Kompanitë ulin tarifën për sigurimin e detyrueshëm. 4500 lekë për makinat e vogla
Ulje-ngritjet e çmimeve në tregun e siguracionit të makinave tashmë nuk habisin askënd, thjesht kanë çorientuar qytetarët që nuk dinë se kur duhet ta paguajnë tarifën, pasi një ditë është më shtrenjtë e tjetrën më lirë. Ulja e fundit e MTPL-së është bërë prej gati një jave nga kompanitë e sigurimit, të cilat pasi ulën tarifën për makinat e vogla me kapacitet motorik deri në 1.6 cm3, kanë ulur edhe çmimet për makinat me kubaturë mbi 1.6 cm3.
TARIFAT
Aktualisht një makinë me kapacitet motorik deri në 1.6 cm3 duhet të paguajë 4500-5000 lekë si prim sigurimi. Pak kohë më parë çmimi i saj ishte 14 600 lekë, ndërkohë që kompanitë e ulën dhe e çuan në nivelin 7000 lekë. Tashmë radha ka qenë të ulet siguracioni për makinat me kapacitet motorik mbi 1.6 cm3 dhe nga 14 600 lekë, që ishte tarifa që aplikonin të gjitha kompanitë, tashmë çmimi është ulur në 7000 lekë. Lëvizjet e njëpasnjëshme të tarifave dhe në mënyrë të unifikuar për gjithë kompanitë, kanë krijuar amulli në treg dhe qytetarët shprehen të pakënaqur që dikujt i duhet të paguajë 14 600 lekë dhe tjetrit 4500 lekë, kur në fakt i vetmi ndryshim për të dyja rastet është “fati”. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që është edhe monitoruesi i tregut, ka deklaruar se nuk mund të ndërhyjë te primi që vendosin kompanitë, pasi tregu është i liberalizuar dhe në këto kushte mbetet thjesht vëzhgues. Ndërkohë që kompanitë marrin vendime të njëkohshme, dhe nëse do të numërojmë gjithë ndryshimet e çmimeve të aplikuara këtë vit, shtuar këtë të fundit, është e teta herë që aplikohet tarifë e re. Një paqëndrueshmëri e tillë e tregut tregon edhe një herë se liberalizmi i primit të sigurimit po përdoret me sezone herë duke u rritur e herë duke u ulur në maksimum dhe se vlerësimet e bëra për këtë çmim nuk kanë në bazë riskun.
PRIMI I RISKUT
Banka Botërore, së bashku me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në një projekt të përbashkët u sugjeruan kompanive që përllogaritjen e çmimit ta orientojnë drejt primit të riskut. Pra çdo kompani duhet të kenë një prim individual që paraqet situatën e kompanisë, pjesën e tregut, kontingjentin e të siguruarve që ka dhe një sërë faktorësh të tjerë që shërbejnë në përllogaritje. Por, unifikimi i çmimeve nuk tregon primin e riskut të asnjë kompanie. Në këto kushte, AMF ka miratuar për referencë një prim mesatar risku për tregun. Kështu, primi mesatar i riskut është 6500 lekë për makinat me kapacitet motorik deri në 1.6 kubik dhe 9400 lekë për makinat me kapacitet motorik mbi 1.6 kubik. Ky prim u vendos pas atij të miratuar në tetor të vitit 2011 dhe në fakt ka ardhur me ulje.