TIRANË – Një qytetar i cili kërkoi kuponin tatimor për çka kishte konsumuar në lokal është përballur me dhunën e kamerierit i cili ra në prangat e policisë. Blutë e kryeqytetit arrestuan 22-vjeçarin Emiljano Maliqi, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, i cili veç të tjerash punonte në të “zezë” në lokalin “Erlin” në kryeqytet.
Incidenti është shënuar më 5 shtator në ambientet e lokalit. Sapo klienti me inicialet S.H i ka kërkuar kuponin tatimor, kamerieri i “revoltuar” nga ky fakt i është kthyer me grushte duke e dëmtuar. Efektivët e komisariatit numër 4 arrestuan në flagrancë kamerierin dhe bashkë me të në pranga ra edhe administratori i lokalit, 38-vjeçari Dritan Jonuzi.
Arrestimi i tij erdhi pasi në biznesin në fjalë nuk jepeshin kuponët tatimorë në asnjë rast, duke shmangur kështu detyrimet tatimore. Ky konstatim u arrit pas kontrollit që bënë në lokalin “Erlin” inspektorët e Tatimeve që janë në terren në kuadër të aksionit kundër informalitetit, dhe Sektori për Krimin Ekonomik Financiar.
Kamerieri akuzohet zyrtarisht për “plagosje të lehtë” dhe “prishje të qetësisë publike, ndërsa ndaj administratorit rëndojnë dy akuza të tjera, ajo e fshehjes së të ardhurave dhe e punësimit të paligjshëm, pasi punëtorët nuk ishin të siguruar.
Aksioni mbarëkombëtar që qeveria ka nisur për të luftuar informalitetin, ka ndërgjegjësuar në masë qytetarët ku në shumë raste janë vetë ata që kërkojnë të pajisen me kupon tatimor për shërbimet që u ofrohen…por fatkeqësisht ka edhe përballje të tilla si rasti i kamerierit 22-vjeçar.