Home Aktualitet Vajza e Azemit, Rudina, 12 vjet pas humbjes së babait…

Vajza e Azemit, Rudina, 12 vjet pas humbjes së babait…

824
0

Me hapin e vogël dhe me një dosje në dorë zbret nxitimthi shkallët e Ministrisë së Jashtme. Është Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit. Prej 18 muajsh ajo është pjesë e stafit të kësaj ministrie, si specialiste në Sektorin Politik të Drejtorisë së NATO-s. Tek sa na përshëndet i formohen ëmbël dy gropëza në faqe duke i dhuruar vetes një fytyrë engjëllore.
Veshja bardh e zi që ajo mban e bën më serioze duke i dhënë një pamje zyrtare. Ndërsa nis të na tregojë për veten nuk e shmang dot faktin që kërkon të jetë e kujdesshme, pasi është ende në formim e sipër, sapo ka kaluar 23 vjeç dhe çdo gjë e thënë në këtë kohë nuk mund të ishte përfundimtare.
Biseda me të, nis herët në kohë, qysh kur ajo ishte fëmijë dhe përfundon në ditët e sotme në një nga zyrat e Ministrisë së Jashtme. 11 vitet e para të jetës i ka kaluar së bashku me babin dhe tashmë janë mbushur 12 që ai nuk është më, e nuk i thërret më “vajza e babit”, siç e kujton Rudina, por, tashmë, vetëm në ëndrra.
Kujtimet janë të shumta dhe do ta shoqërojnë gjithë jetën, aq sa edhe emri i tij. Ajo tani është rritur jo vetëm fizikisht, por edhe profesionalisht. 8 vjet në Amerikë, ku përfundoi edhe studimet për “Shkenca Politike”, i dhanë dije dhe një kulturë që e ruan me fanatizëm.
Politika është një nga pasionet e saj dhe sidomos Marrëdhëniet Ndërkombëtare, e s’kishte si të ndodhte ndryshe për një vajzë që ka të shkruar në atësi Azem Hajdari. Në këtë intervistë për “Sh2-in”, ajo rrëfen jetën e saj të momentit dhe kujtimet nga babi.


Rudina, një pyetje që me lindi tani kur shkrova emrin tuaj. Kush jua ka vendosur emrin?

Thonë se njeriu është emri i tij. Ndoshta dhe unë jam emri im që ka qenë kështu siç e mbaj, për shkak të ngulmit të gjyshes sime nga babai. Ajo e donte emrin tim dhe jam e lumtur që kam këtë emër.
Si fillon një ditë normale e juaja?
Tashmë, prej vitesh, mëngjesi im është një ritual: zgjim herët për të pasur sa më shumë orë me dritë dielli në dispozicion, edhe pse nata gjithashtu më pëlqen shumë. Kam “zbuluar” se sa më herët të zgjohem, aq më intensive e kam gjithë ditën dhe aq më të këndshme mbrëmjen. Mëngjesi është dhe reflektim për të djeshmen e kaluar, është dhe shkëndija e parë, e mbarë apo jo, e ditës që pritet të konsumohet.


Sa kohë të lirë keni për veten tuaj?

Kam më shumë sesa mund të shpenzoj, kam më pak sesa më nevojitet. Dhe duke thënë këtë, nuk ka asnjë kontradiktë: ditët e mbara ngrysen shpejt, ditët “fatkeqe” ngjajnë se zgjasin sa një përjetësi. Më pëlqen puna që bëj dhe është fat të kesh një punë, në të cilën shkon me dëshirë.
Më pas, më pëlqen që të kem aktivitet fizik, vrap nga parku i liqenit, palestër dhe mbrëmjet në familje. Një bisedë me familjarët, televizori në sfond me ndonjë film që më tërheq, po ashtu lexim apo pikturë. Ndjek jetën artistike të Tiranës, ndërsa fundjavave jam me miqtë e mi të afërt.
Fatmirësisht kam zbuluar shpejt magjinë e lëvizjes me makinë: Shqipëria është shumë më e madhe sa mendojmë dhe nëpër atdhe ka dhjetëra e qindra destinacione që ruhen me “xhelozi” të fshehtë për shkak të padijes sonë. Dhe unë kam shumë dëshirë t´i vizitoj ato dhe të arkivoj në kujtesë apo në fotografi magji të natyrës dhe të së shkuarës së vendit tonë.
Ju punoni në Ministrin e Jashtme. Cili është pozicioni juaj në këtë institucion dhe ku konsiston?
Detyra ime është specialiste në Sektorin Politik të Drejtorisë së NATO-s. Roli i këtij sektori është bashkëpunimi politik, koordinimi institucional dhe zhvillimi i marrëdhënieve politike të shtetit shqiptar dhe institucioneve të vendit me NATO-n.
Objektiviteti kryesor i punës, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme është realizimi i detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës, bazuar në angazhimet e përcaktuara në dokumentet bazë dhe detyrimet themelore, në mbrojtje të interesave kombëtare.
Sa kohë u bë që jeni në këtë punë?
Prej 18 muajsh.


