“Folie” është titulli i këngës më të re, që pritet të sjellë shumë shpejt për publikun shqiptar, këngëtarja e mirënjohur Besa Kokëdhima…
Lajmin e ka pohuar vetë artistja, e cila në një bisedë me “Bletooth” zbulon detaje nga kjo risi… “Kënga titullohet ‘Folie’ dhe është ‘çmenduria’ që përjeton çdokush kur rilind nga një dashuri.
Një nga skenat e klipit është xhiruar në ‘Club Folie’, duke qenë se fabula e këngës trajton një histori që ka një lidhje të veçantë me këtë vend”, – tregon ylli i muzikës shqiptare, e cila na zbulon më tej edhe bashkëpunëtorët e këtij projekti. “Video është xhiruar kryesisht në vendlindjen time, në Jug të Shqipërisë. Gjithmonë kam dashur të ekspozoj bukurinë e vendit tim të origjinës dhe besoj se ky klip i ka shërbyer këtij qëllimi më së miri.
Video do të promovohet javën e ardhshme në Tiranë dhe është realizuar nga “Pro Video”, bashkëpunim për të cilin jam shumë e kënaqur. Ndërsa kënga është realizuar nga Elgit Doda dhe është e rrymës ‘house’. Këtë periudhë ndjej se kam dëshirë dhe energji për të prodhuar muzikë të re dhe se po përjetoj një ridimensionim artistik”, – përfundon këngëtarja e suksesshme.
Duke qenë se ishim të parët që e zbuluam këtë projekt, nuk mund të rrinim pa i kërkuar Besës edhe disa foto nga videoklipi i ri, i cili shumë shpejt do të ‘çajë’ kanalet muzikore me ritmet dhe ngjyrat që sjell. Po për më shumë detaje rreth klipit dhe këngës do t’ju flasim javën e ardhshme, pasi Besa ta ketë bërë promovimin. Për momentin po ju lëmë të shijoni këto imazhe fantastike, e të imagjinoni se si mund të jetë klipi dhe kënga e re e këngëtares…