Home Politike Negociatat Ruçi-Patozi, mbyllet takimi, ende nuk ka një marrëveshje

Negociatat Ruçi-Patozi, mbyllet takimi, ende nuk ka një marrëveshje

231
0

Ka përfunduar raundi i dytë i negociatave mes PS dhe PD. Takimi mes kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruci dhe atij të Partisë Demokratike Astrit Patozi ka zgjatur për rreth 90 minuta. Gjithcka është mbajtur e fshehtë pasi takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura ndërsa të dy përfaqësuesit nuk kanë folur për gazetarët në përfundim të takimit

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord në parim të zhvillojnë raundin e dytë të negociatave për ngritjen e komisionit hetimor të zgjedhjeve. Ky takim do të ketë në qendër të diskutimit teknikën që do të përdoret për hetimin e zgjedhjeve. Pas një fundjave reflektimi, palët do të nisin në këtë mënyrë diskutimet mbi pikën më të nxehtë të çështjes së tyre, për mënyrën se si do të ngrihet Komisioni i ri Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Megjithëse palët kanë rënë dakord në takimin e parë për ngritjen e këtij komisioni, negociatorët nuk kanë pasur një qëndrim të përbashkët për sa i përket çështjes së hetimit të fletëve të votimit, por edhe modaliteteve për hetimin e materialeve zgjedhore.

Midis periudhës së zhvillimit të nisjes së takimit të parë dhe deri në takimin e dytë që pritet të bëhet sot ose nesër, partitë politike janë përfshirë në debat brenda tyre mbi teknikalitetet që mund të ofrohen si zgjidhje për çështjen e fletëve të votimit. Pikërisht për këtë çështje, në Partinë Socialiste ka pasur pak ditë më parë një mbledhje të juristëve socialistë, të cilët janë edhe pjesë e Komisionit të Ligjeve. Siç është mësuar, selia rozë po përgatit një projektvendim për Komisionin e ri Hetimor për hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Krahas kësaj, socialistët po përgatisin edhe skenarë të ndryshëm për zgjidhjen e çështjes së hetimit përmes fletëve të votimit. Të gjitha këto përgatitje do të shërbejnë që në takimin e radhës midis negociuesve të shkohet me një projekt të qartë mbi hetimin e zgjedhjeve.

Por, një gjë për të cilën Partia Socialiste s’mund të bie dakord është djegia e fletëve të votimit, e cila është një kërkesë e bërë nga ata prej shumë muajsh. Ndërkohë, diskutimet më të forta pritet që të bëhen në lidhje me modalitetet e hetimit të materialeve zgjedhore. Komisioni hetimor do të ketë si detyrë që të verifikojë numrat e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike tek kompania franceze si dhe numrat e pasaportave të vjetra tek Ministria e Brendshme. Këto të dhëna duhet të krahasohen me procesverbalet e votimit, por edhe me sistemin TIMS të policisë. Sistemi tregon hyrje-daljet e shtetasve nga territori i Shqipërisë. Çështja më e nxehtë është se kush do të kryejë verifikimet. Socialistët nuk kanë besim që verifikimi mund të kryhet në mënyrë korrekte nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe personelit të saj. Ata do të kërkojnë që verifikimi i të dhënave që dalin nga materialet zgjedhore të kryhet nga një grup ekspertësh të autorizuar nga komisioni hetimor. Pra, baza e kërkesës së PS-së do të jetë vënia në dispozicion të komisionit i gjithë materiali i zgjedhjeve, të dhënat konfidenciale të kompanisë franceze që prodhon kartat dhe pasaportat biometrike, të dhënat e Ministisë së Brendshme si dhe databaza e sistemit TIMS. Nga ana e saj PD është e lëkundur në këtë pikë, por burime të kësaj partie pohuan se mund të lëshojnë pe dhe të plotësojnë kërkesën e opozitës.

