Home Aktualitet Shkollat, MASH të qartësojë cilat simbole fetare s’lejohen

Shkollat, MASH të qartësojë cilat simbole fetare s’lejohen

1434
0

Kanë nisur sërish debatet mbi simbolet fetare në shkolla, të përcaktuara në nenin 36 të pr/ligjit për arsimin parauniversitar. Këtë herë janë shoqatat kundër diskriminimit të cilat i kërkojnë Ministrisë së Arsimit të qartësojë më mirë ligjin duke shpjeguar se cilat simbole lejohen të ekspozohen në shkolla dhe cilat nuk lejohen.
Rishikimi
Komisionerja kundër diskriminimit Irena Baraku është shprehur dje në media se para kalimit në qeveri dhe në Parlament, drafti duhet ti nënshtrohet ripunimit me qëllim rregullimin e dispozitave që kanë të bëjnë me besimin dhe të drejtën fetare. “Duhet të përcaktohen qartë simbolet fetare, pra duhet të sqarohet se cilat simbole lejohen dhe cilat jo”, ka thënë dje Baraku. Në nenin 36 të projektligjit për arsimin parauniversitar përcaktohet se në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre. Gjithashtu, sipas këtij projektligji, në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve.
Veprimtaritë partiake
Ndërkaq, ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit. Dhe së fundi projektligji përcakton se ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveç shkollave ku mësohen lëndë fetare. Gjatë 8 viteve të fundit ka pasur 5 raste kur nxënës janë përjashtuar nga shkolla ose nuk janë lejuar që të hyjnë në mësim për shkak të simbolikës fetare.
Myslimanët
Komuniteti Mysliman në Shqipëri  ka reaguar në media kundër këtij projektligji, që e quan tejet evaziv dhe nuk përcakton qartazi se çfarë nënkuptohet me simbolet fetare. Deri më tash, përdorimi i shamisë tek vajzat myslimane është konsideruar si simbol fetar, ndërkohë që teologët e kundërshtojnë këtë fakt.

PROJEKTLIGJI
NENI 5
LAICITETI I ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
1. Arsimi parauniversitar publik ka karakter laik.
2. Në institucionet arsimore është i ndaluar indoktrinimi fetar.

NENI 36
NDALIME TË DISA VEPRIMTARIVE NË SHKOLLA
1. Në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre.
2. Në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve.
3. Ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të
institucionit.
4. Ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare

Rikonstruktohet tërësisht sheshi “Ataturk”
Pas transformimit të sheshit Ataturk, në funksion të një qarkullimi më të mirë të mjeteve dhe lehtësimit të trafikut në kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka përfunduar edhe projektin për rikualifikimin urban duke transformuar edhe zonat këmbësore e fasadat që rrethojnë sheshin “Ataturk”. Ky projekt i rikualifikimit urban të sheshit “Ataturk”  është frut i një bashkëpunimi me sektorin privat. Duke folur mbi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe duke e cilësuar njëkohësisht projektin si një model që pasqyron Tiranën e së nesërmes, Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama u shpreh se: “Ne po i japim qytetarëve të Tiranës dhe posaçërisht këtij komuniteti që banon në këtë zonë, një hapësirë publike tërësisht të transformuar që shërben dhe do të shërbejë për këmbësorët, për familjarët, për më të moshuarit, për fëmijët por njëkohësisht që është një tjetër model që pasqyron Tiranën e së nesërmes”. Kryebashkiaku Rama theksoi se ky transformim pasqyron qytetin e ëndrrave dhe shpresave të të gjithë atyre që jetojnë në Tiranë dhe të atyre që dëshirojnë të vijnë për të jetuar kë kryeqytet, pasi është modeli që përmbush aspiratat e shqiptarëve evropianë. Ndërhyrja për rikualifikimin urban të sheshit “Ataturk” synoi rehabilitimin e fasadave të ndërtesave rreth sheshit; rritjen e elementit të gjelbër në horizontalitet dhe vertikalitet; krijimin e elementëve të komoditetit të këmbësorëve, gjatë lëvizjes së tyre tranzit brenda hapësirës së sheshit dhe shtimin e elementëve të ndriçimit publik dhe pajisjen e hapësirës me elementë të shërbimit urban. Nëpërmjet këtij projekti rikualifikues janë transformuar në vendqëndrime urbane të katër trotuaret në perimetër të sheshit Ataturk, të cilët kishin karakter tranzit. Ky transformim është realizuar përmes vendosjes se stolave për qytetarët, ndriçuesve të rrugës, pemëve gjelbëruese me kurorë të dendur në mënyrë që të krijojnë një hijëzim të plotë në periudhën e verës, vënien e një ushtarë trafiku që ndan vendkalimin e biçikletave nga sheshet urbane si dhe vendosjes së spoteve ndriçues poshtë stolave, në mënyrë që ata të jenë të dukshëm edhe gjatë natës, si elementë urbanë të sheshit. Ky projekt u realizua falë mbështetjes së kompanive të grupit Calik, Albtelecom, BKT dhe Eagle Mobile.

