Kryetari i Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili, nipi i Klement Balilit, i cili është shpallur në kërkim me akuzën e trafikut të drogës, hedh poshtë deklaratën e ish-ministrit Manjani se ka parë filmime të ministrave me dashnoret në hotelin “Santa Quaranta”.
Sipas tij, gjithçka është e regjistruar në serverin e hotelit dhe ai është i gatshëm t’ia vërë në dispozicion drejtësisë, nëse diçka e tillë do t’i kërkohet, shkruan “Panorama”.
Z. Balili, cili është qëndrimi juaj sa u përket akuzave të ish- ministrit Manjani se në hotelin “Santa Quaranta” kanë fjetur ministra me dashnore?
Të gjitha akuzat e Manjanit janë shpifje. Janë më se të vërtetueshme nga serveri që deri para dy muajsh ka qenë në punë. Unë deklaroj me përgjegjësinë time të plotë para ligjit se askush nga ministrat nuk ka ardhur as me bashkëshortet e tyre dhe as me dashnoret. I vetmi ministër që e frekuenton resortin e familjes sime është Ylli Manjani.
Manjani sot (dje) ka deklaruar se ka qenë vetëm në kafen e hotelit me familjen e tij…
Po, është e vërtetë, sepse ai ka një banesë ngjitur me biznesin e familjes sonë. Ka ardhur me familjen. Unë e njoh edhe gruan e tij, i kam miq të dy. Por pavarësisht miqësisë, nuk mund të bie pre e këtyre akuzave të Manjanit, pasi kjo ka pasur një kosto të madhe për biznesin tonë. Në njëfarë mënyre gjithë këto akuza na kanë ndëshkuar.
Në ç’kuptim jeni ndëshkuar? Janë larguar klientët tuaj VIP?
Po, domosdo. Çdokush që ka një post nuk vjen më aty. Të gjithë kanë frikë të vijnë sepse një foto në resort mund të komentohet dhe t’u prishë punë.
Janë larguar edhe klientët politikanë?
Po, sepse siç thashë, duan t’u shmangen këtyre akuzave dhe të mos bëhen pjesë e tyre. I vetmi që na ka qëndruar besnik është, për shembull, ish-deputeti Koço Kokëdhima. Ai ka ardhur shpesh me familjen e tij dhe vijon të vijë sepse e di shumë mirë se “Santa Quaranta” nuk ka lidhje fare me Klement Balilin. Pas shpërthimit të politikës e mediave ndaj biznesit tonë, ne kemi pasur anulim edhe nga ambasada të ndryshme. Ata rezervonin salla konferencash për aktivitete të ndryshme, e më pas edhe fjetjen.
Klement Balili nuk është pronar i hotelit?
“Santa Quaranta” është në pronësi të Bashkim Balilit, xhaxhai im. Klement Balili është pronar me zero për qind, s’ka lidhje fare. Meqë kemi një mbiemër, ndëshkohemi edhe ne me biznesin tonë. Na shkatërruan biznesin, ndaj ne jemi duke përgatitur të ngremë padi ndaj kujtdo që e ka lidhur “Santa Quaranta” me “Eskobarin”.
Ju thatë se gjithë aktiviteti i hotelit është dokumentuar në serverin përkatës. Jua ka kërkuar ndokush këtë server?
Jo, deri më tani jo, por unë jam i gatshëm t’ia vë në dispozicion drejtësisë nëse do ta kërkojë.