Flet mamaja e Ermalit, Tefta Merdani: “Françeska jo femër shumë e bukur, më duket normale si pamje”
Historia e dashurisë që është krijuar brenda “Big Brother 5” mes Ermalit dhe Françeskës, përveçse ka tërhequr vëmendjen e publikut, është pasuar me komente të ndryshme në rrjete sociale nga fansat. Ndërkohë që Ermali dhe Françeska po jetojnë lidhjen e tyre në lojën ku luhet për 100 mijë euro, në media janë botuar shkrime për lidhjet e tyre që i presin jashtë. Se sa mund të dijë një mama rreth historive dhe preferencave të djalit të saj 24-vjeçar, gjithçka varet nga afrimiteti që ata kanë. Gjithsesi, Tefta Merdani pranon të tregojë gjithçka di dhe mendon rreth lojës së djalit të saj, i cili u shpall “Mister Albania” në vitin 2010.
Tashmë është përfolur lidhja e Ermalit me Franceskën brenda “BB5”. Si e sheh ti këtë lidhje si nëna e tij?
Në fakt, kur bëhet fjalë për një relacion mes dy personave, askush nuk mund të gjykojë, pasi e dinë vetë se çfarë ndiejnë dhe si e konsiderojnë njëri-tjetrin. Për momentin, me sa shoh nga ekrani, unë kuptoj se ata ndihen rehat të dy, duke u shfaqur bashkë në një marrëdhënie që i ka të gjitha, përkëdheljet dhe qejfmbetjet. Të mos harrojmë që ata përveçse janë në këtë lidhje, janë duke luajtur në të njëjtën kohë një lojë duke qenë dhe rivalë, dhe kjo e komplikon pak situatën. Në përgjithësi nuk më pëlqen të flas para kohe, sepse gjithçka mund të dalë jashtë parashikimeve.
Duke u nisur nga fakti që djali yt është një mister, të duket Françeska po aq e bukur për djalin tënd?
Mendoj se Françeska është një vajzë normale nga pamja. Ka vajza edhe më të bukura se ajo.
Një nënë gjithmonë ka një sy më kritik se të tjerët, kur bëhet fjalë për vajzën që shoqërohet i biri. Ti me çfarë syri e sheh Françeskën në këtë rast, në sjelljen e saj ndaj Ermalit?
Për vajzat nuk flitet keq, pasi çdo femër ka vlerat e saj. Të mos harrojmë që ajo është në lojë dhe nuk dimë ku ndahet tipi i vërtetë nga loja. Sjellja e Françeskës justikon sjelljen e një vajze të re, që është në një lojë të tillë me shumë tension. Ata janë në një garë, gjatë rrugës do t’i shohim se deri ku do mund të shkojnë bashkë.
Ndërkohë që ka pasur komente për intimitetin mes tyre të krijuar brenda shtëpisë. Ke ndonjë koment për videon e përfolur të seksit?
Në lidhje me videon dhe komentet që qarkullojnë, unë të them të drejtën nuk jam në dijeni. Por me aq sa shoh në intimitetin që ata shkëmbejnë me njëri-tjetrin, them se e bëjnë thjesht për show. Ose më saktë bëjnë lojëra, për t’u krjuar përshtypjen banorëve të tjerë se kushedi çfarë po bëjnë.
Mendon se do të zgjasë kjo lidhje, për shembull të mund të vazhdojë me daljen e tyre nga shtëpia?
Unë e thashë edhe pak më sipër, që nga java në javë do të ketë të papritura, pasi gjithçka mund të pritet. Ata mund të grinden me njëri-tjetrin, mund të krijojnë keqkuptime dhe mund të shkëputen. Gjithsesi, nuk e kam zakon të hyj në punët e tij të zemrës. Është çështje që e di vetëm ai.
Dy javë më parë, gazeta “Panorama” zbuloi lidhjen që Ermali ka jashtë. E njihje vajzën, je në diejni të ndonjë lidhjeje serioze jashtë?
Jo, nuk e njihja vajzën dhe, të them të drejtën, Ermali nuk më ka përmendur emrin e ndonjë vajze me të cilën mund të ketë lidhje serioze jashtë shtëpisë. Ka pasur shoqe, mikesha për të cilat kam qenë deri diku në dijeni, por deri tani asnjërën prej tyre nuk e ka sjellë në shtëpi, që të mund të kuptoja se mund të kishte diçka më shumë se një lidhje e thjeshtë.
Është i ndjeshëm Ermali në një lidhje, si sillet apo si reagon në rastin kur e pëlqen një vajzë?
Është djalë shumë i ndjeshëm me sa di, jo vetëm për historitë që përjeton vetë, por edhe kur dëgjon histori të ndonjë personi tjetër ai preket dhe di të dëgjojë deri në fund.
E ndjek Ermalin rregullisht, cilin prej banorëve e sheh si rival të fortë?
Ermali është jeta ime dhe natyrisht që këto ditë që ai është në lojë, unë kam hequr dorë nga gjithçka vetëm për të ndjekur çdo lëvizje të tij. Në përgjithësi, banorët janë të gjithë të mirë, por Liami më duket grindavec.
Po Ermali si po e luan këtë lojë?
Ermali është origjinal, njësoj si në jetë. Është natyrë e drejtpërdrejtë dhe që merr guximin të t’i thotë gjërat në sy. Nuk di të diskutojë pas krahëve apo të bëjë thashetheme pa lidhje. Këtë gjë po bën dhe në BB5.
Çfarë jete ka bërë Ermali, çfarë di ti për marrëdhëniet e tij me femrat?
Ermali ka jetuar në Francë, Gjermani etj. dhe di që ka pasur mikesha. Është xhentil dhe i thjeshtë.
Nga eksperiencat e mëparshme ai preferon brunet apo biondet?
Mikeshat e tij kanë qenë dhe brune, dhe bionde. I preferon të gjitha.
Pse hyri Ermali në BB5 sipas teje, çfarë synon ai në jetë pas kësaj eksperience?
Ermali është shumë kërkues te vetja, i pëlqen bota e televizionit dhe kjo ishte një nga arsyet pse ai hyri në BB. Ai e thotë hapur që ëndërron të jetë një showman, të ketë një emision të vetin në një televizion dhe unë besoj se do ia arrijë, pasi Ermali është vërtet djalë i mençur.
Çfarë nuk doja të shikoje në sjelljen e Ermalit në këtë “reality show”?
Nuk do doja ta shihja të bëhet nervoz. Ai e do të vërtetën dhe të drejtën, ndoshta një situatë e tillë mund të jetë e pashmangshme, por prapë i besoj maturisë së tij.
E sheh si fitues të “BB5”?
Nuk mund të shprehem ende për këtë, është shumë herët, edhe pse kam besim tek Ermali. Por prapë mbetet për t’u parë, pasi atë e vendos publiku. Tani për tani jam kureshtare dhe unë të shoh se si do të vijnë gjërat gradualisht në këtë lojë, derisa të mbërrijmë tek momenti i shpalljes së fituesit.