Shpërthimi në minierën e qymyrgurit në perëndim të Turqisë ka shkaktuar vdekjen e të paktën 201 minatorëve dhe plagosjen e shumë të tjerëve. Ministri turk i Energjisë, Taner Yildiz, tha se brenda në minierën e Somas në Manisa ndodheshin 787 persona kur një defekt elektrik shkaktoi shpërthimin.
Ekipet e shpëtimit punuan gjatë gjithë natës në përpjekje për të nxjerrë qindra minatorë të tjerë të bllokuar nëntokë. Numri i viktimave u konfirmua nga ministri Yildiz, i cili tha se helmimi nga oksidi i karbonit kishte marrë shumë jetë dhe se brenda minierës po pompohej oksigjen për të ndihmuar të bllokuarit.
Defekti elektrik shkaktoi edhe ndërprerjen e energjisë elektrike duke bërë që ashensorët e minierës të mos funksionojnë. Minatorët e bllokuar raportohet të jenë 2 km nën sipërfaqen e tokës dhe 4 km larg hyrjes së minierës. Kryeministri Rexhep Taip Erdoan për shkak të kësaj tragjedie shtyu vizitën e planifikuar për në Shqipëri, pasi do të vizitojë Soman, vendin e tragjedisë.