Home Politike Rama: Prishje ndertimeve pa leje deri ne Butrint.

Rama: Prishje ndertimeve pa leje deri ne Butrint.

622
0

sarandaKryeministri Rama ka prezantuar bashkë me dy ministrat e tij, Çuçi dhe Gjermeni, projektet që do të zbatohen në vijën bregdetare Himarë–Konispol. Në takimin e zgjeruar të zhvilluar në hotel “Butrinti” në qytetin e Sarandës, ku merrnin pjesë kryetarë bashkish dhe komunash të qarkut të Vlorës, nuk është lejuar prezenca e mediave. I pranishëm në këtë takim ka qenë dhe drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci dhe deputetë të qarkut të Vlorës. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama është shprehur se prishjet do të arrijnë deri në Butrint, kudo ku është prishur bregdeti dhe pengohen projektet zhvilluese të turizmit, qeveria do të ndërhyjë. Por, ajo që ka surprizuar të pranishmit, ishte deklarata për shëtitoren e qytetit të Sarandës. Sipas Ramës, shëtitorja e këtij qyteti do të shkojë deri në Kanalin e Çukës, në dalje të qytetit. Deklarata është komentuar në mënyra të ndryshme nga të pranishmit pas takimit, pasi nga hotel “Butrinti” e deri në kanalin e Çukës zona ka një dendësi të madhe ndërtimesh që janë bërë në këto 23 vjet. Një tjetër premtim i Ramës për qytetin e Sarandës ishte dhe vënia në eficiencë e ujësjellësit të qytetit dhe fuqizimi i tij, për të përdorur të gjitha burimet ujore që ndodhen rreth qytetit të Sarandës për të siguruar ujë të pijshëm 24 orë. Duke folur për buxhetin e ri, Kryeministri Rama u ka thënë të zgjedhurve vendorë se viti 2014 do të jetë i vështirë, dhe u ka kërkuar vendorëve të mos presin një buxhet të copëtuar për çdo njësi vendore. Kryeministri është shprehur se do të financojë nga buxheti i shtetit çdo projekt ambicioz dhe eficient për komunitetin e zonës dhe nuk do të lëvrojë fonde për projekte që nuk i hyjnë në punë askujt. Janë prezantuar rreth 120 projekte për të gjithë zonën, që nga Himara e deri në Konispol, të quajtura si projektet e investimeve kapitale dhe që prekin infrastrukturën, ujësjellësit dhe rikuperimin urban. Projektet e prezantuara janë hartuar pas konsultimeve dhe propozimeve të bëra nga grupet e punës së njësive vendore që ka qarku i Vlorës. Kryeministri Rama ka kërkuar që në këtë projekt të madh të përfshihet dhe Llogaraja e Orikumi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here