Ekziston një det, jo me ujë të kripur, por me oferta “paturpësisht të parefuzueshme”, siç u shpreh Krasta kur la Vizionin për Agon Channel. Duke braktisur anijet e tyre të sigurta, në këtë “det lekësh” filluan të zbrisin një e nga një shumë emra të njohur e me goxha influencë në median shqiptare, sidomos në atë televizive.
Sot diskutimi mes atyre që janë pjesë e kësaj industrie është se kush do të jetë blerja e radhës, sigurisht me shifra marramendëse, që shumë prezantues jo vetëm si kanë parë në gjithë këto vite punë, po edhe për një biznesmen do të ishin tunduese në këtë kohë krize.
“Tronditja” e radhës ishte javën e kaluar, kur Saimiri në një gazetë pohoi se dhe Doktori do të bëhej pjesë e këtij ekrani pasi kishte nënshkruar një kontratë. Në këtë intervistë Gent Pjetri, i njohur nga të gjithë prej 11 vjetësh si doktori i fiksit, tregon si u nënshkrua kjo kontratë dhe pse hoqi dorë prej saj. Nuk nguron të thotë se u tremb nga shuma e lekëve, por një fije që nuk këputet dot për të është dashuria që ai ka për këtë ekran, ku ka kaluar më shumë se një dekadë të jetës së tij. Në fund, i bindur që ka vepruar drejt, Doktori pohon se dhe kopshtar do të punonte, mjafton që të ishte pjesë e Top-Channel. Asnjë shumë, as kjo që ishte e frikshme për Gentin, jo e paturp, nuk e joshi për t’i thënë një lamtumirë Top-Channel dhe Fiks-fare.
Genti, si u ndjeve kur doli në media se do të ikje nga Top-Channel pas Saimirit, ndërkohë që ti nuk kishe pohuar diçka mbi këtë gjë?
Nuk mund të them se ishte ndonjë surprise, edhe pse pohimin nuk e kisha bërë unë në gazetë. Siç i erdhi oferta Saimirit më erdhi edhe mua.
Fakti që kishe nënshkruar një kontratë?
Po, por fakti është që nuk mund të lëviz nga Top-Channel, sepse jam rritur aty profesionalisht. Unë kam pasur jetën time, në sensin që kam kënduar 9 vjet, kam punuar në radio 7 vjet dhe 11 vjet në Fiks- Fare me Saimirin.
Deri diku u bë fakt i kryer dhe njerëzit mendojnë se ti nuk do jesh më doktori i fiksit…
U bë fakt i kryer, sepse unë pata një trysni momentale, që janë disa shifra pak të mëdha. Unë nuk kam gjë me shifrat sepse nuk i ofroj unë, por më ofrohen. Mu bë qejfi që mu ofruan këto shifra, se nuk e dija që e njëjta punë mund të kishte këtë çmim (qesh). Gjithsesi nuk e kam problem të them që thjesht u tremba.
U trembe nga lekët?
Po. Siç është ajo shprehja e vjetër “hall me burrë, hall pa burrë, hall të mos martohesh kurrë” (qesh). Ishte një shifër shumë tunduese, shumë e madhe.
Sa ishte, 12 mijë euro në muaj?
Jo.Goxha e madhe dhe shumë favore të tjera. Mendova që pyetjet e para bëhen nga vetja. Së pari “shumë lekë për të njëjtën punë që po bëj” dhe kjo s’do të thotë që jam i pavlerësuar në Top, por kjo shifër e ofruar mund të ishte për ndonjë drejtor organizativ. Megjithatë këtë nuk e di unë.
Ti Topit nuk i thua jo?
Absolutisht dhe kurrë. Unë kam thënë një shprehje që edhe bar do kosis, por nga Top-Channel nuk do largohem, sepse e dua dhe jam rritur aty. Janë shumë gjëra. Nga ajo shifër thjesht u tremba.
Në jetën normale të joshin paratë?
Jo nuk kam qenë ndonjëherë i fiksuar pas parave. Për mua është thjesht një mjet për jetesën ( jo se nuk i dua lekët).
E ke ndjerë mungesën e Saimirit?
Jashtë mase. Madje mbrëmë i dërgova një mesazh Saimirit dhe ai është përpjekur të komunikojë me mua, por me të vërtetë më është këputur një krah.
Me Fjorin si ndihesh?
Ndihem mirë. Është e shkathët, e informuar dhe në të vërtetë ka një ritëm të saj. Megjithatë unë kam 16 vjet që kam punuar me Saimirin…
Qarkullon një thashethem që ju të dy nuk flisnit në jetën e përditshme, por vetëm në emision. Është e vërtetë kjo?
Ahh nuk ishin shokë po thua. Problemi nuk është te kjo; jo se nuk flisnim, jo se kishim probleme; thjesht natyra e Saimirit është krejt tjetër. Ai është tip shumë sportiv, ndërsa unë jam natyrë përtace. Keq më vjen që po e them, po për të mos u treguar hipokrit, kështu është. Saimiri hidhet me parashutë, merret me zhytje, është një familjar i rregullt, ne kemi qenë dhe komshinj “se dhe një grua që pata ma dogji gjermani” (qesh), por është një koleg që ia ndjej mungesën. Nuk mund të flasë unë në emër të tij, po besoj se dhe ai e ndjen mungesën time si kolegë. Ndërsa si shoqëri është më mirë që ndonjëherë të kesh sense të kundërta në kuptimin e mirë të fjalës. Ne vërtetë nuk kemi qenë miq që të dilnim bashkë, apo gjëra të tilla, por pastaj ne jemi një popull që hiperbolizojmë gjithçka, ndaj nuk më habit kjo gjë.
Është e vërtetë që nënshkrove kontratë në Agon dhe nuk shkove?
Kontrata ka një logjikë, që së pari nënshkruhet përpara një noteri. Unë ishte hera e parë që pashë një kontratë me katër fletë. Dëshira e tyre ishte të më kishin pjesë të tyre, por unë e dua Top-Channel dhe nuk lëviz që këtej. E thashë edhe kopshtar do punoj, (jo për të ulur veten se e di ku e kam vendin), por jam shumë i lidhur shpirtërisht me këtë vend. Oferta është jashtë mase joshëse…
Nëse do i kishte ato lekë, qoftë edhe në top, çfarë do bëje me to?
Nuk e di, sepse nuk kam qenë kurrë formati i lekëve. Siç kam dëgjuar një mallakstriot që ka thënë “po të mos e dija që njeriu e ka shpikur lekun, do e quaja lekun zot”, ndaj duke e ditur që e ka shpikur njeriu, u stepa. Veç kësaj unë ndihem shumë mirë dhe kam miqtë, ngrohtësinë në top… Fundja janë 16 vite.