Çfarë ju pëlqen në këtë që bëni?

Gjithçka. Më pëlqen natyra e punës, më pëlqen diplomacia në vetvete, e cila është një botë e jashtëzakonshme, në të cilën duhet të kesh vërtet fat të jashtëzakonshëm për të pasur një biletë hyrjeje në atë botë që “kontrollon” gjithë botën.
Më pëlqen të ndjek nga afër zhvillimet e organizatës së NATO-s, aktivitetet e rëndësishme të saj, marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n. Ndër të tjera, detyra ime është edhe përgatitja e materialeve informative, tezave të bisedimeve, përpilimet e qëndrimeve të marrëdhënieve të Aleancës me organizata të tjera, si dhe pjesëmarrja aktive në këtë bashkëpunim.
Nëse nuk do të ishit diplomate, (punonjëse e Ministrisë së Jashtme), cili do të ishte profesioni që do të donit të kishit?

Arti ka qenë dhe është dashuria ime e madhe. Më pëlqen të pikturoj, por nuk e kam parë ndonjëherë veten si piktore profesioniste.
Të pikturosh është njëlloj si të krijosh një botë nga e para, është njëlloj si të jesh gjithmonë në zanafillën e gjërave, nga telajoja në një botë që del direkt nga shpirti, del bashkë me ngjyrën, bashkë me penelatat, bashkë me lapsin e zi. Mund të ngjajë disi e sforcuar, por dhe diplomacia është një pikturë e një lloji të veçantë, kur me mjete të tjera dhe për synime të tjera, pikturon karaktere e shumë më shumë se kaq.
E ndjeni veten me fat qe keni një punë të tillë, pasi shumë bashkëmoshatarë janë ende në kërkim?
Po, jam me fat. Jam përpjekur që fatin tim, me aq sa kam mundur, ta ndërtoj vetë: kam vënë shpirt dhe dhëmbë në këto përpjekje, jam mjaftueshmërisht “egoiste” sa të luftoj çdo ditë që të meritoj fatin tim.
Jeni një vajzë e re që keni studiuar jashtë, si e shikoni ju formimin e rinisë shqiptare?
Jam shumë e re për të dhënë një opinion të tillë, por mund të jap një mendim modest duke cituar një prej drejtuesve të lëvizjes për të drejtat e njeriut në SHBA, në vitet ’60, Malcom X, i cili ka thënë: “Edukimi është çelësi i së ardhmes, pasi e nesërmja i takon atyre që punojnë për të sot”.
E megjithatë, nuk është diploma në vetvete një sfidë për t´u realizuar, por dija dhe aftësitë që na përgatisin për tregun e punës. Mos harrojmë se, nëse sot ata që kryejnë studimet në Shqipëri konkurrojnë me ata që studiojnë jashtë, nesër ata do të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre europianë dhe më gjerë.
Cili duhet të jetë pozicioni i saj në shoqëri dhe a është ajo tani aktive, e denjë e në formë për të qeverisur vite më vonë?
Çdo shoqëri, kur më dukshëm dhe kur më fshehtazi, ka një konflikt dhe një kontradiktë të hapur mes brezash. Ka kundërshti, ka keqkuptime, ka evolucion dhe herët a vonë edhe revolucione.
Rinia, nga vetë natyra e saj është më pranë idealizmit, më pranë vetësakrifikimit për një ide, bindje apo një moral të caktuar. Në SHBA kam takuar të moshuar që në vitet e zjarrta ’60, ishin të rinj aktivë dhe të angazhuar. Kur i shihja të plakur e të thinjur më dukej e pabesueshme që ata kishin qenë pjesë e ditëve të gjata që ndryshuan botën.
Që e bënë më të mirë botën, më të hapur, më transparente dhe mbi të gjitha, më të lirë. Si të rinj, ne shohim çfarë nuk shkon me prindërit tanë, por në gjykimin tonë për ta, nuk duhet të harrojmë se shumë shpejt vjen çasti që do të jemi të gjykuar nga fëmijët tanë.
Çfarë është liria për ju?
