Home Aktualitet Shtimi i reshjeve, përmbytje në Lezhë e Krujë

Shtimi i reshjeve, përmbytje në Lezhë e Krujë

549
0

rreshjeReshjet e shiut të ditëve të fundit kanë përmbytur qindra hektarë tokë në zonën fushore të qarkut të Lezhës dhe në Krujë. Sipas informacioneve të fundit tre familjeve në fshatin Kakarriq të komunës Balldre u ka vërshuar uji në banesa dhe qindra hektarë tokë bujqesore ndodhen nën ujë. Shkak për përmbytjet është bërë dalja nga shtrati i lumit Drin.

Drejtori i bordit të kullimit në Lezhë, Petrit Gjoni, deklaron se situata mund të përkeqësohet. Ai shprehet se lumi Gjadër nuk është pastruar prej 25 vitesh. Gjithashtu bën me dije se reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në Kurbin, Gjorm dhe Shëngjin, ndërkohë Gjoni kërkon që të shpallet gjendje emergjence nëse situata agravon.

Shtabi i Emergjencave për qarkun e Lezhës bën me dije se deri tani janë përmbytur 3500 hektarë tokë. Nga këto 1500 hektarë janë nën ujë në zonën e Zadrimës dhe 1500 hektarë janë përmbytur në zonën e Kakarriqit. Sipas shtabit të emergjencave prezencë uji ka edhe në 150 banesa.

Po kështu rreth 300 hektarë tokë ndodhen nën ujë në Shën Koll e Zejmen ndërkohë në Fushë Gjormë të Kurbinit janë përmbytur 200 hektarë tokë.

Përmbytje të mëdha janë shënuar edhe në Krujë. Qindra hektarë tokë janë mbuluar nga uji në komunat Bubq dhe Thumanë. Përmbytje ka në fshatrat Murqinë, Mallkuç, Bilaj dhe Dukagjin. Pjesa më e madhe e sipërfaqeve të përmbytura në Krujë janë të mbjella. Shkak për përmbytjet është bërë bllokimi i kanaleve dhe dalja nga shtrati i lumit Ishëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here