Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë versionin e tij sesi mund të pranojë që të mos kandidojë më për kreun e këtij institucioni në zgjedhjet e radhës në pranverën e 2014- ës. Kjo, sipas Dukës, varet edhe nga kandidati përballë, të cilit, nëse do të parapëlqehet edhe nga ambienti i futbollit shqiptar, do t’ia hapë rrugën. Gjatë intervistës në “Ora sport debat” në “Ora News”, kreu i federatës ka folur edhe për një hyrje të tij në politikë, si dhe gjithë problematikën që ka aktualisht futbolli ynë.
Si e shikoni gjendjen aktuale të një skuadre si Tirana?
Tirana është në anarki totale dhe gjithë kjo vjen nga keqmenaxhimi. Tirana duhet t’i gjejë fajet te vetja. Unë besoj se asnjë klub në Shqipëri nuk ka burime fitimi më shumë sesa bardheblutë, për vetë faktin se është skuadër e kryeqytetit. Tirana ka financat më të mira, sesa le të themi, sa 80% e klubeve të Superiores, ndaj problemi aty nuk është financiar. Mendoj se duhet të organizohet më mirë dhe të mos bjerë nga kategoria.
Është folur shumë se ju personalisht keni favorizuar Skënderbeun gjatë kësaj periudhe, duke qenë se keni një lidhje më të ngushtë me presidentin e këtij klubi…
Ka shumë fjalë dhe etiketime, por asgjë të vërtetë. Gjithnjë kur një skuadër humbet, mundohet të gjejë justifikime dhe gishti drejtohet kryesisht nga federata. Ashtu sikundër në rastin kur një skuadër bie nga kategoria, sërish me faj bëhet federata. Ne jemi munduar që ta organizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme garën, duke mos favorizuar askënd. Normalisht jemi mundur t’i ndihmojmë klubet me aq mundësi sa kemi dhe ndoshta këtu mund t’ju them se duhej të kishim bërë pak më shumë.
Së fundmi Disiplina ka dhënë një vendim të ashpër për Kukësin, si e komentoni?
Pikë së pari duhet të themi se Kukësi është për t’u përgëzuar për atë çka ka bërë gjatë edicionit të fundit, por mos harrojmë se aty ka një meritë të madhe, e them me bindje më shumë se 60% edhe FSHF-ja.
Për çfarë e keni fjalën?
Fusha e Kukësit është investim 100% i federatës. Fusha, jo stadiumi. Gjithashtu federata, si rrallëherë, ka dhënë 100 mijë euro premio për këtë skuadër për arritjen në Europë. Por, përveç kësaj, federata ka qenë gjithnjë në krah të këtij klubi për çdo gjë. Dhe ajo që ndodhi në Kukës, sipas meje, nuk duhej të ndodhte. Tani unë nuk ndihem komod të komentoj vendimin e komisionit, por them se Disiplina ka zbatuar rregulloren dhe kaq. Nëse nuk ka ndodhur kjo, atëherë ka Apelim dhe të shikohet nëse është zbatuar rregullorja apo jo. Por, unë mendoj se jemi brenda të gjitha rregullave të lojës.
Shpesh kampionati ynë etiketohet se ka shumë ndeshje të dyshuara si të trukuara…
Gjithë bota e futbollit zien nga kjo gjë dhe normalisht që edhe Shqipëria nuk bën përjashtim. A ka të vërteta në këtë gjë? Po, sigurisht që ka edhe të vërteta, por në shumë raste hiperbolizohen në maksimum. Janë gjëra që kanë ekzistuar edhe më parë dhe ne jemi mundur që t’i parandalojmë. Mendoj se, në krahasim nga sezoni i kaluar, kemi një evoluim në këtë aspekt, pasi vjet ishte formati i kupës ai që favorizonte dyshimin e rezultatit të ndeshjeve.
A ka dosje të ardhura nga UEFA për trukime në FSHF?
