Home Kulture Tinka Kurti: Ju rrëfej origjininën time hungareze

Tinka Kurti: Ju rrëfej origjininën time hungareze

2768
0

Rastësia e solli që për shumë vite të isha komshi me një nga emrat më të spikatuar të artit, ikonën e skenës dhe kinematografisë shqiptare, me Artisten e Popullit Tinka Kurti. Kjo rastësi më dha mundësinë të njihesha e të bisedoja më nga afër me aktoren e madhe shqiptare për artin e kulturën. Para disa viteve, aktorja më sygjeroi që të hidhja në skenar filmi subjektin e një tregimi që asaj i kishte pëlqyer shumë. Natyrisht që e shkrova me një frymë skenarin e filmit, pasi e dija shumë mirë që aktorët e mëdhenj i “nuhasin” subjektet interesante. Ja dhashë ta lexonte dhe, pasi e mbaroi skenarin, më tha fjalë shumë të mira për të dhe në një moment më pyeti;

– Agron, nga je ti?
– Nga Roskoveci,- ju përgjigja aty për aty.
– Edhe unë kam jetuar në Roskovec disa vite në fëmijëri, – më tha ajo qetësisht.
Fillimisht e mora si një shaka, ndaj nuk e pyeta sërish. Përpara disa muajve, në një nga televizionet shqiptare ku aktorja rrëfente për jetën e saj, midis të tjerave, ajo përsëriti sërish që disa vite kam jetuar edhe në Roskovec. Tashmë, nuk kisha asnjë pikë dyshimi që aktorja e madhe kishte jetuar në qytetin tim. Nuk e besoni sa u gëzova. Pa u vonuar, disa ditë më pas, i telefonova dhe poshtë pallatit ku jetojmë, i lashë takim për një kafe. Për hir të së vërtetës kishte ardhur disa minuta para meje dhe, pasi i kërkova ndjesë, filluam bisedën. Unë e pyesja dhe ajo përgjigjej me një memorie fantastike e siguri për t’u admiruar. Përmendëte emra, ngjarje e data sikur të kishin ndodhur dje, e jo para 60 apo 70 vjetësh.
Natyrshëm pyetja e parë e imja ishte:
– Ç’lidhje ka aktorja Tinka Kurti me qytetin tim të lindjes, Roskovecin?
– Tinka Kurti- Për të treguar se ç’lidhje kisha me Roskovecin do të më lejosh të tregoj me pak fjalë për prindërit e mi. Babai im quhej Dedë Kol Thani, nip i Mehmet Shpendit të famshëm nga zona e Nikaj Mërturit. Babai kishte studiuar në Akademinë Ushtarake në Grac të Austrisë dhe në kohën e Mbretërisë shërbente si oficer i Pallatit Mbretëror. Në fakt me bindje ai ishte  një mbështetës i hapur i Fan Nolit. Mbas rrëzimit të Nolit nga pushteti, Mbreti e dënoi me vdekje babain tim si edhe shumë kundërsharë të tjerë. Në këto kushte, i detyruar nga rrethanat e kohës, ai arratiset në Cetinjë të Malit të Zi, dhe më pas shkon në Sarajevë, ku njihet me nënën time Elizabet, një vajzë shumë e bukur hungareze, të cilën më vonë, në Shqipëri do ta thërrisnin Saveta. Aty nëna lindi një vajzë e cila vdiq shumë shpejtë. Në Sarajevë, në Babi Subashka linda unë më 17 Dhjetor të vitit 1932, për kuriozitet, në të njëjtën hyrje banese ku ka lindur dhe i madhi Robert Zhvarc.
Në këtë periudhë Mbreti bëri një amnisti të gjërë ku i fali të gjithë kundërsharët e tij politikë. Nga kjo amnisti përfitoi dhe babai im Deda. Mbreti e kërkoi sërish të kthehëj në punë si oficer në pallat, por babai nuk pranoi. Pasi punoi disa vite si kryetar komune në Peqin, në Dardhë të Korcës etj. në vitin 1940, ai emërohet kryetar komune në Roskovec.
Pyetje: Pra, ju keni ardhur familjarisht në Roskovec në vitin 1940. A mbani mend ku keni jetuar dhe si ishte Roskoveci në atë kohë?
– Tinka Kurti: Unë, në përiudhën kur familja jonë u vendos në Roskovec, isha e vogël, 8 vjeçe. Natyrisht që mbaj mend që fillimisht u vendosëm në një shtëpi njëkatëshe afër kënetës, por që kishte shumë lagështi. Për këtë arsye në këtë shtëpi qëndruam shumë pak dhe më pas u shpërngulëm në qëndër të qytezës. Mbaj mend që ishte një shtëpi dy katëshë e mirë, me një verandë të madhe ku ne fëmijët luanim, aty kemi dalë edhe fotografi,unë dhe vëllai im Koleci me një biçikletë. Më kujtohet gjithashtu që poshtë poshtë shtëpisë sonë buzë rrugës kryesore kishte një dyqan me qepena që tregtohej çdo ditë. Në atë kohë Roskoveci ishte një qytezë e vogël, por midis shumë dyqaneve e shërbimeve kishte edhe një farmaci, me pronarin e seëcilës, babai kishte miqësi. Më kujtohen gjithashtu disa nga familjet që jetonin atje, si Hebët, familja e një majori me mbiemrin Zegari, në mos gaboj, i cili kishte një shtëpi shumë të bukur në dalje të Roskovecit, me pemëtore të rregulluara shumë mirë, por edhe me dy vjaza shumë të bukura që binin në sy etj.