Projekt turistik i GTZ-së në alpet e Shqipërisë
Pjesa e alpeve në skajin verior të Shqipërisë, e cila shtrihet dhe në territoret e Malit të Zi dhe të Kosovës është në fokusin e një projekti turistik rajonal nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Teknik, GTZ. Nëse do t’i referohemi shifrave të zhvillimit turistik për zonën malore të Thethit, rreth 65 km larg qytetit të Shkodrës, ato e tregojnë ndryshimin: gjatë vitit të kaluar ishin rreth 10 mijë vizitorë, në masën 90 për qind të huaj, të cilët shfrytëzuan kullat shtëpi të 22 familjeve me rreth 200 shtretër. Ndërkohë që 5 vite më parë, ata që vinin në këtë rajon të alpeve ishin vetëm disa qindra. Një kontribut të jashtëzakonshëm për gjallërimin e turizmit malor në rajonin e Thethit ka dhënë GTZ-ja gjermane. Duke bashkëpunuar me banorët e zonës, aplikimi i projekteve konkrete ka krijuar një infrastrukturë më atraktive, duke shndërruar kullat tradicionale në “guest houses”. Thyerjet e papërsëritshme të terrenit malor, “monumentet” natyrore të virgjëra e krejt të veçanta janë në sinkron me mikëpritjen e banorëve, me mënyrën tradicionale të akomodimit, të ushqimit, të historisë së zonës etj. Por pjesa e alpeve vijon dhe në territorin e Malit të Zi dhe të Kosovës, ndaj GTZ-ja kërkon, që dinamikën turistike ta shikojë jo në tre pjesë të veçanta, si deri më sot, por ta vijojë në një optikë rajonale. Zëvendësdrejtori për Shqipërinë i GTZ-së, Ismail Beka, tregon se kooperimi në këtë rast do të ishte edhe më efektiv dhe do të tërhiqte një numër më të madh turistësh.

Menaxhimi i mbetjeve, lista e riciklimit sipas standardeve
Ministria e Mjedisit ka ritheksuar se ligji që pritet të miratohet së shpejti për menaxhimin e integruar të mbetjeve është në përputhje të plotë me standardet europiane. Sipas autoriteteve të kësaj ministrie, lista që është miratuar për riciklimin e mbetjeve në vendin tonë, është shumë e reduktuar, krahasuar me atë në vendet europiane. “Ministria ka hartuar për herë të parë, me asistencën e BE, strategjinë dhe planin e veprimit për mbetjet. Lista e miratuar nga ne përmban rreth 50 përbërës të mbetjeve, nga mbi 400 qe ka lista e gjelbër e BE. Pra, rreth dhjetë herë më pak. Mundësia ligjore për të importuar mbetje për qëllime riciklimi ka qenë që në vitin 2003, që është miratuar për herë të parë me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave. Nga ky vit deri tani ministria nuk ka informacion mbi mundësinë e abuzimit me këtë akt”, thotë Pëllumb Abeshi, drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit. Ndonëse, projektligji është debatuar dhe kundërshtuar fuqishëm nga shoqëria civile, ministria e Mjedisit po punon për përcaktimin e zonave ku do të bëhet riciklimi i mbetjeve të vendit tonë, por edhe ato të importuara duke siguruar komunitetin se përpunimi i tyre nuk përbën asnjë rrezik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here