Home Aktualitet Drejtori i Pergjithshem i Policise jep doreheqjen. Shkak zhvillimet per ceshtjen Frroku

Drejtori i Pergjithshem i Policise jep doreheqjen. Shkak zhvillimet per ceshtjen Frroku

677
0

Artan-Didi-kopnferenceDrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi është dorëhequr sot nga posti që mbante. Dorëheqjen e tij të parevokueshme Didi e ka dhënë sot në një mbledhje me krerët e policisë, (ora 09:45). Artan Didi mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që nga tetori 2013-të.

Më herët, Didi e ka paraqitur dorëheqjen edhe tek ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kryeministri i vendit Edi Rama. Në një letër që Didi i ka dërguar kryeministrit Rama thuhet se dorëheqja e tij vjen me motivacionin “për përgjegjësi morale mbi të gjitha ngjarjet e ndodhura”.

Shkak për dorëheqjen e Didit janë bërë zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e deputetit Mark Frroku, për akuzën që i bën atij shteti belg, në lidhje me një vrasje dhe për mosveprimet e Interpol Tiranës. Dorëheqja e tij lidhet me akuzën për Shefin e Interpolit të Tiranës, Artan Bajraktarit dhe një specialisteje të Interpolit, të cilët akuzohen për ‘shpërdorim detyre’ pasi fshehën urdhërarrestin dhe informacionet e dërguara nga Belgjika për Mark Frrokun.

Bëhet fjalë për një dokument të Interpol Belgjikës të mbërritur më 8 janar të këtij viti për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frroku, për akuzat e drejtësisë belge për vrasje, si dhe për një dokument të datës 23 janar, ku Interpol i Brukselit, ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e Mark Frrokut.

Në letrën e tij drejtuar kryeministrit, Didi shprehet se e jep dorëheqjen për shkak të pamundësisë së tij për të parandaluar fshehjen e dokumenteve të Interpol Belgjikës nga ana e shefit dhe specialistes së Interpol Tiranës.

“Modelin e punës që u mundova ta fus në institucion po e shoqëroj me modelin e dorëheqjes, kur diçka nuk ecën sipas pritshmërisë që ti ke dhe të asaj pritshmërie që kanë të tjerët për punën e institucionit që ti drejton. Shkelja e procedurave ligjore të specialistit të Interpolit dhe të shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cenoi në njëfarë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndonëse ishte po ky institucion që shkaktoi gabimin.

Për këtë arsye, duke e vlerësuar këtë ngjarje si të papranueshme për prestigjin e Institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë e drejtoj, duke vlerësuar që nuk para kapacitetin e mjaftueshëm për të një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, sqaron ai.

Mësohet se kërkesa nga Interpol Brukseli për Frrokun ka ardhur që në muajin janar 2015 në Tiranë, por është mbajtur ne zyrat e Interpol Tirana pa i kaluar ministrisë së Drejtësisë. Pikërisht fshehjen e këtyre dokumenteve e denoncoi sot edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani.

Deputeti Arben Ristani përmes një deklarate për mediat akuzoi dyshen Rama-Meta për fshehje të qëllimtë të këtij urdhër arresti, duke kapur në këtë mënyrë dëshmitarin kyç në çështjen “Doshi”, e duke e nxjerrë urdhrin nga sirtarët vetëm pasi Frroku dëshmoi në favor të Metës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here