Liria është e drejtë e lindur që gjatë jetës shpesh kërkojnë të na e marrin dhe që po kaq shpesh luftojmë për ta rifituar.
Liria është ajo pjesë e ajrit dhe ujit, nga e cila shpesh heqim dorë me dëshirë e vullnet për hir të së nesërmes. Fjala vjen për të nesërmen e fëmijëve tanë: një grua heq dorë nga liria e saj për të fjetur, për të ushqyer foshnjën e saj. Liria, në thelb, është ajo gjë sublime, përmasën e të cilës e kuptojmë vetëm kur e kemi humbur.
Po demokracia?
Demokracia është organizimi shoqëror që vë mbi të gjitha interesin e përbashkët. Ajo është armike e individualizmit të paepur dhe anasjelltas. Demokracia e kthen qeverisjen në shëmbëlltyrë të popullit.
Kur flasim për mirëqeverisje, në radhë të parë duhet të shikojmë tek vetja për mirësjellje komunitare. Besoj se është populli dhe jo elitat që kanë përgjegjësinë kryesore për jetesën demokratike në bashkësi të krijuar mbi themelet e lirisë individuale, pa cenuar lirinë e tjetrit.
Sa të lirë e ndjen veten Rudina?
Për mua liria nuk është hapësira për të bërë çdo gjë; liria është hapësira për të përjetuar dhe njohur individualitetin tim.
Sa kohë shpenzoni në ditë me familjen?
Jeta aktive lë më pak kohë se sa do të dëshiroja për familjen. Por, mëngjesi dhe darka janë momente që na gjejnë gjithnjë bashkë.
Sa e dhënë jeni pas vëllezërve tuaj? A shpenzoni kohë me ta, flisni, për çfarë?
Jam shumë e dhënë pas vëllezërve, sidomos me më të voglin, Azemin. Ndërsa me vëllanë e madh, Kirin, kam një gjuhë tjetër edhe për shkak të moshës që ka. Me Kirin mund të flas për çdo gjë dhe gjej mbështetje tek ai.
Çfarë mbani mend nga babai juaj?
Dashurinë dhe përkushtimin e tij për familjen dhe për vendin e tij.
Çfarë nuk do të harroni kurrë nga ai?
Çastet që kam kaluar me të. Kujtoj me përmallim shëtitjet me të buzë Liqenit Artificial, shpirtin e tij rinor dhe dashurinë për mamanë time dhe për ne fëmijët e tij.
Cila është këshilla që mbani mend më shumë nga babai?
Të jem e drejtë dhe mos përdor hile. Ai nuk i toleronte padrejtësitë.
Si e mban mend takimin e fundit me të?
Takim i bukur familjar në një nga lokalet që ndodhej përballë selisë së Partisë Demokratike, një orë para se të ndodhte ngjarja e hidhur.
Çfarë ju mungon më shumë nga ai?
Dashuria e tij.
Cili prej jush, fëmijëve i ka ngjarë më shumë, në tipare apo karakter?
Të gjithë ndajmë diçka, si nga tiparet dhe nga karakteri.
Si ndiheni kur ju prezantojnë si vajza e Azem Hajdarit?
Krenare për rolin tij në demokratizimin e vendit.
Si e imagjinoni veten po të ishte babai juaj gjallë?
Kjo është një nga ato gjëra, të cilat nuk do t´i mësoj kurrë. Shpesh mendoj se do të më kishte ndryshuar jeta në gjithçka dhe po kaq shpesh, mendoj se nuk do të ndryshonte asgjë. E vetmja gjë që mund të them me siguri është se e ndjej mungesën e tij gjithmonë e më shumë, sa më shumë rritem.
Tmerrohem kur mendoj se shpejt, shumë shpejt do të kem moshën e tij kur iku dhe mund të flas me kujtimin e tij si me një bashkëmoshatar, që më pas unë do të plakem dhe babai im do të jetë sërish i ri, në moshën që kishte kur ju desh të ikte, kur e nisën për udhën pa kthim dhe jeta i rrodhi nga plagët që pati në gjoks. Por ju lutem, mos të flasim më gjatë për këtë.
E keni menduar ndonjëherë të realizoni një libër për të dhe për jetën e tij?
E kam menduar, pse jo! Mbase do të vijë një ditë kur do të shkruaj një libër për jetën e tij, si baba dhe lider!


