Oscar-ët u shpalosën dje me gjithë madhështinë e tyre në një mbrëmje gala që mbajti miliona njerëz me sytë në ekran për shtatë orë. Nga tapeti i kuq e deri tek filmi më i mirë, ceremonia ishte thjesht e mrekullueshme. Qindra yje të kinematografisë kaluan një nga një në tapetin e kuq në atë që mund të konsiderohet shfaqja më e madhe e modës. Më pas erdhi radha e shpalljes së fituesve. Mes emocioneve, gafave, por edhe lojës së dy prezantuesve, Anne Hathaway dhe James Franco, filmi që mori pothuajse gjithçka ishte “The King’s Speech”. Pas tij u renditën “Black Swan”, “The Fighter”, “The Social Network” dhe “Inception”. Aktorët më të mirë ishin Colin Firth, Natalie Portman, Christian Bale dhe Melissa Leo.
Shumë filma që u kandiduan për disa kategori (Winter’s Bone, True Grit, The Kids Are All Right, 127 Hours) e mbyllën natën e mbrëmshme me duar bosh.
“The King’s Speech”
Britanikët mund të konsiderohen si fituesit e vërtetë të Oscarëve të këtij viti. Filmi “Fjalimi i Mbretit” mahniti për muaj me radhë botën dhe dje mori çmimet kryesore. Colin Firth në rolin e mbretit gagaç ishte thjesht i përkryer. I mbështetur nga Geoffrey Rush dhe Helena Bonham Carter (të dy meritonin Oscar në role joprotagoniste”, Firth arriti që të shpalosë historinë e vërtetë të Mbretit Xhorxhi i gjashtë, i cili nuk arrin që të mbajë dot fjalimin përpara shtetasve britanikë, pasi është gagaç. E shoqja (në film Helena Bonham Carter) e shpie tek një “mësues” që përdor metoda aspak tradicionale (Geoffrey Rush). Me ndihmën e trapistit, mbreti arrin të mposhtë frikën e tij dhe të mbajë fjalimin përpara një kombi që është në prag të luftës me Gjermaninë naziste.
Një histori e vërtetë e shkruar nga David Seidler (Oscar për skenarin më të mirë) dhe luajtur në mënyrë perfekte nën drejtimin e regjisorit Tom Hooper, i cili mori edhe Oscarin për regjinë. Në total “The King’s Speech” u dominua për 12 kategori dhe arriti të fitojë çmimet më të rëndësishme: Aktor në rolin kryesor, Filmi më i mirë, Regjia më e mirë dhe Skenari më i mirë origjinal.
12 nominime
Aktor në rolin kryesor
Filmi më i mirë
Regjia më e mirë
Skenari më i mirë origjinal
“The Social Network”
Historia e njeriut që krijoi “Facebook” dhe brenda pak kohësh u shndërrua në një miliarder, Mark Zuckerberg, deri pak muaj më parë dukej se do të merrte të gjitha çmimet Oscar. Pasi mori notat maksimale nga kritika gjatë muajve të vjeshtës, “The Social Network” filloi të humbiste terren. Jesse Eisenberg luajti në mënyrë mbresëlënëse historinë e djaloshit të trazuar Zuckenberg, i cili duhet të luftojë me veten dhe të gjithë miqtë e tij për të arritur suksesin. Shfaqja e filmave të tjerë bëri që “Facebook” të humbasë vendin e liderit, por jo nominimet. Ai u kandidua për tetë çmime, por në fund nuk arriti që të marrë asnjë nga çmimet që realisht kanë peshë. Suksesi i vetëm i “The Social Network” mund të konsiderohet vetëm çmimi për “Skenarin më të mirë të përshtatur”. Aaron Sorkin arriti që të përshtatë për film novelën “Miliarderët aksidentalë”.
8 nominime
Filmi më i mirë i edituar
Muzika origjinale
Skenari më i mirë i përshtatur
“Black Swan”
Natalie Portman kishte të shkruar në ballë se këtë vit do të fitonte një Oscar dhe kjo realisht ndodhi. Roli i saj në filmin “Black Swan” mori vlerësimet më të mira të mundshme dhe askush nuk vuri për asnjë sekondë në dyshim çmimin. Vajza e vogël që u shfaq në mënyrë të bujshme në rolin e Matildës tek “Leon” në vitin 1994 është rritur shumë profesionalisht dhe fizikisht, por duke mbajtur të njëjtin qëndrim, atë të fitueses. Ajo iu afrua një Oskari me “Closer”, por pa ia arritur qëllimit. Këtë herë Portman shfaqen në rolin e vështirë të mjellmës në Liqenin e Mjellmave. Aktorja sfidohet që të hyjë në anën e saj të zezë për të luajtur të dy rolet e mjellmave, të bardhës së mirë dhe të zezës së keqe, dhe në fund të filmit ia arrin, edhe pse duke sakrifikuar shumë nga vetja. Në film, karakteri i Portman hyn në një makth të vërtetë, aq sa pjesët e mjellmës së zezë ngjasojnë me një film horror. Balerina ka pranoja, halucinacione dhe hyn në një tjetër realitet ku shoqja/rivalja e saj (Mila Kunis) do t’i marrë rolin. Balerina arrin deri sa të therë veten e saj me thikë, por në fund e luan rolin. Filmi mori pesë nominime për Oskar, por duhet thënë se gjithçka ishte ndërtuar rreth Portman, e cila fitoi çmimin Aktorja më e mirë protagoniste.