Pika tjetër është ajo e fletëve të votimit. Këtu qendrimet e të dyja palëve janë diametralisht të kundërta, por duket se mund të arrihet një marrëveshje paraprake që kënaq të dyja palët: fletët e votimit të mos të digjen. Për to mund të vendosë Gjykata Kushtetuese (pretendimi i PD) ose Komisioni i Venecias (pretendimi i PS). Edhe PD duket se është dakord me dërgimin në Komisionin e Venecias, por nëpërmjet Kushtetueses. PS kërkon që të shkojnë nëpërmjet një rezolute të komisionit hetimor dhe kërkesës së kryeparlamentares Topalli.

Duke qenë se PS ka hedhur hapin e parë duke zhvilluar takimin, si dhe për faktin se presioni më i madh për gjetjen e një zgjidhje politike rëndon mbi mazhorancën qeverisëse, PD pritet të shfrytëzojë të gjithë hapësirën kohore për të ngritur brenda këtij muaji komisionin e ri hetimor. Nga selia blu mësohet se kryetari i grupit të PD mund të ofrojë një alternativë për ngritjen e Komisionit të ri Hetimor dhe me vijimin e punës së këtij komisioni të përcaktohen aty teknikalitetet për kutitë e fletëve të votimit. Kjo edhe për shkak të kohës së kufizuar për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, pasi mbaron edhe sesioni parlamentar. Nëse gjërat shkojnë siç parashikohen dhe në negociata gjendet një zgjidhje, brenda datës 26 korrik do të miratohet Komisioni i ri Hetimor.
______________________
14 korrik

Negociatat PS-PD, OK komisionit hetimor me shumicën e opozitës

UPDATE- Kreu i grupit te PS-se, Gramoz Ruci ka konfirmuar pas takimit me homologun demokrat, Astrit Patozi se të dy palët kanë vullnetin për ti dhënë një zgjidhje institucionale këtij problemi.

Pas nje takimi qe ka zgjatur mese dy ore, Ruçi ka pohuar pë mediat se është rënë dakord në këto pika:

Së pari, të dy palët ranë dakord për domosdoshmërinë e ngritjes së komisionit hetimor lidhur me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, sa më shpejt të jetë e mundur brenda këtij sesioni parlamentar dhe ky komision të jetë i ri, jo në vazhdim i atij vendimi të mëparshëm të parlamentit.

Së dyti, të dy palët ranë dakord që mazhorancën dhe drejtimin e komisionit ta ketë opozita dhe lidhur me këtë në takimet që do të pasojnë të gjejmë modalitetet përkatëse ligjore që kjo dakordësi politike të garantohet ligjërisht.

Së treti, ramë dakord që objekti i hetimit të jetë gjithçka që ekziston në kutinë e materialeve zgjedhore.

Së katërti, ramë dakord që të gjitha institucionet shtetërore KQZ-ja, apo institucione të tjera private që kanë lidhje me zgjedhjet sipas kërkesave që unë i parashtroj komisionit që mund të ngrejë parlamenti shqiptar, të jenë të detyruara që ti përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë dhe mundësisht brenda 7 ditësh.

Dhe së fundi ramë dakord që të jetë objekti i diskutimit të takimeve që do të pasojnë gjetja e modaliteteve për trajtimin e kutive të fletëve të votimit.

PATOZI
Nderkohe kreu i grupit te PD-se, Astrit Patozi ka konfirmuar renien dakord per ngritjen e komisionit me shumice opoziten, por eshte shprehur i palekundur ne qendrimin e mazhorances sa i takon fleteve te votimit, per te cilat sipas tij, PS-ja duhet t’i drejtohet Gjykates.

“I bëra të qartë bashkëbiseduesit tim, Gramoz Ruçi se mazhoranca është për respektimin e plotë të shtetit ligjor dhe brenda këtyre hapësirave është gati të pranojë cdo lëshim të opozitës. Jemi gati të implementojmë frymën e rezolutës së Parlamentit Evropian, duke theksuar se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë dokument që i referohet Shqipërisë që do të përfshijë në rradhë e tij kapërcimi e nenit të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, u shpreh Patozi.

Palet jane takuar se bashku ne Kryesine e Kuvendit për arritjen e një marrëveshje që do t’i japë fund krizës politike disamujore në vendin tonë.

Previous articleSHBA gati 40 njohje të reja për Kosovën pas vendimit të GJND
Next articleTinka Kurti: Ju rrëfej origjininën time hungareze

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here