– Pyetje: Po shkollën fillore ku e keni bërë?
– Tinka Kurti: Kur erdhëm nga Dardha e Korçës, unë kisha mbaruar klasën e parë, kështu që klasën e dytë e bëra në shkollën e Roskovecit.
– Pyetje: Çfarë mbani mend nga koha shkollore?.
– Tinka Kurti: Shkolla ishte në majë të kondrës. Ishte një shkollë e vogë, por ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që të gjithë nxënësit e shkollës vinin me uniformë shkollore. Kjo gjë dhe ky detaj nuk më bëri përshtypje vetëm mua, por edhe nënës time, e cila një ditë më tha:”-Ju kujtoni se vetëm në Shkodër vishen nxënësit më uniformë?!” Eh, çfarë nëne kam pasur, sa fisnike, sa e dashur!.
– Pyetje: Po mësuësi i klasës së dytë, a ju kujtohet?
– Tinka Kurti: Po. Një burrë fisnik, tepër serioz e autoritar, më duket se e quanin Refat Mehqemeja. Meritë të padiskutueshme për këtë rregull në shkollë kishte padyshim edhe ai. Në Roskovec kam bërë klasën e dytë e të tretë. Kam mall të vijë e të shoh edhe një herë atje ku kam jetuar, ku kam mësuar. Po në Roskovec ka lindur Antoni, vëllai im i dashur, i cili fatkeqësisht është ndarë në mënyrë të parakohëshmë nga jeta. Edhe ai ka qënë një piktor i talentuar. Shpesh, kur mblidheshim, si motra e vëllezër, e ngacmonim me shaka Antonin e i thoshim që “ne jemi Shkodran, ndërsa ti ke lindur në Roskovec”.
“-Po, -thoshte ai,- asnjëherë nuk e kam mohuar, në Roskovec kam lindur”.
Kur kthehesha nga ndonjë shfaqje që jepnim në Fier ose Berat, shpesh Antoni më pyeste-“Hë, a ktheve në Roskovec?”.
Ndërsa flet e tregon me pasion e dashuri për këto kujtime, befas poshtë syzeve të saj rrëshkasin dy pika loti. Lotët janë burimi i ndjenjave, lotë malli, lotë motre për vëllanë që nuk jeton më. Të tillë janë artistët, me ndjenja të forta, me shpirt të ndjeshëm, të ngrohtë e njerëzorë. Qëndruam pak çaste pa folur, të zhytur thellë në mendime me ndjenjën e mallit për njërëzit që nuk i kemi më.
– Tinka Kurti: -Eh, mos m’i verë re. Edhe ai kishte shumë dëshirë të vinte në Roskovec, ndaj sot kam një shtysë akoma më shumë, për të shkuar në atë qytet, në qytetin e njerëzvë të mirë. Shpesh, mbas largimit nga Roskoveci, babai fliste me shumë respekt për njerëzit e kësaj zone, si njerëz të urtë, punëtorë, mikëpritësa e bujarë.
Babai kishte një veti të çuditshme; ishte mjeshtër i komunikimit, i njohjes dhe zgjidhjes së halleve të njerëzve, ndaj dhe roskovecarët e donin dhe e respektonin aq shumë. Mbrëmjeve, shtëpia jonë mbushej plot me njerëz, komshinj, tregtar, mësues etj. Na respektonin, por edhe i respektonim shumë. Nëna ime Saveta, më kujtohet që ndihmonte shpesh një komshije që nuk më kujtohet emri, por që kishte 9 fëmijë. Edhe pse ishte fisnike, ajo dinte të përshtatej aq bukur, me njerëzit e mirë kësaj qyteze të vogël. Mbas largimit nga Roskoveci, babai im u emërua në Potom të Skraparit, ku falë tij, shpëtuan dhjetra burra nga pushkatimi.
I tillë ka qënë babai im, një njëri me kurajo, i fortë, një shqiptar që donte bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare. Asgjë nuk kurseu për Shqipërinë. Në përpjekje për të ndihmuar realisht lëvizjen për bashkimin e shqiptarëve të Kosovës e Malit të Zi, arrestohet e dënohet nga serbët me 25 vjet burg, të cilat i kreu në një nga burgjet më të tmerrshme të ish – Jugosllavisë, në burgun famkeq të Goljotokut. Pas kryerjes së dënimit, kthehet në Shqipëri. Në vitin 1972 u nda nga jeta dhe u varros në Shkodër, me gjithë nderimet e duhura, për kontributet në interes të çështjes kombëtare. Tre vjetë më vonë, më 1975 mbylli sytë përgjithmonë edhe nëna jonë e dashur, Elisabeta.
Kjo ka qënë lidhja ime me Roskovecin, ndaj kam mall si çdo njëri, t’i shoh e shkel vendin ku kam jetuar e mësuar për më shumë se dy vjet, Roskovecin, qytetin e njerëzve të mirë.

