Home Kulture Xhorxh W. Bush “rikthehet” në Fushë-Krujë

Xhorxh W. Bush “rikthehet” në Fushë-Krujë

985
0

Pas katër vitesh të vizitës historike të presidentit të Shteteve të Bashkuara në Fushë-Krujë, Xhorxh W. Bush është rikthyer sërish por këtë herë më një bust në mes të qytetit. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryeministri Berisha, i cili deklaroi se krutanët i dhanë presidentit Bush dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mesazhin më të fortë të pro-amerikanizmit të shqiptarëve. Në 10 qershor të vitit 2007 ish-presidenti amerikan vizitoi vendin tonë dhe pas Tiranës ai ishte në Fushë-Krujë ku iu bë një pritje madhështore. Gjatë asaj vizite, nuk mund të harrohet dhe lajmi i rremë i vjedhjes së orës së presidentit që u shkrua thuaje në të gjitha mediat botërore, por që rezultoi i pavërtetë, duke u përgënjeshtruar nga vetë Shtëpia e Bardhë.

Ceremonia

Kryeministri Berisha rikujtoi vizitën e ish-presidentit amerikan në Shqipëri ndërsa shprehu besimin se qyteti që mikpriti Bushin tregoi tërë proamerikanizmin e popullit shqiptar ndaj aleatëve të mëdhenj amerikanë. “Presidenti solli për kombin shqiptar dy mesazhe historike. Shqipëria në NATO ishte deklarata e tij në Tiranë. Ai zgjodhi Tiranën për të shpallur pavarësinë e Kosovës. Kosova e pavarur!”- deklaroi Berisha. Duke u ndalur tek integrimi i Shqipërisë, por edhe i Kosovës, kreu i ekzekutivit falënderoi qeverinë amerikane për gjithë mbështetjen dhe përkrahjen e dhënë ndaj mbare popullit shqiptar.

Deklarata e Berishës

“Le të shprehim ne nderimin më të madh për presidentin Xhorxh W. Bush, për Shtetet e Bashkuara, presidentin Obama, mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme, mbështetjen e plotë. Ne me ato ndjenja dashurie e respekti që dëshmuam në këtë shesh e kudo do bëjmë gjithçka për të konsoliduar në Shqipërinë lirinë, shtetin e së drejtës, ekonominë e tregut. Do bëjmë çdo gjë të përmbushim detyrimet tona si anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Do bëjmë gjithçka që të zgjerojmë çdo ditë e më shumë liritë e qytetarëve shqiptarë”- tha Berisha. Vetëm katër vjet më parë, në vizitën e tij në Shqipëri presidenti i 43-të i Shteteve te Bashkuara të Amerikës u ndal në qytetin e Fushë-Krujës ku jashtë protokollit pati takime me qytetarët. Gjate vizitës së tij në Fushë-Krujë Bush u shpall dhe qytetar nderi i këtij qyteti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here