Përcaktohet largësia për ndërtimet anash rrugëve, autostradave, superstradave, rrugëve interurbane, rrugëve kryesore e dytësore si dhe rrugëve brenda lagjeve. Largësia e detyrueshme e ndërtimeve fillon nga 2 metra deri në 60 metra. Në bazë të largësive të përcaktuara në Kodin e ri Rrugor do të përcaktohet edhe fati i ndërtimeve anash rrugëve në të gjithë vendin. Objektet që shkelin largësitë e përcaktuara rrezikojnë të shemben.
NDËRTIMET NË QENDRAT E BANUARA
Në Kodin e ri Rrugor përcaktohet që largësitë nga kufiri rrugor në brendësi të qendrave të banuara që duhen respektuar në ndërtimet e reja, në shembjet e plota, në rindërtimet apo në zgjerimet përballë rrugës, nuk mund të jenë më pak se 30 metra për rrugët e tipit A, autostrada dhe 20 metra për rrugët e tipit D, rrugët urbane dytësore. Ndërsa për rrugët e tipit E, rrugë interurbane dytësore dhe F, rrugë lokale për sigurimin e qarkullimit rrugor nuk është përcaktuar largësia minimale nga kufiri rrugor. Sipas kodit të ri, në rastet e mungesës së veprimtarisë urbanistike në fuqi, largësitë nga kufiri rrugor që duhen respektuar në qendrat e banuara nuk mund të jenë më të vogla se: 30 m për rrugët e tipit A, 20 m për rrugët e tipit D dhe E dhe 10 m për rrugët e tipit F. Largësitë nga kufiri rrugor në brendësi të qendrave të banuara që duhen respektuar në ndërtimin apo rindërtimin e mureve rrethuese, të çdo lloj natyre apo përbërjeje, anës rrugëve, nuk mund të jenë më të vogla se 3 m për rrugët e tipit A dhe 2 m për rrugët e tipit B.