrë kontakte me të gjithë faktorët e opozitës për t’u thënë “hajde uluni”. As kanë denjuar të ulen.

Në 6 muaj ju do të spastroni administratën?
Asnjë njeri i aftë që është në vendin e punës për shkak të aftësisë së vet, edhe sikur të ketë tundur flamurin e PD-së te oborri i godinës nuk do të cenohet në vendin e punës. Ne do të nisemi vetëm nga aftësia. Mësues dhe mësuese që i shërbejnë me devocion fëmijëve do të jenë aty të paprekur.

Kritikat e Ngjelës?
Është aset opozitar i këtij vendi, i paepur kundër të gjithëve, edhe kundër vetes. Ka gjithë konsideratat e mia edhe kur realisht ia fut kot. Është etike të thuash është qeveri halldupësh?! FRESSH i nuk është i armikut. Drejtoresha e tatimeve është një njeri që ka studiuar në këtë fushë, punon në sektorin bankar, është marrë drejtpërdrejt me botën e sipërmarrjes. Pse duhet të nxirrnim ne atje me ferexhe. Ç’domethënë që nxjerr një njeri në plazh dhe thonë mos i shiko gunën, po shikoji punën?
Kemi vendosur vajza në krye të disa institucioneve dhe unë jam krenar që pjesa e opozitës i përqesh. I kemi provuar edhe ata me bark të madh, edhe ata me mustaqe dhe ata me yndyrë në gojë që heqin picirin kur kalojnë në doganë.

A do jeni në ceremoninë e inaugurimit të bulevardit të Tiranës?
Do të rishikohet projekti i bulevardit të ri të Tiranës në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Territorit. Synimi është të modifikohet dhe të kthehet në rrugën e arsyes. Është një bulevard në shkretëtirë. Këtë e gjykon edhe Këshilli Kombëtar i Territorit. Ne do të kërkojmë rishikim dhe dialog me Bashkinë e Tiranës dhe rishikim të projektit.
Zoti Meta po i mban të dyja fotografitë…
Se sa fotografi mban në zyrë secili, kjo është e lirë. Rëndësi ka që fotografia zyrtare është ajo e Ismail Qemalit.

Keni kthyer vendime të qeverisë së mëparshme. Po vendimi për SHQUP-in do kthehet?
Të gjitha vendimet e marra janë në sitën e grupit të ekspertëve që merren posaçërisht me këtë, juristë dhe ekspertë që ndjekin këtë proces. Kemi filluar pjesë-pjesë. Nuk janë të gjitha shprehje e babëzisë së atyre muajve, sepse ka edhe procedura të muajve më parë. Sa i përket SHQUP-it, kjo lidhet me hapat e këtij procesi dhe kur të merret vendimi nuk është që ta bëjmë skup që ne do nxjerrim PD-në jashtë.
Ajo ishte një gjë skandaloze dhe anulimi i atij vendimi nuk është asgjë.

Sa e paguani Toni Blerin? 7 mijë paund i kushton fluturimi për në Shqipëri…
Përgjigja është zero qindarka. Sa i kushtojnë fluturimet Toni Blarit, kjo nuk është çështje e jona.
“O rregullo trajektoren, ose gjejmë kryeministër tjetër”, tha Ngjela…
Spartak Ngjela është njeriu që të gjithë duhet t’i njohin meritën që ka kërkuar një kryeministër tjetër që kur ka qenë i vogël dhe që nuk do të reshtë derisa sa të jetë gjallë, i uroj jetën e gjatë. Kjo nuk do të ndodhë, sepse trajektorja është gjithmonë në kërkim të kryeministrit tjetër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here