5 nominime
Aktorja më e mirë protagoniste
“The Fighter”
Mark Wahlberg mund të mos jetë aktori më i mirë i këtij viti me filmin “The Fighter”, por dy njerëzit që aktruan në rolet dytësore janë. Christian Bale dhe Melissa Leo fituan dje dy nga katër Oskarët më të rëndësishëm, Aktori dhe Aktorja më e mirë. Mark Wahlberg shfaqet në rolin e boksierit Mickey Ward, por filmi flet për gjithçka, përveçse boksit. Ai është për familjen e ndarë, miqtë, inatin dhe gjithçka tjetër të njerëzve realë. Vëllai i boksierit, Christian Bale, shkëlqen në rolin e tij, ashtu si Melissa Leo në rolin e nënës menaxhere. Çmimet e këtyre dy aktorëve treguan që “The Fighter” dhe sidomos historitë si “Rocky” mund të kenë ende sukses në kinema. “The Fighter” u kandidua për shtatë çmime Oskar, mes të cilëve Filmi dhe Regjisori më i mirë, por në fund përfundoi me dy.
7 nominime
Aktori më i mirë në rol jo kryesor
Aktorja më e mirë në rol jo kryesor
“Inception”
Zanafilla e një ëndrre nuk dihet kurrë, ti thjesht e gjen veten në mes të saj dhe gjithçka absurde të duket reale. Kjo është fabula perfekte e “Inception”, filmit të regjisorit Christopher Nolan dhe aktorit Leonardo di Caprio. Cobb është një hajdut profesionist që vjedh atë që askush nuk mund të vjedhë, sekretin më të madh të jetës tënde. Di Caprio duhet të luftojë me denonët e brendshëm (ish të shoqen) dhe të ndërtojë një mashtrim perfekt. Trilleri fantastiko-shkencor të shpie në botë që nuk i ke menduar kurrë, në ëndrra brenda ëndrrës dhe brenda ëndrrës. Viktimat e tij ruajnë gjithmonë një sekret që në ëndërr e fshehin në kasafortë.
Por këtë herë, Di Caprio dhe banda e tij duhet të krijojnë një sekret dhe të bindin “ruajtësin” e tij se ajo është ideja e tij më origjinale. Teknologjia e përdorur në film krijon një spektakël të rrallë duke mbajtur edhe shikuesit brenda një ëndrre. Perfekt në çdo detaj, Nolan ka arritur të realizojë një film të rrallë për llojin e tij. Absolutisht, një film që nuk duhet humbur! I dominuar për tetë statuja Oskari, “Inception” arriti që të fitojë gjithçka që ka lidhje me teknologjinë.
8 nominime
Kinematografia më e mirë
Editimi më i mirë i zërit
Miksimi më i mirë i zërit
Efektet vizuale
Më të këqijtë
Ashton Kutcher, Jessica Alba dhe “Sex and the City 2”, fituan disa orë përpara ndarjes së çmimeve “Oscar”, çmimin “Razzie”, i cili i akordohet dështimeve më të mëdha kinematografike të vitit. Regjisori Night Shyamalan fitoi çmimin aspak prestigjioz për të dytin vit radhazi, ndërsa filmit të tij “The Last Airbender” iu shtuan edhe vlerësimet për filmin më të keq, skenarin më të keq dhe aktorin më të keq jo protagonist. Pas kritikave të shumta të ekspertëve, “Sex and the City 2” meritoi çmimin e serialit më të keq, kastit më të keq dhe aktores më të keqe, çmim i ndarë në mënyrë të barabartë midis katër aktoreve protagoniste. Paraqitja e Ashton Kutcher në filmin “Killers” u vlerësua si më e keqja e vitit, ndërsa Jessica Alba, e cila së shpejti do të bëhet nënë për herën e dytë, “u nderua” me vlerësimin e aktores më të keqe jo protagoniste, falë paraqitjes së saj në “Killer Inside Me”.
Aktori më i mirë protagonist
Colin Firth – The King’s Speech
Aktorja më e mirë protagoniste
Natalie Portman – Black Swan
Aktori më i mirë në rol jo kryesor
Christian Bale – The Fighter
Aktorja më e mirë në rol jo kryesor
Melissa Leo – The Fighter
Regjisori më i mirë
Tom Hooper – The King’s Speech
Skenari më i mirë origjinal
The King’s Speech (David Seidler)
Skenari më i mirë i përshtatur
The Social Network (Aaron Sorkin)
Filmi më i mirë i animuar
Toy Story 3
Filmi më i mirë i huaj
In A Better World