Shumë herë më pak sesa vitet e shkuara. Ne kemi një inspektor që merret vetëm me këtë gjë dhe çdo sinjalizim ai ia dërgon Komisionit të Etikës.
Pse jo Prokurorisë?
Nuk është se nuk i kemi dërguar edhe Prokurorisë. E kemi bërë jo një, por disa herë, dhe çështjet janë mbyllur, por duhet thënë se edhe Prokuroria e ka të vështirë që të gjejë prova për këto ndeshje të dyshuara, kryesisht nga vënia e shumë parave në baste. Ne jemi munduar që të bëjmë edhe një gjë tjetër: që të japim ne vendime mbi trukimet, por shikoni çfarë ndodh kur e dënon për një incident banal dhe lëre më ta dënosh për trukim. Unë zgjedhjen e shikoj që klubet vetë të firmosin një deklaratë që Etika të dënojë këdo vetëm në bazë të pamjeve filmike, por edhe këtë e shikoj si të pamundur.
Ka dosje për ekipet tonë kombëtare?
Nuk e di, sepse këto nuk vijnë në federatë, pasi ndeshjet e kombëtareve organizohen nga vetë UEFA.
Ku do t’i luajë ndeshjet Kombëtarja shqiptare edicionin tjetër?
Ka dy mundësi: në Shkodër, ose në Elbasan. Kemi bërë preventivat për rregullimin e këtyre dy stadiumeve dhe do t’ia paraqesim ministrisë. Një pjesë e investimit do e bëjmë edhe ne. Elbasani kërkon më pak investim, rreth 1.2 milionë euro, ndërsa për Shkodrën duhen 2 milionë euro.
Ju e përjashtoni emigrimin e Kombëtares?
Kjo është gjëja e fundit që mendoj. Them se shteti i ka mundësitë që të japë 1 milion euro, në mënyrë që Kombëtarja të mos luajë jashtë.
Po vijnë zgjedhjet në federatë, nuk jeni i lodhur apo nuk dëshironi sfida të reja?
Mendoj se në katërvjeçarin e ardhshëm unë mund të kontribuoj edhe më shumë, pasi tani kam edhe eksperiencën në drejtim të këtij institucioni.
Pra do të kandidoni sërish?
Deri tani jam me këtë mendje, por mund të ndryshoj mendim. Mund të ndryshoj nëse vërej rrethana që deri në asamble më bëjnë të marr një vendim tjetër. Për momentin, them të vazhdoj dhe të kontribuoj.
Do të varet nga konkurrenti përballë?
Jo, garat mua më pëlqejnë, nuk më trembin.
Për shembull, nëse përballë jush do të ishte Igli Tare? Mund të tërhiqeshit për t’i hapur rrugë një njeriu të futbollit?
Po të ketë një gjykim të tillë në ambientin e futbollit, nëse ambienti i futbollit prodhon një figurë dhe anëtarët do e parapëlqejnë këtë figurë, pse jo të mos i hap edhe rrugën. Por, nëse ambienti i futbollit nuk do të jetë i tillë, atëherë “jo”.
Do ta zgjidhni pasardhësin?
Nuk e zgjedh unë pasardhësin. Unë nuk mund të mohoj edhe ndonjë ndikim timin dhe mbështetjen për ndonjë individ që mund të drejtojë për të ardhmen. Nuk ka pse edhe unë të mos kem një të pëlqyer.
Thuhet se ju nuk do të kandidoni për kreun e FSHF-së vetëm nëse do të merreni me politikë…
Sinqerisht nuk më ka pëlqyer politika, edhe pse jam marrë shumë gjatë kësaj kohe, pasi bëj politikë sportive. Por, kurrë mos thuaj kurrë.
Thuhet se ju mund të jeni kandidat për Bashkinë e Durrësit…
Unë po ju them se nuk e kam këtë projekt në kokën time.