Janë tre subjekte të sektorit të ndërtimit, me të cilat Autoriteti Kombëtar Rrugor ka lidhur këto ditët e fundit kontrata shtesë për punime në infrastrukturë. Pavarësisht se është pezulluar zhvillimi i tenderave për vepra publike të përmasave të mëdha gjatë ndërrimit të qeverive, kompanitë, të cilat kanë qenë ndër klientët më të mëdhenj të qeverisë Berisha kanë përfituar marrëveshje për kontrata shtesë.
POGRADECI
Kontrata e parë është nënshkruar midis Autoritetit Rrugor dhe kompanisë PE – VLA – KU që vepron në konsorcium me subjektin Çaushi. Ajo është firmosur më datë 12 shtator. Në kontratë vihet në dukje se punimet janë shtesë e kontratës së mëparshme, për lotin e dytë të segmentit nacional që lidh Qafë Thanën, fshatin e Linit dhe qytetin e Pogradecit, buzë liqenit, rrugë e cila është në gjendje skandaloze, ngaqë punimet janë ndërprerë për muaj me rradhë për mungesë fondesh. Vlera e kontratës për këto punime shtesë është në masën 323.7 milionë lekë të reja, ose 2.3 milionë euro.
RRUGA E ELBASANIT
Një tjetër kontratë është arritur gjithnjë midis Autoritetit dhe kompanisë së njohur ANK, emri i së cilës përmendet shpesh ndër fituesit e tenderave të mëparshëm gjatë tetë viteve të fundit. Fjala është për punime, edhe këto të bllokuara, për zgjerimin e segmentit të Rrugës së Elbasanit në kryeqytet, që nis nga Fakulteti Filologjik, për të përfunduar në Unazën e Madhe të Tiranës, në zonën e TEG-ut. Vlera është 158 milionë lekë ose 1,1 milionë euro. Kontrata është nënshkruar më 13 shtator.
TIRANE- VORE
Kontrata tjetër është ajo, e nënshkruar po më 13 shtator, për punimet shtesë në rrugën paralele me autostradën Tiranë-Vorë, krahu i majtë, në vlerë 100 milionë euro ose 714 mijë euro. Punimet do të kryhen nga Salillari.
TE DHENAT
Segmenti Qafë Thanë – Lin – Pogradec (Loti 2) – shtesë
Subjekti
PE – VLA – KU & Çaushi
Vlera
323.7 milionë lekë
Data e lidhjes së kontratës
12 shtator
Segmenti
Zgjerimi Rruga e Elbasanit – Unaza e Madhe Tiranë
Subjekti
ANK
Vlera
158 milionë lekë
Data e lidhjes së kontratës
13 shtator
Segmenti
Tiranë – Vorë rruga paralele krahu i majtë
(shtesa)
Subjekti
Salillari
Vlera
100.2 milionë lekë
Data e lidhjes së kontratës
13 shtator