Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me breshëri automatiku drejt një autobusi në lëvizje i cili transportonte punëtore të një fabrike këpucësh. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 07:00 në rrugën e re tek zona e Ish-Kënetës.
Nga të shtënat me armë është plagosur rëndë drejtuesi i autobusit Albert Gjeçi, banor i lagjes nr 4 të Durrësit.
ATENTATORI ME MOTOR E KOKORE
Gazetari i Tv A1 Report dhe Shqiptarja.com, Artur Korriku informon se personi që ka qëlluar ka qenë me motor dhe me kokore në kokë. Ai ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të autobusit. Fatmirësisht nuk ka persona të tjerë të lënduar përveç shoferit, ndërkohë që autobusi ishte i mbushur plot me punëtore të cilat do të transportoheshin drejt godinës së biznesit fason, në rrugën Durrës- Shijak.
OBJEKTIV I ATENTATIT SHOFERI
Korrespondenti i Durrësit Artur Korriku i cili po ndjek nga afër ngjarjen na informon se dyshimet e para të policisë janë se objektiv i këtij krimi mund të ketë qenë shoferi i autobusit.
46-vjeçari Gjeçi është dërguar në spital dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, pasi ka marrë një plumb në mushkëri.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për mbledhjen e provave, dhe hetimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Fillimisht u tha se nga atentati ishte plagosur dhe një grua, por më pas u saktësua se gruaja vetëm kishte pësuar tronditje psikologjike dhe nuk kishte plagë të shkaktuara nga plumbat.