Një nga miqtë e afërt të familjes suaj ishte dhe Sali Berisha, a është më dhe a e keni takuar kohët e fundit?

Miqtë dhe dashamirësit e babait tim janë gjithashtu miqtë dhe të dashurit e familjes sime. Ata janë gjithmonë të mirëpritur nga ne.


Nëna juaj, Fatmira, për 12 vjet me radhë ka qenë nënë dhe baba për ju, çfarë vlerësoni tek ajo?

Ajo për mua është nënë, motër dhe shoqe. Vlerësoj kurajën e saj për të kaluar vështirësitë e familjes dhe forcën e vullnetin për të pasur një familje sa më të lumtur. Vlerësoj sakrificat për shkollimin tim të mirë, duke pranuar mungesën time dhe mallin e madh për t’ia arritur këtij qëllimi. Mbi të gjitha vlerësoj dashurinë e pakushtëzuar që vetëm një prind di ta japë.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Fatmirën?
Kam një marrëdhënie shumë të ngushtë dhe të hapur me të. Mami është këshilluesja im më e besueshme dhe e drejtë.
Kur mendoni të çoni një dhëndër në familjen tuaj?
Kur të jem gati dhe mos të kem asnjë pikë dyshimi në kokën time.
Çfarë duhet të ketë një mashkull që të jetë pranë jush?
Ai duhet të ketë besim në vetvete, të jetë i thjeshtë, inteligjent, i dashur dhe të kujdeset për veten.
E keni një të tillë?
Ende nuk i dihet.
Kush janë miqtë e tuaj më të mirë dhe çfarë quani ju mik, apo mikeshë të mirë?
Kam një rreth të ngushtë shoqëror dhe i konsideroj ata si miq të mirë.
Në të bëjnë pjesë si miq të vjetër ashtu edhe të rinj. Karakteri i njeriut dhe koha që kalon me të ndikon në miqësi. Koha tregon çdo gjë dhe me kohën ti kupton kush janë miqtë e t’u të vërtetë. Miqtë janë ata që më gjenden pranë në çdo kohë. Më ndodh të zbuloj miq të rinj, fatmirësisht shumë rrallë më ndodh të humbas miq të vjetër.
Në këtë botë, njerëzit janë si uji, shpesh rrjedhin dhe duket sikur zhduken dhe pastaj papritur, në një ditë me shi rishfaqen sërish, njëlloj si qielli i kthen ujin tokës në një ditë me shi. I cili, me domosdo, më pas, do të përfundojë në det.
Aty ku do të prehemi të gjithë, si uji, pavarësisht tallazeve dhe dallgëve që kemi kaluar në jetë. Dhe një jetë e jetuar mirë, padyshim është një jetë mes njerëzish që i do dhe të duan, është një jetë e sakrifikuar për të tjerët, njëlloj si të tjerët kanë sakrifikuar për ty.
Azem Hajdari
Azem Hajdari është një nga figurat më të spikatura të politikës së viteve 1990 deri në 1998. Ai ishte një ndër aktivistët kryesorë të lëvizjes studentore në ’90-ën. Hajdari lindi më 11 mars të viti 1963.
Ai ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë. Por, përveç jetës politike, në vitin 1995 Azem Hajdari ka qenë edhe president i klubit sportiv “Vallznia”. Madje, edhe president i Federatës së Arteve Marciale. Më 12 shtator 1998 vritet pabesisht para selisë së Partisë Demokratike. Pas vdekjes, presidenti i vendit tonë e dekoroi me titullin “Nderi i kombit”. Ndërkohë presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i dorëzoi familjes së tij medaljen e artë “Lidhja e Prizrenit”.
Rudina Hajdari
Pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare në një kolegj në Tiranë, pas tre vitesh që kishte humbur babanë, Rudina niset për në Amerikë, atje përfundon shkollën e mesme dhe më pas studimet e larta për “Shkenca Politike”.
Edhe pse bënte një jetë të mirë përtej Oqeanit, mendjen e kishte në vendlindje dhe ishte e vendosur për një rikthim të shpejtë. E kështu bëri, u kthye për të filluar punë në Ministrin e Jashtme dhe tregon se ndihet mirë në atë pozicion, pasi dëshira e saj është Marrëdhënie Ndërkombëtare, profil për të cilin preferon të vazhdojë masterin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here