Home Kosova Konferenca Islamike, thirrje për njohjen e Kosovës

Konferenca Islamike, thirrje për njohjen e Kosovës

687
0

Organizata e Konferencës Islamike (OKI), në sesionin e 38 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, të zhvilluar në Astana të Kazakistanit, ka miratuar një Rezolutë për situatën në Kosovë.

OKI-ja në pikën e tetë të Rezolutës, për herë të parë thërret të gjitha shtetet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike që të marrin në konsideratë njohjen e Kosovës, duke u bazuar në të drejtat e tyre të lira dhe sovrane si dhe përputhje me praktikat e tyre kombëtare, bën të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate për media.

Po ashtu, kjo Konferencë, me Rezolutën e aprovuar, njeh plotësisht Opinionin Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë  për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, i publikuar me 22 korrik 2010, në të cilin Gjykata ka konkluduar se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur as ligjet e të drejtës ndërkombëtare e as rezolutat relevante.

Në këtë sesion të Konferencës ishte të pranishëm edhe ekipi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i udhëhequr nga Beqir Ismaili, këshilltar i jashtëm i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite, z. Rexhep Boja dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt njohjeve që rezulton nga Strategjia për njohje e miratuar nga Qeveria e Kosovës, vijon komunikata.

Në Rezolutë, OKI-ja njeh përparimin e bërë në Kosovë dhe mirëpret anëtarësimin e saj në organizatat botërore. Organizata e Konferencës Islamike, është organizata e dytë më e madhe ndërqeveritare pas Kombeve të Bashkuara me gjithsej 57 shtete anëtare nga katër kontinente të ndryshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here