Unë i premtova aktores se shumë shpejt së bashku do të udhëtojmë drejt Roskovecit. Në Roskovec ajo është e mirëpritur nga të gjithë qytetarët, me shumë respekt e dashuri, ashtu siç dinë të presin e hapin portat bashkëqytetarët e mi.
Qyteti i Roskovecit i jet titullin “Qytetar Nderi” Artistes së Popullit Tinka Kurti

Këto ditë Këshilli Bashkiak i qytetit të Roskovecit i akordoi titullin “QYTETAR NDERI” zonjës Tinka Kurti, Artiste e Popullit. Në Pallatin e Kulturës të qytetit u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të titullit ku ishin të pranishëm anëtarë të Këshillit Bashkiak, intelektualë e qytetarë të thjeshtë. Kryetari i Bashkisë së qytetit Roskovec, zoti Ylli Kola i dorëzoi Artistes së Popullit, Tinka Kurti titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin “Për kontributin e shquar në fushën e kinematografisë dhe teatrit, për rolin e madh që ka luajtur në emancipimin e shoqërisë shqiptare, për lidhjet e ngushta shpirtërore dhe historike me qytetin e Roskovecit ku ka kaluar disa vite të fëminisë si dhe për dashurinë që ruan për këtë qytet dhe bashkëqytetarët e tij”. Zonja Tinka Kurti, pasi falenderoi Këshillin Bashkiak për dhënien e titullit si dhe qytetarët e Roskovecit për pritjen shumë të ngrohtë, solli disa kujtime interesante nga vitet kur ka jetuar në Roskovec. Këto kujtime lidhen edhe me faktin se babai i saj zoti Ded Thani, patriot dhe intelektual i spikatur, ka qenë kryetar i Komunës së Roskovecit dhe që mbahet mend nga bashkëkohësit e tij për lidhjet e ngushta me shtresat e varfra të krahinës. E shoqëruar nga qytetarët e shumtë ajo shkoi pranë vendit ku ka banuar dhe ku është vendosur një pllakë përkujtimore me mbishkrimin “KËTU KA BANUAR PËR DISA VITE ARTISTJA E POPULLIT TINKA KURTI”. Më pas zonja Tinka Kurti vizitoi kishën e Kurjanit, një nga kishat më të vjetra të rajonit të Ballkanit, që është monument kulture.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here