Fryma e re Demokratike akuzon institucionet e drejtësisë së po zvarrisin qëllimisht hetimet pas dhunës së ushtruar mbi kandidatin e tyre për deputet në Roskovec, Mit’hat Hoxha. Ndonëse kanë kaluar 36 orë nga ngjarje nuk ka ende asnjë autor, ndërsa 50 vjeçari është sjellë në Tiranë mbrëmjen e djeshëm për kurim.
Kreu i degës së FRD-së në Fier, Llazar Koriçi doli sot paradite një konferencë për shtyp ku shprehu indinjatën ndaj dhunës së ushtruar mbi kandidatin e FRD mbrëmjen e së dielës 9 qershor, në Roskovec të Fierit, në momentin kur ai po kthehej në banesë.
“Vëmë re me keqardhje, se megjithëse kanë 36 orë nga çasti i goditjes, nga ana e shtetit, prokurorisë, policisë dhe organeve të zbulimit dhe luftës të krimit nuk është bërë asgjë dhe nuk është dhënë asnjë rezultat konkret”.
FRD e Fierit konstaton se ka akoma njerëz, që mendojnë se duke goditur kundërshtarin politik deri në zhdukje fizike të tij, mund të fitojë terren për zgjedhjet e 23 qershorit. Ne u themi këtyre ideatorëve, kushdo qofshin ata, se zjarrin që mendon të ndezë do të digjet vetëm në të.
FRD mendon dhe lufton që fushata zgjedhore të jetë një fushatë tejet qytetare, ku secila palë të shpalosë alternativën e saj për të dhënë mundësi të reja zhvillimi të këtij vendi drejt integritmit në BE. Ne do t’i përmbahemi legjislacionit në fuqi dhe kodit zgjedhor, për të pasur një fushatë të ndershme e të drejtë, ku fituesin ta vendosë populli dhe jo klanet e ndryshme me metoda fashiste, të cilët ndikojnë në rezultatin zgjedhor.
Edhe një herë, duke u solidarizuar me kandidatin tonë zgjedhor dhe familjarët e tij, duke i uruar një shërim të shpejtë, kërkojmë ndërhyrjen energjike të shtetit, nëse ai ekziston, e të nxjerrë brenda një kohe të shkurtër shkaktarët e vërtetë të kësaj ngjarjeje tejet të hidhur.
Ndërkohë, organet kompetente shprehen se “mbi rastin po vijojnë hetimet”.
Në orën 14.00, sot te Hotel Rogner, kreu i FRD, Bamir Topi takohet me përfaqësues të Këshillit të Europës.